SHPIFJET NDAJ MAJOR AHMET ALISHANIT NUK I HAN PAZARI I SOTËM E NUK ZENË VEND TEK SHQIPTARËT KOMBËTARË

Nga Hilmi GASHI- Veteran i Luftës së Kosovës

-Reagim ndaj shkrimit të Z. Rugova Berisha në portale, i lëshuar më 13.04.2018 –

            I nderuari z. Rugova Berisha, shkrimi juaj, që doli në portale e rrjete sociale rreth vrasjes së Ministrit të Mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqi, jo vetëm që dëmton e pengon zbardhjen e plotë të vrasjes, procesin hetimor që sapo ka filluar, por dhe, kësisoj, ka qëllim në tentimin e njollosjen e figurave të larta profesionale ushtarake, të cilat kanë dhënë kontributin e tyre maksimal në çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serbo-sllav, qyshse nga vitet  ’90 e deri më sot.

Një ndër oficerët e kalibrit të lartë ushtarak te cilin, përmes shkrimit tuaj, keqtenton për ta njollosë, është major Ahmet Alishani.

Sa për dijeninë tuaj e të ndokujt tjetër, i nderuari zotëri, ju them se z. Ahmet Alishani është një ndër Oficerët e karierës, i cili për çlirimin e Kosovës është angazhuar qysh nga vitet e 90-ta, në kuadër të Këshillit të Mbrojtjes Kombëtare (KMK) i udhëhequr nga i madhi atdhetari lider, filozof e martir kombëtar, Ukshin Hoti. Gjithashtu, pastaj, z. Alishani u angazhua në Ministrinë e Mbrojtjes, prej nga themelimi i saj, udhëhequr nga kolonel Ahmet Krasniqi gjer në qershor ‘99.

Gjatë gjithë kohës së angazhimit të major Alishanit, si në KMK, ashtu dhe në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, ai ka qënë i mirëpritur, shumë i besuar dhe i respektuar nga të gjithë eprorët – si ata aktiv dhe ata rezervë, por edhe nga ushtarët e asaj kohe, si dhe nga të gjithë ata shqiptarë që kanë pasë rastin e mirë ta takojnë dhe të kenë bashkëpunim me këtë ushtarak të Luftës së Kosovës.

Nga profesioni, ngritja dhe përgjegjësia që z. Alishani ka pasë në Ministrinë Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, i ka rastisë puna të takoj gjeneralë, politikanë, profesorë, akademikë, ushtarë, doktorë, gazetarë, qytetarë të ndryshëm, të cilët gjithnjë e gjithmonë kanë dalë të kënaqur prej tij me sjelljen njerëzore dhe me pregaditjen e tij profesionale ushtarake.

Ndoshta mund të jetë dhe pregaditja e tij e lartë profesionale, gjindshmëria e tij e cdokohshme, trimëria e tij në çdo rast e rrethanë, të treguara e dëshmuara nga major Ahmet Alishani, që ende të ketë ndonjë keqdashës e deri injorant, të cilët për fat të keq kanë pas zili ekstreme ndaj tij gjatë e pas Luftës së Kosovës.

Ju, i nderuari Rugova Berisha, qënkeni me profesion gazetar, i ri dhe me perspektivë, ndaj dua t’iu them se njeriu i pregaditur e misionar i shtypit nuk merret me shpifje e fjalë që në këtë shekull nuk kanë e s’duhet të kenë vend në Fjalorin e Gjuhës Shqipe dhe të Shqiptarëve.

Në përmbyllje, mbetem me respekt ndaj jush dhe me shpresën se ju do të merreni me profesionin tuaj dhe jo me të tilla fjalë e shpifje që sot “si hanë pazari” e lere ma të zenë vend tek shqiptarët kombëtarë e të qytetëruar të shek. XXI euro-atlantik.