Tragjedia e pazbuluar polake: Nazistët grabisnin identitetin e fëmijëve

Mijëra fëmijë polakë u rrëmbyen gjatë pushtimit gjerman nga viti 1939 deri në vitin 1945 dhe u gjermanizuan me forcë. Fatet e dokumentuara nga DW dhe Interia.pl u prezantuan tani në një konferencë në Krakov.

Vështirë të gjendet një temë kaq pak e njohur në historinë gjermano-polake si kjo e grabitjes së fëmijëve. Madje shumë polakë as e dinë fare që nazistët kanë përzgjedhur sipas kritereve racore, rrëmbyer dhe gjermanizuar me forcë deri në 200 000 fëmijë polakë.

Një konferencë me dëshmitarë të asaj kohe, shkencëtarë dhe gazetarë në Universitetin e Krakovit – një projekt i përbashkët i Deutsche Welle-s dhe portalit polak Interia.pl – i ka dokumentuar tashmë fatet e të prekurve.

Rrëmbimi i fëmijëve në vendet e pushtuara

Që në fillim të vitit 1938 kreu i esesëve Heinrich Himmler pat deklaruar se: “Unë kam si synim ta sjell, ta grabis dhe ta vjedh nga të mundem gjakun gjermanik.” Në vendet e pushtuara më vonë, fëmijët shkëputeshin nga prindërit ose grabiteshin nga jetimoret. Kriteret e përzgjedhjes ishin sytë blu dhe flokët biondë, sipas përfytyrimit të idealizuar të Hitlerit për “arianët”. Shoqata e SS-ve “Lebensborn” ishte përgjegjëse për gjermanizimin e detyrueshëm të fëmijëve.

Polen Konferenz Geraubte Kinder in Krakau Barbara Paciorkiewicz (DW/M. Sieradzka) Barbara Paciorkiewicz  u shkëput nga familja në vitin 1942

Takimi me dëshmitarët

Barbara Paciorkiewicz  u shkëput nga familja në vitin 1942 nga Zyra Gjermane për të Miturit në Lodz të Polonisë kinse për një kontroll mjekësor dhe u dërgua në një nga strehimoret e shoqatës “Lebensborn” në Poloninë e pushtuar. Më vonë, për vajzën katërvjeçare u gjet një familje e dashur në Lemgo të Vestfalisë, në Gjermani.  Nga Barbara Paciorkiewicz u bë Bärbel Rossmann. Autoritetet gjermane përpiqeshin t’ua ndryshonin identitetin fëmijëve të grabitur duke e fshehur kështu identitetin e vërtetë të tyre edhe para prindërve kujdestarë.

Një traumë për gjithë jetën

Në vitin 1948 Bärbel u kthye në Poloni në moshën dhjetëvjeçare. Ishte e vështirë për të që të mësohej, gjuhën polake nuk e njihte mirë. “Erdha në Gdansk te daja. Gjëja e parë që ai donte të më tregonte ishte ish-kampi i përqendrimit Stutthof dhe gjurmët e krimeve të gjermanëve. Dhe unë isha gjermane. Nuk e kuptoja botën”, rrëfeu Paciorkiewicz me lotët që i rridhnin në Konferencën e Krakovit para qindra pjesëmarrësve.

Maria Luedeking und Hermann Luedeking - ein Junge der 1942 vom Verein Lebensborn vom Nazi-besetzten Polen ins Lebenbornheim in Kohren-Sahlis gebracht wurde (Privat) Hermann Luedeking u adoptua nga Maria Luedeking ne vitin 1942

Trauma e vërtetë filloi më vonë kur, si e re, ajo shkoi të vizitonte mamanë e saj gjermane dhe që atëherë jetonte në konflikt të brendshëm mes dy identiteteve. “Kjo është thellë brenda meje, unë shpesh ndjehem e vetmuar dhe inferiore”, thotë ajo. Janë pasojat e kohës së pasluftës, kur fëmijët e shanin “vajza e Hitlerit” dhe madje e rrihnin.

Në kërkim të rrënjëve

Edhe Hermann Lüdeking vuan edhe sot nga pasojat e vonshme të fatit të luftës. Ai u rrëmbye nga shtëpia e fëmijëve në Lodz. Emrin e tij, Roman Roszatowski, ia kishin ndryshuar nazistët në strehimoren “Sonnenwise” të Lebensborn-it në  Kohren-Sahlis pranë Leipzigut. Këtu ai iu dorëzua për përkujdesje Maria Lüdeking-ut, një aktivisteje naziste.

82-vjeçari nuk ka mundur t’i zbulojë deri më sot rrënjët e tij.  “Kjo më shqetëson shumë”, thotë ai. Ai angazhohet në shoqatën “Fëmijë të grabitur – Viktima të harruara”, e cila lufton për një dëmshpërblim për këtë grup viktimash. Deri tani pa rezultat.

Kompensime nuk ka

Ministria Federale e Financave shkroi në vitin 2013 në një deklaratë se: “Këtë fat e kanë pësuar gjatë luftës shumë familje dhe ka shërbyer si strategji lufte. Synimi në radhë të parë nuk ka qenë asgjësimi ose heqja e lirisë së të prekurve, por fitimi i tyre në dobi të vetes.” Gjykata administrative e Këlnit në korrik 2018 konstatoi se nuk ka baza ligjore për dëmshpërblim. “Republika Federale dëmshpërblen ato viktima të nazizmit që “ishin sulmuar nga regjimi nazist për shkak të sjelljeve shoqërore ose personale ose për shkak të cilësive të veçanta të tyre, si për shembull, aftësi të kufizuara mendore,” tha gjykata. Megjithëse fëmijëve të grabitur u ishte bërë një padrejtësi e pabesueshme, ata nuk i plotësonin kushtet e nevojshme për të marrë një dëmshpërblim. Lüdeking ka shkuar në revizion kundër vendimit.

Mure të trasha

Polen Konferenz Geraubte Kinder in Krakau (DW/M. Sieradzka) Konferenca per Femijet e grabitur te Polonise ne Krakov

Dorothee Schmitz-Köster, studiuese e letërsisë dhe autore e disa librave mbi periudhën naziste, është e indinjuar nga debati i dëmshpërblimit. Ajo e krahason atë me diskutimin që u bë për dëmshpërblimin e punëtorëve të detyruar, të cilët vetëm “pas një procesi tejet të vështire”, më në fund, në vitin 2000 me themelimin e fondacionit “Përkujtimi, Përgjegjësi dhe E ardhme”. “Është turp që ngrihen mure të tilla të trasha dhe që nuk mund të shëmben as me një gjest”, thotë Schmitz-Köster në një intervistë me DW.

Ajo vetë i është drejtuar dy muaj më parë Presidentit Frank-Walther Steinmeier  me një kërkesë për takim me viktimat. Propozimi është duke u shqyrtuar, thuhet në përgjigje.

Viktima të harruara

Sipas Joanna Lubecka, historiane në Institutin e Përkujtimit Kombëtar në Krakov, fëmijët e grabitur janë “viktima të harruara”, sepse numri i tyre është relativisht i ulët. Shkencëtarët polakë flasin për 200 mijë të prekur. Por kur bëhet fjalë për viktimat e pushtimit gjerman, numri i tyre arrin miliona.

Fatet e dokumentuara nga DW dhe Interia.pl janë botuar si libër në Poloni  nën titullin “Teraz jestescie Niemcami” (“Tani jeni gjermanë”). Botimi i tyre në gjermanisht është planifikuar për vitin 2019.