TRE TË PARËT…

SEJDI HYSENAJ nga Gashi i Gurit (Shumicë-Ahmataj), nip i “Dëshmorit të Kombit” Rexhep Ukë Hysenaj (1898-1931), veprimtar atdhetar i Komunitetit Shqiptar në Amerikë, i Federatës PanShqiptare “Vatra”, një ndër lobuesit e kontributorët në SHBA për Lirinë e Pavarësinë e Kosovës e Demokracinë në Shqipëri, i dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë z. Bujar NISHANI me dekoratë “Për Merita të Veçanta Civile” (Neë York, 2015), gjatë vizitës së tij në Tiranë, në një takim pune të përbashkët me kryeredaktorin e gazetës lokale e rajonale “Tropoja”, në Hotel Tirana International, më 8 tetor 2018 i dha gazetës “Tropoja” të vendlindjes së tij një donacion bujar në shumën 300 (treqind) USD (dollarë amerikanë).

 

ZEQIR LUSHAJ nga Gria e Krasniqes (Tropojë), i kullës së Selmanëve të Grisë, djali i pleqnarit e bujarit Sadik Selmani, autor i 12 librave të botuar (ku shumica e tyre me tematikë për Tropojën), gazetari i njohur shumëvjeçar i gazetës “Zëri i Rinisë”, veprimtar lartnor e drejtues i Shoqërisë Civile (KQBRPSH, FDSH, “Bashkimi Kombëtar Shqiptar”), shqiptaro-amerikan i rikthyer në Atdheun e tij e tashti me banim pensioner e jetnik gjallnor në Shëngjin të Lezhës, një nga gazetarët ma aktiv në faqet e gazetës lokale e rajonale “Tropoja” në të katër numrat e saj, është i pari lexues që e ka blerë gazetën “Tropoja”, numrin e parë të saj të 12 shtatorit 2018, qysh në ditën e parë të daljes së saj nga shtypi në Tiranë. Me porosi të tij, nipi i tij në Tiranë, erdhi dhe i tërhjeki 10 copë gazeta “Tropoja”, të cilat ia çoi te kulla e tij në Shëngjin.

LEKË VATNIKAJ nga Curraj i Epër i Nikaj-Mërturit të Tropojës, noter në Tiranë (në hyrje të Universitetit Bujqësor të Tiranës), ish antar i Këshillit të Qarkut të Tiranës, një nder nismëtarët, organizatorët e kontributorët për Rrugën nga Vrana në Curraj të Epër e tani drejt Qereshit, veprimtar i Shoqërisë Civile, një nga miqtë e gazetës lokale e rajonale “Tropoja”, i ka blerë rreth 200 (dyqind) copë gazeta “Tropoja” (nr. 2 – i tetorit e nr. 3 – i nëntorit 2018), nga të cilat një pjesë të madhe të tyre i ka shpërndarë “free” në Ditën e Perurimit të Rrugës për në Curraj të Epër, më 14 tetor 2018. Deri më tani e shenjon rekordin ma të lartë numerik të blerjes së gazetës lokale e rajonale “Tropoja”.

***

Këta të tre të Parët, siç e kanë emrin e mirë në jetë, ndër kohëra, e paçin dhe “kamben e mbarë” e me fat të mirë për gazetën e vendlindjes së tyre, për gazetën lokale e rajonale “Tropoja”!

Ju faleminderit të treve, miq të nderuar të gazetës tonë të përbashkët “Tropoja” e burra të nderuar të vendlindjes tonë, Malësisë së Gjakovës- Tropojës, të Qarkut të Kukësit, të Rrafshit të Dukagjinit!

Ramiz LUSHAJ

                                            

Kryeredaktor i gazetës të përmuajshme lokale e rajonale “Tropoja”

 

Dardani, 16 nëntor 2018