(Ajo u shpall “Anëtare Nderi”, e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë)
Nga: ADNAN MEHMETI
Nga e majta:A.Mehmeti e C.Hooper (Nju Jork)
Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro –Amerikanë,para disa ditësh, në mjerdiset e Monroe College, të Nju Jorkut, me mbështetjen dhe bashkëpunimin e poetëve, shkrimtarëve, artistëve, gazetarëve, pedagogëve, dashamirës të artit e letërsisë, si dhe me angazhimin dhe përkrahjen e Haxhi Berishës, profesor në këtë Kolegj, përuruan vëllimin poetik bilingual, “Piktura në fjalë”, të poetes së talentuar e të mirënjohur, të profesoreshës dhe poliglotes amerikane, shqipfolëses, Carrie Hooper.
Ndryshe nga takimet e shumta, gjatë këtyre viteve, kësaj here, kjo Shoqatë i zgjeroi hapësirat e saj, pasi përzgjodhi një poete amerikane, duke marrë përsipër, gjithashtu, botimin e librit të saj, në Shtëpinë Botuese “Buzuku” të Prishtinës.
Salla ishte përgatitur për përurimin e këtij libri, në ballë të të cilës ishte shkruar: SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË – MIRË SE VINI, POETË DHE SHKRIMTARË TË DASHU!. Gjithashtu, ishte vendosur edhe stema e Shoqatës dhe Pema e saj e njohur, ku janë përmbledhur të gjithë shkrimtarët shqiptaro-amerikanë. Ky takim ishte mbresëlënës, miqtë e librit diskutonin me respekt e dashuri për librin, për njëri-tjetrin. Pritej me padurim mysafirja amerikane. Arritja dhe hyrja e saj në sallë u prit me duartrokitje. Ajo shoqërohej nga anëtarët e Shoqatës së shkrimtarëve, që vinin nga Nju Xhersi, Bexhet Asani, me zonjën e tij, Afërditën dhe këngëtaren e mirënjohur në komunitet, Sebahate Berlajolli dhe Sabije Veseli, kryetare e shoqates se Femrave shqiptaro-amerikane “Marigona”, ku kishte kaluar natën poetja amerikane. Carrie Hooper jeton në qytetin Elmira, që ndodhet në pjesën jugore të shtetit të Nju Jorkut, afër kufirit me shtetin e Pensilvanisë. Për të ardhur në këtë përurim libri, udhëtoi mbi pesë orë me autobus. Të gjithë, të emocionuar dhe me shumë respekt, shkonim për të takuar dhe për t’u paraqitur para saj, meqë ajo është e verbër.
Përurimin e librit poetik të Carrie Hooper e udhëhoqi poeti Mëhill Velaj.Fillimisht, ai bëri një paraqitje të shkurtër shkrimtares amerikane.
Programin e hapi presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Adnan Mehmeti, i cili ndër të tjera tha: “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë organizon këtë audience, me poeten amerikane Carrie Hooper, për të krijuar ura afrimi, bashkimi dhe bashkëpunimi, si dhe ka të bëjë me njohjen e një poeteje të huaj, me lidhjen tonë dhe me lexuesit. Në këta 17 vjet të Shoqatës së Shkrimtarëve, kemi organizuar shumë takime dhe përurim librash. Por ky i sotmi është më ndryshe, sepse kemi para nesh një poete amerikane, e cila për fatin e mirë të shqiptarëve, flet dhe shkruan në gjuhën shqipe”. Më tej, shtoi: “Në shtetin e Nju Jorkut jeton dhe krijon profesoresha amerikane, Carrie Hooper, njohëse e disa gjuhëve të huaja, poete e mbushur me frymëzim. Një grua idealiste dhe besimtare e devotshme, e cila, e magjepsur nga gjuha e bukur shqipe, nga historia e lashtë dhe e lavdishme e popullit shqiptar, lexon çdo gjë që lidhet me gjuhën shqipe dhe me shqiptarët, dhe, në këtë rast me bashkësinë shqiptare, që jeton në Amerikë dhe më gjerë. Është një histori tejet interesante. E bukur dhe magjepse. Një histori e mbushur me episode nga më të ndryshmet, që ka të bëjë me dashurinë për gjuhën shqipe dhe shqiptarët, kryesisht me botën shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Profesoresha ka vite që është bërë një personazh i njohur për lexuesit, e cila gjithmonë vinte përmes ndonjë interviste ose shkrimi. Librin e saj, që po e sjellim për lexuesit, mund ta quajmë me plot të drejtë një ‘lulemëngjesi’ në poezinë shqipe”.
