Administrata Trump njoftohet se po shqyrton një urdhër të ri ekzekutiv që ka për qëllim bllokimin e azil kërkuesve dhe emigrantëve që kalojnë kufirin SHBA-Meksikë, ndërsa një karvan i migrantëve vazhdon rrugëtimin përmes Meksikës.
Burimet e lajmeve citojnë zyrtarë të administratës pa emër të thonë se autoritetet po shqyrtojnë një sërë veprimesh administrative dhe ligjore në bazë të sigurisë kombëtare për të kufizuar aftësinë e emigrantëve për të kërkuar azil.
Megjithëse asnjë vendim nuk është marrë ende, avokatë të emigracionit i thanë Zërit të Amerikës se masa do të sfidohej shpejt në gjykatë.
Disa njoftime kanë sugjeruar se po shqyrtohet një mbyllje e plotë e kufirit, por analistët e konsiderojnë një veprim të tillë politikisht të pamundur për shkak të miliarda dollarëve në tregti mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.
Në vend të kësaj, administrata ka gjasa të synojë një veprim më të ngushtë, duke vënë në shënjestër azil kërkuesit të cilët arrijnë në Shtetet e Bashkuara pa kaluar nëpër pikat e rregullta kufitare.
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kirsten Nielsen u tha gazetarëve të premten në Kaliforni se “gjithçka është në tryezë”, pasi administrate po konsideron masa të reja për të ndaluar imigracionin e paligjshëm.