Veshjet, shqiptarët “nuk kursejnë” për fëmijët

Me gjithë problemet që shoqëruan shoqërinë shqiptare vitin e shkuar, si dhe pasigurinë që u ushqye nga një vit elektoral, shqiptarët duket se nuk kanë kursyer për fëmijët e tyre. Të dhënat nga operatorë të tregtimit të veshjeve të fëmijëve konfirmojnë se shitjet kanë shënuar rritje gjatë vitit 2017, në vlerat 20-30%.
Aktorët e tregut tregojnë për një tendencë të mamave shqiptare për të blerë veshje cilësore e marka, ndërsa ekspertë të çështjeve psikologjike citojnë rrjetet sociale si një ndër faktorët ndikues. Mania “për t’u dukur” së bashku me rritjen e numrit të familjeve me vetëm një fëmijë, kanë ndikuar në shpenzime më të larta në të gjithë gamën e të vegjëlve…

Nga Deada Hyka

Fëmijët njihen për dëshirën e tyre për të luajtur dhe më pak për “dashuri” ndaj modës, siç mund të jetë një fustan Gucci 865 dollarë apo sandale Fendi 400 dollarë. E megjithatë, të dyja këto marka ofrojnë veshje për fëmijë nga 0-3 muaj, si dhe koleksionet e plota që drejtojnë gamën e sektorit të fëmijëve. Në fakt, për çdo markë luksoze në vitin 2017 ka një linjë të veshjes dhe aksesorëve edhe për fëmijë, madje nën 12 muaj.

I njëjti trend duket se ka ardhur edhe në Shqipëri, ndërsa aktorët kryesorë në treg raportojnë për një rritje të shitjeve të veshjeve dhe aksesorëve për fëmijë vitet e fundit, edhe për moshat e vogla. Shpeshherë, sipas tyre, blerjet bëhen pa “kriter’, edhe duke mos pasur nevoja bazike. Kjo mani mund të jetë në favor të zinxhirit të retail për fëmijë, duke i bërë këta të fundit të jetojnë ditë të mira biznesi. Sipas tyre, prindërit shpenzojnë më shumë për veshjen e fëmijëve sesa për veten. Ardhja në jetë e një fëmije zgjon interes më të madh të prindërve për të blerë artikuj cilësorë. Madje, kur bëhet fjalë për fëmijën e parë, klientët shqiptarë shpenzojnë shumë.

“Kur shkoj fillimisht në dyqan, në fillim blej për fëmijët e mi, pastaj për veten”- tregon Juliana, një 40-vjeçare nga Tirana. E njëjta psikologji sjellje konfirmohet nga shumë nëna, të cilat priren të shpenzojnë më tepër për fëmijët, se sa për veten apo bashkëshortin.
Sipas të dhënave të Fashion Group Albania, vitin e shkuar janë rritur shitjet në sektorin e fëmijëve. Sipas tyre, dyqanet për fëmijë të këtij grupi kanë pasur ecuri më të mirë se sa ato për të rritur. “Nga klientët kuptojmë se, përgjithësisht, shpenzimet më të mëdha bëhen për fëmijët, duke lënë mënjanë nevojat e tyre në veshje, për të gjitha markat pjesë të grupit”- tregojnë përfaqësuesit e Fashion Group.

Sipas tyre, Okaidi, Prenatal, Terranova dhe Geox, që ka edhe këpucë për fëmijë, shitjet janë rritur mesatarisht 20% krahasuar një vit më parë. Përfaqësuesit e grupit tregojnë se për secilin nga dyqanet, mesatarisht kanë pasur 2947 vizitorë në muaj në total vitin e shkuar.
“Mendojmë se arsyeja kryesore e rritjes është larmia e madhe në artikuj, që përbën avantazh, por edhe për faktin se shqiptarët shpenzojnë më shumë për fëmijët”, pohojnë ata për “Monitor”.

Ndërsa menaxherja e rrjetit italian Chicco Albania, Eva Demirlika, tregon për “Monitor” se vitin e shkuar kanë pasur një ndryshim 15-20% më shumë të shitjeve. Sipas saj, shqiptarët shpenzojnë shumë për fëmijët, duke vëzhguar tendencat e 10 viteve të fundit.
“Produktet më të shitura tek ne janë ato që ne i cilësojmë si të domosdoshme, kryesisht në fushën e ushqimit si biberonët dhe kozmetika që përdoret për fëmijët, nga 0-3 vjeç. Megjithatë, veshjet janë një kategori po aq e kërkuar. Për të gjitha grupmoshat, nga 0-6 vjeç. Madje mund t’ju pohoj se edhe për fëmijët 0-6 muajsh, pra moshën më të vogël blihet shumë”, – tregon znj. Demirlika.

