BE i kërkon Qeverisë së Kosovës që t’i heqë detyrimet doganore

Bashkimi Evropian pret nga autoritetet në Kosovë që të ndërmarrin hapa drejt vazhdimit të dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Kështu deklaruan për Radion Evropa e Lirë zyrtarët në Bruksel, pas paralajmërimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se nuk do të takohet me homologun kosovar, Hashim Thaçi, derisa të jetë në fuqi taksa që u ka vënë Kosova importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Kjo thuhet të ketë qenë edhe tema kryesore e takimit të dy presidentëve, të enjten në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Zëdhënësja e Mogherinit, Maja Kocijançiq, tha se masa që ka ndërmarrë Kosova ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjës minon bashkëpunimin rajonal dhe “nuk është në përputhje me parimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”.

“E kemi bërë të qartë se vendimi i Qeverisë së Kosovës është shkelje e detyrimeve të Kosovës që dalin nga CEFTA (Marrëveshja për Tregti të Lirë midis vendeve të Evropës Qendrore). Ne qartë presim që Kosova ta tërheqë këtë masë”, tha Kocijançiq.

Të martën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për vendosjen e taksës doganore mbi mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Kjo masë nënkupton taksën prej 10% në të gjitha importet me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja.