Tërheqja e Austrisë nga pakti i OKB-së për migracionin ka shkaktuar reagime dhe kritika ndërkombëtare. Edhe qeveria gjermane nuk e mirëpret këtë hap, por partia populiste AfD ndjehet e konfirmuar.
Prioritet sovraniteti
Pas SHBA-së, Australisë, Hungarisë tani edhe Austria i ktheu kurrizin paktit të OKB-së për migrimin. Koalicioni konservator i ÖVP-së dhe FPÖ-së u shpreh se nuk do ta nënshkruajë paktin. Vendimi është i rëndësishëm për të ruajtur sovranitetin kombëtar, u shpreh, kancelari austriak, Sebastian Kurz. Marrëveshjen e kemi parë me vëmendje dhe “disa pika ne i refuzojmë, sepse përziejnë migrimin me azilin”, tha Kurz. Lëvdata për këtë vendim të Austrisë vijnë nga partia e ekstremit të djathtë, AfD në Gjermani. “Kush hyn në të ardhmen në Austri e vendosin vetë austriakët”, u shpreh kreu i partisë AfD, Jörg Meuthen.
Pakti i OKB-së për migracionin, pakti i parë i inicuar nga OKB si “pakt botëror për migracion të rregulluar, të kontrolluar e të sigurtë” do të duhet të miratohet në një konferencë ndërkombëtare në Marok në dhjetor. Ai përmban udhëzime orientuese dhe 20 masa konkrete, zbatimi i të cilave nuk është detyrues. Bëhet fjalë për një bashkëpunim më të mirë ndërkombëtar për të përmirësuar politikën e migracionit dhe standartet në mënyrën e veprimit me refugjatët./ la((afp, dpa, rtr)