Ismail Qemali, Sali Berisha dhe…të Tjerët

Nga Ramiz Lushaj

“Muzeu Kombëtar i Pavarësisë” në Vlorë e mori këtë status më 1962, në festimet e 50 vjetorit të Pavarësisë. Ma herët, në vitin 1936 deri në fillime të Luftës së Dytë Botërore, ishte “Muze Historik Kombëtar”, i pari muze historik në Shqipëri, pasi në këtë godinë dykatëshe të shek. XIX, u festua përvjetori i parë i Pavarësisë në nëntor 1913 dhe ishte për disa muaj selia e parë e të parës Qeveri Shqiptare të Ismail Qemal Bej Vlorës. Në vitin 1963, për vet vlerat e mëdha historike kombëtare u shpall edhe “Monument Kulture”.

Përplot njëzet vite ma herët, ngjarjet e marsit 1997 në Vlorë e përfshinë në vorbullen e tyre, në cunamin e tyre edhe këtë objekt historik e kulturor të një randësie tejet të veçantë. U sulmua nga banda të rebelimit të armatosur (jo)politik. U cënue keqas shenjtëria e këtij institucioni të rrallë kombëtar dhe shenjtëria e objekteve të saj. Nuk e mbrojtën dot as misioni i saj kombëtar, as piedestali historik, as ombrella e statusit të saj të dyfishtë. Ishte një akt antikombëtar, që vështirë të përngjasë edhe në vendet ma të pa zhvilluara të botës së sotme globale.

Banditë të armatosur hynë brenda Muzeut Kombëtar të Pavarësisë me një revansh antishqiptar. Çartanisht. Pabesisht. Paturpësisht. Antikombëtarisht.

E sulmuan edhe Ismail Qemal Bej Vlorën, “Baba i Pavarësisë”, themeluesi i Shtetit të ri Shqiptar, kryetari i Shtetit dhe kryeministri i parë i pas Shpalljes së Pavarësisë të 1912-tës.

Aktet e tyre i tregojnë këto dy foto:

E para, e paraqet burrshtetasin Ismail Qemali me kokën e mbështetur tek valvitja e Flamurit Kombëtar Shqiptar. Banditët e kanë goditur me tre plumba në të djathtë të fytyrës së tij të bukur, tek balli dhe afër syrit të tij. Ata e goditën me 7 plumba edhe Flamurin Kuqezi.

Foto e dytë e paraqet portretin e Plakut të Vlorës e të Pavarësisë tek Shqiponja dykrenare. Banditët ia kanë çarë gjoksin dhe kokën me bajonetë të armëve të tyre kriminale, mafioze.

Banditët rrëmbyen në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë edhe disa objekte të rralla me vlerë kombëtare të veçantë. Një prej tyre ishte edhe Aparati Mors, me të cilin iu dha lajmi Botës për Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare të Shqipërisë në 28 nëntorin e 1912-tës nga Vlora e Ismail Qemalit, që dhanë lajmin se Shqipëria “bahet në vehte, e lirë, e mosvarme”.
Dy vlonjatë atdhetarë të njohur, nga dyer të shquara vlonjate, flokëthinjur nga vitet, e gjetën aparatin Mors të hedhur në një kanal aty pranë Muzeut Kombëtar të Pavarësisë. Ishte krejt i përbaltun. E morën në duar, e pastruan me gjithë shpirt’ e plot dritë. Ia rikthyen Muzeut. Dveta para disa ditësh. Më thanë se ishte aty. Mirëpo, çështja shtrohet ndryshe: obkete të tilla tepër të rralla shtete të botës së sotme i ruajnë nën masa të jashtëzakonshme sigurie nga akte të tilla, nga kriminelët e çdo kohe, edhe nga rebelime të tilla “shqiptarçe”!

Pra, kështu, kësisoj, ngjarjet e vitit të mbrapshtë ’97, rebelimi i armatosur i Vlorës, nuk ishte thjesht ndaj Presidentit të Shqipërisë së asaj kohe, prof. dr. Sali Berishës, po ishte dhe kundër themeluesit të Shtetit të ri Shqiptar, kundër Ismail Qemal bej Vlorës të Pavarësisë Kombëtare Shqiptare. Ishte një goditje ndaj identitetit kombëtar shqiptar. Ishte një veprimtari që shkoi deri në akte e veprimtari antikombëtare, që dëmtoi imazhin e Shqipërisë, që ngadalësoi zhvilimin dhe integrimin euro-atlantik të Shqipërisë. Në marsin e çdo viti dhe të çdo dite në kalendarin e kohës shqiptare zbardhen dëshmi për politikat antikombëtare të fqinjve e aleatëve të tyre, klane të politikës shqiptare e aleatëve të tyre në “Kryeqytetin e Rebelimit” në Vlorë: Tre gishtat e simbolit serb të ngritur në Vlorë, në Rebelimin e ’97-tës – që akademik Rexhep Qosja i Kosovës e “Qytetar Nderi” i Vlorës, e keqcilëson “Revolucion i vonuar”(!) apo ndokund tjetër fjalathuhet se filantropi klanor Xhorxh Soros e mbështeste këtë Rebelim të Vlorës. Agjensia Italiane e Lajmeve (ANSA) komentonte më 2 mars 1997: “I gjithë skenari po shfaqet si një strategji politiko-ushtarake dhe jo si një manifestim spontan popullor”. Disa ditë ma vonë, më 13 mars 1997, Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) deklaronte: “Trazirat në Shqipëri ishin një grusht shteti i ushtarakëve”. Shkrimtari shqiptar, kandidat i Nobelit, Ismail Kadare, nga Paris ii Francës, në një intervistë në “Zëri i Amerikës” më 13 mars 1997, deklaronte: “Ora e Shqipërisë ishte kthyer prapa në Luftën Civile midis nacionalistëve dhe komunistëve në vitet 1943-1944”. Kryetari i SHIK-ut e, njëherash, Kryetari i Operacionit për Rivendosjen e Rendit, Bashkim Gazidede, më 26 mars 1997, fliste botnisht për një plan “Lotos” të Qeverisë Greke, që kishte objektiv themeltar e primar “çlirimin e Vorio-Epirit nga sundimi shqiptar me anë të një rebelimi të armatosur” dhe akuzonte me emër e mbiemër individë e qarqe greke në Greqi e në SHBA, lobuesin pro-helen Nicholas Gage.

Edhe TV Grek “MEGA”, qyshce më 5 mars ’97, pohonte: “Sot, grupe të armatosura në Jug të Shqipërisë ngritën për herë të parë Flamurin e Vorio-Epirit. Ata kërkojnë ndarjen e pjesës së Jugut nga pjesa tjetër e vendit, duke filluar nga Tepelena, duke shpallur kështu edhe autonominë e Jugut të Shqipërisë”. Një Fondacion Amerikan për Europën Lindore i drejtonte një letër Ambasadës Shqiptare në Amerikë, ku – ndër të tjera, argumentonte më 10 mars ’97, se: “Është naivitet i madh të mos e kuptosh se Komiteti i Vlorës dhe udhëheqësit e tij janë të frymëzuar nga mafia e tipit komunist dhe të KGB-së”. Fakte ekomente të tilla ka plot. E vërteta prêt të zbardhet përfundimisht e përjetësisht.

Ngjarjet e vitit ’97 nuk janë drejtue kundër emrave të përveçëm, as ndaj Ismail Qemal Bej Vlorës dhe as ndaj Sali Berishës, por kundër një emri të përgjithshëm kombëtar, kundër Shqipërisë euro-atlantike.