Sipas saj, në kategorinë e produkteve për fëmijë të cilësuara si të domosdoshme, përfshihen edhe karrocat, për të cilat sërish shqiptarët nuk kursehen. “Kur vjen fjala për një set karroce të mirë, prindërit thuajse nuk kursehen. Blejnë deri në 1.5 milionë lekë një të tillë. Megjithatë, duhet theksuar se kategoria e prindërve që nuk arrijnë që të bëjnë blerje të vlerave të mëdha, presin për uljet sezonale që bëhen në dyqanet tona”, – tregon menaxherja e Chicco Albania.

Përfaqësuesit e Fashion Group pohojnë se sipas statistikave, shpenzimet më të larta janë kryesisht në gjysmën e dytë të vitit. “Prindërit shqiptarë janë më të orientuar drejt artikujve bazë dhe veshjeve praktike për fëmijët dhe pikërisht këta janë edhe artikujt më të shitur. Megjithatë nuk mungojnë edhe të tjera kërkesa për veshje më luksoze”,- tregojnë ata. Sipas tyre, për grupmoshën 3 muaj deri në 2 vjeç blihet më tepër se për kategoritë e tjera, që përkon çuditërisht edhe me moshën që veshjet përdoren më pak. Ata tregojnë edhe se blerësit kryesorë janë nënat e reja.

Ndikimi i rrjeteve sociale

Gjithnjë e më shumë, moda e fëmijëve ka një vend në rrjetet sociale. Ndërsa gjeneratat e kaluara nuk mund të përkujtojnë ngjarjet kryesore të fëmijëve të tyre, për brezin e Facebook dhe Instagram, kjo është shumë e lehtë.

Ideja e veshjes së fëmijëve me rroba të shumëllojshme për t’i treguar ato në publik është mjaft e zakonshme tani. Psikologia Arjana Muçaj tregon për “Monitor” se kjo sjellje, kryesisht e nënave të reja, ushqehet nga tendencat botërore dhe nga të jetuarit shumë ngushtë me teknologjinë. Por kjo, sipas saj, vjen me disa kosto.

“Njerëzit e duan lidhjen shoqërore dhe ndoshta, duke marrë disa ‘like’ duket si shenjë shpërblimi në mendjen tonë, është ajo pjesa që i bën rrjetet sociale që të kenë një ndikim kaq të madh dhe njëkohësisht që të lidh me to. Prindërit shqiptarë duhet të jenë të vetëdijshëm për veprimet që bëjnë lidhur me ekspozimin e fëmijëve pa kriter. Fëmija në vetvete nuk e kontrollon praninë e tij në rrjetet sociale, as nuk e sheh çfarë veshje të bukur ke nxjerrë në foto. Unë e shoh me problematikë diferencën e kohës së përkohshme të aprovimit të internetit dhe aftësinë e fëmijës suaj për të dhuruar ato çastet e lumtura”,- tregon dr. Arjana Muçaj.

Model i ri, influencuesit

Për shumicën e fëmijëve, mosha 5-vjeçare është mosha e lojërave, përrallave, llastimeve dhe dëshirave. Por, për Laertën nga Durrësi nuk është kështu. Laerta ka thuajse 1 milion ndjekës në Instagram, figura e së cilës tashmë është bërë e njohur nga shumë.

“Profili menaxhohet nga e ëma” shkruhet në faqen e saj, fotot në të cilën nuk arrihet të numërohen. Për Laertën, moda është një mënyrë jetese e fituar herët, që në vogëli, një sjellje e përditshme që vihet re me postimet në Instagram, veshje nga më të ndryshmet, të cilat përbëjnë modë, një tendencë që tashmë ka nisur të përqaset dhe nga ndjekëset e modës më të mëdha se ajo. Por jo vetëm Laerta i imiton idhujt e saj në veshje, tashmë edhe ata kanë nisur ta kopjojnë atë. Shumë moderatore dhe figura të njohura të modës, si jashtë dhe brenda vendit, ndjekin stilin e saj.

Aparati fotografik është po aq i dashur sa një kukull Barbi për të, po ashtu edhe veshjet. Por, ky model i ri nuk ‘u shpik’ nga mamaja e Laertës, ai ka vite që qarkullon në botë dhe konsiderohet si një formë marketingu i mirëfilltë, sipas të cilit fëmija i quajtur ‘influencues’, ekspozon veshjet nga markat më të mira, për të cilat paguhet.
Këta fëmijë janë shndërruar në një model të mirëfilltë të ndikimit te nënat e tjera, apo fëmijët, të cilët priren t’i ngjasojnë modeleve të ofruara. Sipas ekspertëve, influencuesit luajnë rol të rëndësishëm në rritjen e shitjeve të produkteve të retail.