Ndërkaq, Dr. Yllka Filipi, në vështrimin e saj me titull, “Përndritjet hyjnore në vargjet e Carrie Hooper”, në mes tjerash sheksoi: “Ky zgjim, si nga një ëndërr e mundimshme, më bëri të dridhem! Lexoj: Piktura në fjalë! Poetesha njujorkeze Carrie Hooper me vëllimin poetik “VORD PAINTINGS” i këndon Atdheut Tim, Atdheut Tonë, me pasion, dashuri dhe adhurim, duke e ngritur deri në piedestal! Përtej dimensionit tokësor, ajo shpalos, në faqe të panumërta dimensionin shpirtëror i cili fluturon i lirë në qiellin shqiptar dhe rezonon dashuri për Shqipërinë, dashuri për heronjtë tanë, dashuri dhe krenari për shqiptarin e thjeshtë, traditën, kulturën. “Jam nga Shqipëria”- tha studenti im… – zanafilla e ka pikënisjen këtu: Ky emër rrufeshëm shndërrohet në perceptimin tim, si një Muzë e patriotizmit, e dashurisë për Shqipërinë! A ishte kjo një shenjë hyjnore? A ishte kjo rruga? Shkaku? Zanafilla e dashurisë për një komb të panjohur, dashuria me dëgjim të parë! Kush ishte kjo krijesë e verbër dhe e brishtë, me shpirt të ndjeshëm, e rritur në madhështinë hijerëndë të Nju York-ut, muzikantja që studionte piano, poliglotja që dashuronte gjuhët e huaja? Jo vetëm kaq! Dora hyjnore merr pjesë në këtë përzgjedhje. Kush është kjo krijesë e bekuar, që ka ndërmarrë përsipër rolin dhe detyrën e shenjtë hyjnore për të çliruar nga brengat, njeriun e thjeshtë, njeriun e sakrificës, njeriun e vërtetë? Si një endacak i verbër, në botën e vrazhdë e të skërmitur, shpirti poetik shtrin duart drejt Shqipërisë dhe shndërrohet në lypsar të dashurisë së përjetshme, bëhet himn i shqiptarizmit. Prek oazet e paqes, nëpërmjet vibrimit të energjisë që përcjell, pasi e ka lenë zemrën peng në flirtet me Hyun, në tempujt e lumturisë drejt transhendencës, pastrimit suprem”.
Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve, Raimonda Moisiu, për shkaqe familjare, nuk ishte fizikisht e pranishme, por ajo kishte dërguar një përshëndetje, nga Jacksonville i Floridës, që u lexua nga poetja Blerta Alikaj. “Në këtë ditë të bukur tetori-shkruan Raimonda Moisiu- Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro–Amerikanë është duke pësruruar vëllimin poetic, në gjuhën shqipe: “Piktura në fjalë”, të pedagoges së gjermanishtes dhe të italishtes, njohëse e 9 gjuhëve të huaja, mes tyre edhe gjuhën tonë shqipe, sopranon dhe poeteshën shqipfolëse, vajzën e talentuar amerikane Carrie Hooper, që ecën në rrjedhën e jetës drejt dijeve dhe përurimit të vlerave, që ajo atribuon. Ka krijuar kontakte miqësie e dashamirëse me botën shqiptare në Diasporë, të cilat siç shprehet edhe vetë shqipfolësja amerikane, kanë qënë një ndihmesë e mrekullueshme dhe profesionale, për mësimin dhe perfeksionimin e gjuhës shqipe shumë mirë, me saktësi gramatikore, letrare dhe rrjedhshëm, në të folur e shkruar. Talenti, aftësia, ndihmesa e saj është shembulli më njerëzor i dashurisë për jetën. Për këtë, poetesha shqipfolëse amerikane, Carrie Hooper është vlerësuar shumë nga komuniteti shqiptaro-amerikan.
Ëndrrat për të botuar vëllimin me poezi ia realizoi poeti e publicisti i njohur Adnan Mehmeti, njëkohësisht edhe president i Shoqatës. Shkrimtar i vërtetë dhe përurues është ai/ajo, që mbështet çdo ngjarje, e cila organizohet në emër të botës së bukur të Artit, Poezisë dhe Letërsisë…! Jo pa qëllim, në fjalën time përshëndetëse u përqëndrova ndaj dy poetëve të vargut shqip, në rrugën e poezisë modern, si edhe me përvojat më të reja të poezisë shqipe sot, sepse që të dy na bëjnë të qartë lidhjen shpirtërore, ajo e Carrie Hooper, që “me gjak dhe kombësi është amerikane, por me shpirt është shqiptare”, lidhjen fizike e shpirtërore të poetit Mehmeti, me Atdheun, vendlindjen dhe Diasporën, në bashkëveprim ndërmjet përvojës vetjake dhe asaj të shoqërisë”.
