-Pjesë nga Fjala Përshendetëse e z. Gjevalin Gjeloshaj – administrator i Njësisë Administrative Nikaj-Mërtur të Tropojës, mbajtur në Ditën e Perurimit të Rrugës për në Curraj Epër-
Sot, kjo ditë fatlume, e ndritur e historike, do të hyjë në analet e historisë si Dita e Rrugës për Currajt e Epër! Dhuratë prej burrave të këtij djepi madhështor, bekuar nga i madhi Zot!
Në këtë ditë të veçantë për Currajt e Epër e Nikaj-Mërturin, më lejoni të ndaj me ju emocionet dhe kënaqësinë që ndiej për këtë nderim të madh që i bëhet krahinës tonë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, Zoti Ilir Meta, i cili na nderon sot me praninë e Tij.
Kjo ditë e shejtënueme Tetori, është realizimi i një ëndrre të projektuar ndër shekuj, i një premtimi që ju dhamë në vitin 2015, sot bërë realitet. Makinat hipën në Qafë Mrrethit dhe zbritën në logun e Kishës, bash në zemër të Currajve T’Epër, këtij djepi legjendar lavdie, origjina e plakut të maleve – Heroit të Popullit Bajram Curri, vendlindja e trimave e burrave që i bënë nder Nikaj-Merturit, Malësisë së Gjakovës e Kombit Shqiptar, si Balec Gjoni, Kukel Ndou, Gjelosh Rama, Mark Elezi, Syl Avdia, Pal Nika etj etj, e deri te Kryekomisari Nikollë Vatnikaj, breza të tanë, atdhetarë e patriotë të shquar – intelektual të spikatun.
Kjo vepër madhështore, u realizua në sajë të vullneteve shpirtnore të bashkuara, sikur motivet në beteja, fjala-fjalë e besa-besë e burrave të Currajve si: Mhill Gecaj, Lek Vatnikaj, Gjergj Prebibaj, Agron Qokaj, Ndue Vatnikaj, Ndue Perpepaj, Mhill e Gasper Prebibaj dhe në veçanti Skënder Perpepaj që është sposponsorizuesi kryesor i ndertimit të kësaj vepre madhështore e shumë të tjerë fisnikë e bujarë, që i bënë dhuratë këtë stoli, trojeve të shtrëjta, çuan përpara amanetin e të parëve, për të menduar, punuar e realizuar vepra që të lulëzojnë e të përparojnë këto votra të bekuera, stolisur nga dora e Perëndisë, trashëgimi e juaja shekullore.
Falënderojmë nga zemra të gjithë ata që e ideuan, morën vendimin, kontribuan finaciarisht, dhe zbatuan këtë projekt pikërisht në vitin madhor jubilar të 550 vjetorit të ngjitjes në Parajsë, pranë Fronit të Perëndisë, Kryeheroit të Kombit, Gjergj Kastriotit -Skënderbeut.
Në emër të Nikaj- Merturasve kudo që ndodhen, falenderojmë Kryetarin e Bashkisë Zotin Besnik Dushaj, për mbështetjen e vazhdueshme e të pakursyer në të gjithë transformimet që po përjeton krahina jonë dhe katundi Curraj Epër.
Motra e vllezër, miq e dashamirë – ju sot erdhët në Sofrën bujare të Currajve Epër si dasmorë, e nusja jonë e bukur e ka emnin RRUGA E MAKINËS CURRAJ EPËR, prologu i një zhvillimi e transformimi historik, patriotik, atdhetar e kulturor. Shpresojmë se 100 kullat sot, në të ardhmen të bëhen 200 kulla mikpritëse turistike, e ky katund i lavdisë Eposit Kreshnikëve, të jetë muzeu i së ardhmes, bijtë e bijat e kësaj treve madhështore të kthehen në troje, t`i japin jetë biznesit familjar-turistik, dimër e verë, me këto bukuri të pashoqe në Shqipëri, rajon e në Europë.
E gëzofshim rrugën e re!
Rrofshin trojet tona me burra e gra, djemë e çika, nipër e mbesa!
Lulëzoftë e përparoftë Curraj Epër, kjo vatër heroizmi, legjende dhe Eposi Historik e Kulturor!
Lavdi Nikaj- Merturit, Kombit Shqiptar, jetës dhe veprës madhështore të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skenderbeu!
Faleminderit, e Zoti u bekoftë o dasmorë të cilivizimit, të përparimit, të ngulmimit këtu, në trojet e të parëve!
____________
Administratori i Nikaj-Merturit, Gjovalin Gjeloshaj, Atleti i palodhur, Krenari për Malësinë e Mirë.Pinjolli i familjes së racës së fortë shqiptare, i gjenezës së shkëlqyer, është krenari për Nikaj-Merturin kur të drejton qëndrestari, i palodhuri, besniku i të gjithëve, bashkëpunues e fjalëmbajtja, vyrtuti që e rrit burrin e pushtetarin. Ky është Gjovalin Gjeloshaj me të cilin je krenar po ta kesh shok, mik e drejtuesi më bashkëqytetarë. Krenarari me Ju Gjovi! – portretizon Agron Prebibaj nga Curraj Epër, nga vendi i Eposit të Kreshnikëve e Mrekulli e Alpeve Shqiptare.