Më pak fëmijë, më shumë shpenzime

Prindërit sot priren të kenë më pak fëmijë dhe në një moshë më të vonë në jetë, në një kohë kur shumë prej tyre kanë të ardhura më të larta, për të shpenzuar në veshjet për fëmijët e tyre, ose për blerje të markave më të shtrenjta.
Sipas shifrave të INSTAT, në vitin 2017 në Shqipëri, kanë lindur 30.869 foshnje, duke shënuar një rënie me 2,7%, krahasuar me 2016. Dhe nga ana tjetër, është ulur edhe indeksi i fertilitetit. Dikur vendi ynë ka qenë i pari në Europë për numrin mesatar të lindjeve, me 7 fëmijë për një grua, aktualisht shifra ka zbritur në mënyrë drastike në 1.6.

Ky ndryshim, në strukturën e familjes, i ka dhënë më tepër mundësi prindërve të shtojnë shpenzimet për veshje e aksesorë. Tani, shihen gjithnjë e më shumë familje me vetëm një fëmijë, ndryshim i cili ishte i paimagjinueshëm disa vite më parë.
“Rritja e kostove të jetesës, përfshirja e grave më tepër në tregun e punës, sfidat e rritjes së fëmijëve në kushtet e familjeve bërthamë të ndara nga ajo e madhe janë vetëm disa nga arsyet që i çojnë prindërit shqiptarë të kenë vetëm një fëmijë”, – tregon për “Monitor”, dr. Arjana Muçaj, psikologe. Ndërsa sipas aktorëve të tregut të shitjeve të produkteve për fëmijë, ky ndryshim në strukturën e familjes shoqërohet me rritjen e shitjeve për fëmijët.

Uljet

Ashtu si dhe në gamën tjetër të veshjeve, edhe ato për fëmijë, fluksin më të madh të shitjeve e kanë gjatë periudhës së uljes së çmimeve. Por për tregtarët e këtij grupi është fakt se blerjet e veshjeve të fëmijëve janë në nivele të larta gjatë gjithë vitit, kjo sepse nevojat e tyre janë më emergjente se ato të të rriturve, për shkak të ndryshimeve të shpeshta në fizik.
“Shqiptarët blejnë shumë në sezone uljesh, sidomos për fëmijët. Blejnë edhe masat më të mëdha për to, për t’i veshur në një moment të dytë”- tregon Eva nga Chicco.

Festat “ushqejnë” blerjet

Ditëlindjet, festat familjare, fillimi i shkollës etj., janë të gjitha ditë të shënuara që ndikojnë në rritjen e mundësitë e blerjeve.
“Për fëmijët ka kërkesa edhe për dhurata në artikuj të veçantë festivë të cilat janë në periudha festash. Në raste festash, kërkesat më të mëdha janë për veshje ceremoniale”, tregojnë për “Monitor” përfaqësuesit e Fashion Group.
Nga ana tjetër, menaxherja e Chicco-s tregon se dhuratat janë një arsyet kryesore e rritjes së shitjeve të produkteve për fëmijë. “Ndërsa jo të gjithë mund t’u blejnë fëmijëve shpesh veshje e këpucë, për një rast të caktuar gjyshja, shoqja e ngushtë, motra apo një kolege e afërt i blejnë artikuj edhe më të shtrenjtë se ato të përditshme për fëmijët”,- tregon ajo.

Tregu global i veshjeve për fëmijë

Përforcuar nga “infiltrimi i modës në veshjet e fëmijëve”, tregu global i veshjeve të fëmijëve rriti shitjet prej 135.6 miliardë eurosh në 2015, nga 122.1 miliardë euro në 2010, sipas Bernadette Kissane, një analist në Euromonitor. Dhe ndërsa veshjet e fëmijëve përbëjnë vetëm 12% të tregut të përgjithshëm të veshjeve, në pesë vitet e fundit, rritja e veshjeve të fëmijëve ka kapërcyer atë të veshjeve të meshkujve dhe të femrave. Në vitin 2015, shitjet e fëmijëve u rritën me 6%, ndërsa tregjet e veshjeve të burrave dhe grave u rritën me 4%.

Globalisht, tregu i veshjeve të fëmijëve po tejkalon si veshjet e femrave, ashtu edhe veshjet e meshkujve, duke u rritur 5% në vlerat aktuale në 2016, në 203.4 miliardë dollarë, sipas Euromonitor. Veshjet për fëmijë është vetëm një pjesë e vogël e industrisë së përgjithshme prej 5.89 miliardë dollarë, por Euromonitor e cilëson zgjerimin e këtij tregu si trend që mund të rritet.