Bashkimi Evropian arriti të miratojë sot marrëveshjen me kushtet për largimin e Britanisë. Dokumenti i miratuar nga udhëheqësit e 27 vendeve përmban edhe një deklaratë politike për përcaktimin e marrëdhënieve të ardhshme mes BE-së dhe Britanisë.
Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk njoftoi të dielën përmes Twitter-it, se në takimin e mbajtur në Bruksel, të 27 udhëheqësit e Bashkimit Europian “nënshkruan Marrëveshjen e Tërheqjes dhe Deklaratën Politike mbi të ardhmen e marrëdhënieve mes BE-së dhe Britanisë.”
https://twitter.com/eucopresident/status/1066625821161517056
Presidenti i Komisioni Evropian, Jean-Claude Juncker, foli për mediat ndërsa qëndronte përkrah zotit Tusk dhe kryenegociatorit të BE-së, Michel Barnier.
“Është një ditë kur jemi të kënaqur me rezultatin e arritur. Por, është një ditë shumë e hidhur. Të shikosh se si një vend si Britania e Madhe kërkon ta gjejë veten larg të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian, duke iu larguar Bashkimit – kjo nuk është një ditë për të ngritur dolli apo për të duartrokitur. Është një ditë pikëllimi, një ndjenjë që u munduan ta transmetojnë të gjithë që folën, një ndjenjë pothuajse unanime”, – deklaroi zoti Juncker.
Dokumenti prej 600 faqesh i marrëveshjes përcakton kushtet e largimit të Britanisë nga BE-ja, si dhe një plan për lidhjet e tyre në të ardhmen.
Tani Kryeministrja britanike Theresa May përballet me sfidën e paraqitjes së marrëveshjes së papëlqyeshme për një numër të madh britanikësh në Parlamentin e vendit, ku ligjvënësit janë shprehur vazhdimisht me skepticizëm për të. Ajo foli për mediat duke iu drejtuar popullit britanik.
“Dua t’i flas tani drejtpërdrejt popullit britanik dhe të shpjegoj se çfarë domethënie ka. Pikë së pari, kontrollin e kufijve tanë. Nuk është një ndalim emergjence i lëvizjes së lirë të njerëzve, apo ndonjë premtim për kontroll më të fortë në të ardhmen, por i jep fund njëherë e mirë dhe përgjithmonë lëvizjes së lirë. Marrëveshja na lejon të vendosim një sistem emigracioni jo të bazuar tek vendet nga vijnë njerëzit, por tek aftësitë dhe talentin që vijnë të na ofrojnë. Kjo është në interesin tonë kombëtar”, – tha zonja May.
Zonja May shtoi se pas marrëveshjes Britania do të ndalë pagesat gjigande që i jep çdo vit Bashkimit Evropian dhe do të mundet t’i përdorë këto fonde për prioritetet e saj kombëtare, siç është sistemi i shërbimit shëndetësor. Gjithashtu, marrëveshja heq juridiksionin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë në Britani dhe lejon që ligjet e vendit të bëhen nga politikanë të zgjedhur në mënyrë demokratike nga populli britanik dhe të zbatohen nga gjykatat britanike.
Që të hyjë në fuqi, marrëveshja duhet miratuar në Parlament. Përndryshe, Britanisë do t’i duhej të largohej nga BE-ja më 29 mars të 2019-ës, pa patur një marrëveshje që do të zbuste konfliktet në fushën ekonomike.
Në një letër të hapur të botuar të dielën nga gazetat britanike, zonja May u bën thirrje drejtpërdrejt britanikëve, që ta mbështesin marrëveshjen e largimit nga BE-ja, edhe pse është ende e pasigurtë përkrahja nga vetë Partia Konservatore e kryeministres britanike.