Ja pse shembet lavdia e Atdheut

Përgatiti: Fritz RADOVANI: (Pjesa I)

 

KJO ISHTE SHTËPIA E L. GURAKUQIT – SHKODER

Shembja e Shtëpisë së Atdhetarit Luigj Gurakuqi në Shkoder ishte një “Parathanje”!

Gjithmonë mbas një vrasjes së pabesë asht e shkrueme me “atë gjak” një Histori…

AT ANTON HARAPI O.F.M., shkruen: “SI E NJOH UNË GURAKUQIN ?” Tek libri “NALTIMI I NDËRGJEGJES KOMBTARE” (Pa asnjë ndryshim nga unë. FR)

Ndër shqiptarë nuk njohta kend mâ hije-lehtë se Luigj Gurakuqin.

Kujtimit t’êm nuk i çfaqet nji burrë si ai: i urtë, i mendshëm e njiheri edhe trim si zana. Personaliteti i tij qe nji krijesë origjinale, ku shpirti shqiptár, i pajisun me kulturë e qytetnim, shprehej i madh, i naltë, fisnik. Këtê pata fatin me e pasë mik zemre e shoq pune, bashkëpuntuer edhe prîjs; me te përpoqëm idealet, damë gëzimet e idhnimet; lirija e besimi qi patëm shoq me shoq, kaptoi ndër hapat mâ të guxueshëm, u ul e përfshini fjalët e punët edhe mâ të zakonshmet: por deri edhe ndër këto kande të jetës, ku edhe shpirti i fatosit ka hijet e veta, në fundin e zemrës së tij nuk pashë tjetër veç se shka bindë, tërhjekë e bân për vehte.

Në Luigjin gjeta njerín, hetova shqiptarin.

Cilsítë e rropamet e Shpirtit të tij i kam para sysh porsi idé, porsi symbol, por nuk vêhem t’ i përshkruej. Sferat e jetës së Luigjit, nuk ka pendë shqiptari qi i përfshin. I zoti ndër të zotët, i madhi ndër të mdhejt, i miri ndër mâ të mirët, Luigji qe i mbarë Shqipnís, i të gjithë Shqiptarëvet, por Shqipnija nuk qe për tê.

Të parën herë qi më rá t’ a njoh, ishem endè pa hym ndër valët e jetës.

Emzot Doçi, Pater Fishta e Luigji bisedojshin mbi problemin shqiptár. Unë, si i rí, rrijshem e ndigjojshem pa marrë pjesë në kuvend. Abati don me më bâ me folë, e thotë: Po ky frati i rí a merret me çashtjet shqiptare? A e don Shqipnín? Luigji, pa më njohtë pa më dijtë, si më pau ashtu të frikësuem e të turpnuem, mori fjalën për mue:

– Po, tha menjiherë, edhe ky e ka për zemër atdhén: edhe ky tash e jep kontributin e vet, por tash don të zâjë prej nesh. M’u bâ se m’u çel perdja: njohta optimistin e dashamirin e të rijvet. Mora zemër.

Shkuen vjetë e vjetë pá u pá mâ me tê. Kur, ja, e gjêj në Kuvendin e Françeskanëvet në Troshan, ku i skredituem e i luftuem me durimin e fatosit, në qetsí të plotë, pritëte të dyndeshin rêt’ e zeza të gojë-këqijvet, të ftofej pasjoni i anmiqvet, t’a ndiente Shkodra e Shqipnija nevojën e tij.

Nuk e mbaj mend shka folëm, por e dij se folëm gjatë, folëm me zemër në dorë, folëm si burrat me kulturë. Këtê veç mbajta mend, se ishem pjekë në nji njeri me ndiesí të nalta shpirtnore. Sikur nuk mjeroi kur Shkodra pa e njohtë e përbuzi, ashtu nuk iu rrit mendja kur Shkodra dhe mbarë Shqipnija brohoriti për tê.

Në nji odë, në nji tryezë me tê, me javë e muej bashkëpunuem në fletoren “Ora e Maleve”. Aty pash zotsín theorike e praktike, aty turret e enthuzjazmit dhe aftësín e përqendrimit, aty syperjoritetin e fisnikín e tij.

