BE: Shqipëria të thellojë ritmin aktual të reformave

Bashkimi Europian përsëriti, në përfundim të Takimit të Dhjetë të Këshillit të Stabilizimit dhe Asocimit (KSA) me Shqipërinë “nevojën kritike që ajo të ruajë dhe të thellojë ritmin aktual të reformave, të konsolidojë më tej progresin e bërë në reformën gjyqësore, në veçanti përmes procesit të vetting-ut, dhe të shënojë rezultate të tjera të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht kundër kultivimit dhe trafikimit të drogave, duke pasuruar rezultatet pozitive që janë arritur në luftën kundër kultivimit të kanabisit gjatë kësaj periudhe”.

Në përfundimet e takimit Bashkimi Europian, “përshëndeti operacionet e mëdha të kohëve të fundit në luftën kundër krimit të organizuar të kryera nga Policia e Shtetit shqiptar dhe theksoi se është thelbësore të forcohen përpjekjet për konfiskimin e aseteve kriminale si dhe të garantohet ndjekja e duhur gjyqësore e operacioneve të suksesshme të zbatimit të ligjit”.

Nga ana e tij delegacioni shqiptar i cili kryesohej nga ministri shqiptar për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ka ritheksuar, sipas deklaratës së përbashët, “angazhimin e fortë për të vazhduar arritjen e rezultateve konkrete në agjendën e reformave dhe në veçanti për çështjet që lidhen me shtrirjen e sundimit të ligjit. Ai theksoi se rezultatet e arritura nga Shqipëria në fushën e sundimit të ligjit përbëjnë një bazë solide për avancimin e mëtejshëm të integrimit në BE, pasi ato krijojnë terrenin për punën e mëtejshme që do të kryhet në kuadër të negociatave mbi kapitujt 23 dhe 24”.

Deklarata ndalet dhe te rëndësia e dialogut politik, veçanërisht në një moment tensionesh mes shumicës dhe opozitës, e kur kjo e fundit prej kohësh nuk merr pjesë në punimet e parlamentit dhe komisionet e tij parlamentare. “BE-ja ritheksoi se dialogu konstruktiv ndërpartiak dhe bashkëpunimi në parlamentin e Shqipërisë janë thelbësorë për përparimin e mëtejshëm të reformave dhe për qëndrueshmërinë e përgjithshme të angazhimit në procesin e integrimit në BE. Në këtë kontekst – vijon deklarata – BE-ja theksoi rëndësinë e ndjekjes në mënyrë të vazhdueshme të dialogut gjithëpërfshirës politik, ndërkohë që avancohet puna teknike në të gjitha komisionet relevante parlamentare, përfshirë atë në Komitetin ad hoc për reformën zgjedhore”. Në deklaratë, BE-ja ndalet dhe në ngërçin që ka bllokuar pranimet e reja në Shkollën e Magjistraturës, ndërsa “nënvizoi nevojën që të gjitha palët të gjejnë konsensusin e nevojshëm për të ndryshuar ligjin mbi statusin e gjyqtarëve, i cili do të mundësojë rekrutimin e një numri më të madh kandidaturash të reja për gjyqtarë”.

Sërish Shqipëria është vlerësuar për rolin e saj “konstruktiv” në rajonin e Ballkanit si dhe “vazhdimin e linjëzimit të plotë të saj me qëndrimet dhe deklaratat e BE-së në kuadër të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë”.

Momentet kryesore të deklaratës së përbashkët, ishin në qendër dhe të qëndrimit të mbajtur pas takimit nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë Federica Mogherini. Ajo u shpreh se “vlerësuam autoritetet shqiptare – dhe shoqërinë më gjerësisht – për arritjet e vitit të kaluar, veçanërisht për të gjithë punën e vendosur që vendi po ndërmerr për reformën e saj të paprecedent dhe shumë të vlerësuar të gjyqësorit”. Zonja Mogherini theksoi se “kjo punë tashmë po sjell rezultate dhe po konsolidon sundimin e ligjit në Shqipëri. Ekzistojnë pritshmëri të mëdha nga ky proces, sidomos ai i rivlerësimit, dhe ne do të vazhdojmë, si Bashkimi Evropian, t’ju shoqërojmë në kompletimin e kësaj pune siç kemi bërë që nga fillimi i këtij procesi mbresëlënës”. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së ju referua dhe dënimeve të dhëna të martën nga Gjykata e Krimeve të Rënda për “Grupin Shullazi”, kur tha se “dënimet e ashpra të burgut për anëtarët e një organizate të rëndësishme kriminale nga Gjykata e Krimeve të Rënda dje janë një shenjë vitale e vendosmërisë për të siguruar një rekord solid në rrugën e krimit të organizuar”.