– Luigj, i thom nji ditë: Na me pendë e të tjerët me pushkë, na me fjalë e të tjerët me plumb, tash po na e dalin e na lanë në záll né me gjithë Shqipní!? E atëherë kush e pat e pat, e mjerë kush i han shpina dhé!

– Ani, tha, përzot’ a; le të na vrasin, se unë Shqipnín nuk due t’a ngrehi mbi gjaqe e intriga, por mbi idé dhe mbi ndijesí. Nuk kam marrë kurrnji shënim përmbi ato kohë vërté ideale, këtu vetëm due të përtrîj disa ndër kujtime të çmueshme qi shpirti i êm ruejti mbi ketë shqiptár vërté të jashtëzakonshëm.

***

ZGJEDHJET

Ishte koha e zgjedhjevet. Enthuzjazmi i ynë kishte shtî deri në popullin e ulët nji interesim të gjallë. Lufta elektorale vlonte, njimend e qetë dhe e organizueme, por me të tanë intensitetin e vet. Kurr Shkodra me rrethe nuk u gjet në nji lëvizje mâ ideale, mâ të madhe e mâ t’ organizueme. Ishte e para herë qi muhamedanë e katholikë të lidhun sinqerisht në njênën anë, e muhamedanë e katholikë në tjetrën anë, Opozitë e Popullore, luftojshin shoq me shoq si ndër vende të qytetnueme, jo me armë, por me fjalën e lirë e me propagandë. Na e kishim shpallë listën e deputetëvet.

I kishim bâ llogarít dhe me sigurí përfundojshin me fitim, deri në nji kandidat. Natën e zgjedhjevet kundërshtarët na çojnë fjalë për nji kompromis, po deshëm

t’a qesim atë deputet. Kjo punë veç nuk kishte si me u bâ pa nji dredhí, qi ishte trathtí. Qe kush tha se do bâ dredhija mbasi qellimi ishte i shêjtë.

Nguli kambë Luigji: – Kurrën e kurrës – tha – nuk e pranoj intrigën, me e dijtë se e bjerrim krejt çashtjen ndër zgjedhje! Qe i ndershëm e burrë në veshtrim të fjalës. Si ai…

Kishin shtî njerín m’e vrá. Merr vesht se kush âsht. E kërkon dhe e gjên natën tue këthye në shtëpí, vetëm për vetëm në rrugë. Të nesërmen me buzëqeshje dhe me nji qetësí të kandëshme shpirti më kallxon: – Pater Anton, e bâna duelin! Mbramë u ndesha me N. N., i dola para dhe me dorë në revolver i thashë: Në qofsh burrë, më vrà njitash, se sa për mbas gardhi qet pushkë edhe i dobti. – Po shka bâni? Shka të tha? Si u dave shëndosh? Kështu unë gëzueshëm, por turrshëm. – Uli fjalët – tha e më bâni bé e rrëfé se nuk do të më vritëte në kurrnji mënyrë. – Po ti? … – Shko, i thashë, se megjithëse mundem me të vrá, po të fali, jo për bé rrêjshëm qi po bân, por pse nuk âsht burrní për mue me shtîj në nji njerí të lig sikurse ty.

Luigji qe vërté trim, por trim i urtë e fisnik.

Njimend se nuk kishte të holla për të marrë njerí mbas vehtes, por nuk donte t’a marrë as kur me lëmoshë t’atyne qi e çmojshin dhe e dojshin, i a imponova gati përdhuni.

– Po pse, more Luigj, ti kështu po don me e marrë në qafë vehten dhe të gjithë ndjekësit e tú? – Pater Anton, më thonte me të gjitha ndiesít e zemrës, m’âsht mbushë mendja se e para pushkë nuk më mbytë, e sa për të dytën e shprazi vetë.

Mbasi e provoi njerín qi i dhashë rojë mbas vehtes, të tanë gëzim më tha:

– Pater Anton, me kësi burrash, po, mund t’a bâjmë Shqipnín!

Kur prekej në dellin e vet ishte enthuzjast i madh, u derdhte në nji optimizëm të çuditëshëm, gadi me thanë të tepruem.”

(Shënim nga F.R: Vazhdon Pjesa II “Grupi “Ora e Maleve dhe Demokracia”)

 

Melbourne,  2018