Ishte emocionuese fjala e Pierre-Pandeli Simsisë, anëtar i vjetër i Shoqatës. Ai iu drejtua poetes me këto fjalë: “E dashura motra jonë Carrie Hooper.Unë, që po ju flas tani, quhem Pierre-Pandeli Simsia, me origjinë nga Berati i Shqipërisë, banues në Nju Jork, anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve. Po ju drejtohem me fjalën e bukur shqipe, “e dashur”, sepse kjo fjalë kuptimplote nuk ka vetëm kuptimin sentimental.
Pjesëmarrës, në veprimtarinë përuruese…
Me këtë fjalë të shenjtë, e dashur, ne u drejtohemi prindërve tanë, motrave, vëllezërve tanë, miqve, shokëve, Atdheut tonë të dashur.Dhe ju, e dashur profesoreshë Hooper ,e meritoni më së miri këtë fjalë të bukur shqipe, sepse ju e flisni, e shkruani, e shprehni shumë bukur gjuhën tonë të shenjtë, gjuhën shqipe.Ju, me punën tuaj në shërbim të gjuhës sonë, jeni bërë pjesë e komunitetit tonë të dashur, e bashkësisë sonë të mrekullueshme shqipe.Nuk ka zemër shqiptari, kudo që ndodhen, të mos ndiejë gëzim, kënaqësi, krenari dhe emocione, kur lexon atë çfarë ju keni shkruar dhe jeni shprehur në gjuhën shqipe:…. E cili shqiptar nuk do ndihej krenar me ty, ndërsa lexon këto vargje? Ju jeni besimtare e Zotit, ashtu siç jam edhe unë, ashtu siç jemi të gjithë ne, te i madhërishmi, i gjithpushtetshmi Zot.Edhe pse i madhi Zot, është i padukshëm, i kudogjendur, në libër ne e shijojmë bukurinë e tij, nëpërmjet vargjeve të tua, që ti aq bukur i ke kënduar: Carrie motër! Ju jeni shembull frymëzimi për mbarë popujt e çdo kombi. Që nga dita e sotme, ju jeni “anëtare nderi” e Shoqatës sonë”.
Anëtarja e shoqatës, Veneta Çallpani, në mes tjerash shkruan: “Nuk është e lehtë sot për mua të flas për një shqiptare të vërtetë, edhe pse ajo nuk ka lindur e jetuar ne Shqiperi, por pasioni i saj për Shqiperinë ka qenë më i madh, ndoshta, sesa i shumë shqiptarëve. Është emocion, përgjegjësi, privilegj, ndjesi e veçantë të flasësh para jush, për një personalitet si Carrie Hooper, e cila bën krenar jo vetëm shqiptarët, por çdo qytetar të botës. Zoti nuk u tregua bujar me shikimin e saj, por e pasuroi me një shpirt të madh e me një vullnet të hekurt, për të na lënë gjurmë të përjetshme të gjithëve ne. Kënget e saj janë emocion, poezitë e saj janë megjepsje, shpirti i saj i derdhur në letër dhe në tinguj, plotëson boshllëkun shpirtëror të kujtdo. Carrie Hooper më mbush me shpresë dhe bindje, që në këtë botë nuk ka asgjë të pamundur, që asnjëherë nuk duhet të dorëzohemi, edhe kur dallgët e jetës na përplasin aq fort, sa të na marrin shikimin, sepse jeta është më së shumti ndjenjë, sesa pamje. Një njeri i jashtëzakonshëm, që me vullnet të hekurt na jep të gjithëve mesazhe kaq të forta. Një poete e vyer, që për gjuhën shqipe ndihmon me zemer të madhe… Faleminderit, Carrie Hooper! Të gjithë ne, si shqiptarë, jemi në borxh ndaj teje”.
Shahbaze Vishaj Grajçevci, anëtarja më e re e Shoqatës, në këtë përurim u praqit me kumtesën “Vargje tërheqëse dhe kuptimplota të potes amerikane “. Libri me titullin “Piktura në fjalë”, i autores amerikane, Kerri Huper (Carrie Hooper), ngërthen në vete shkrime dhe vargje mjaft tërheqëse e kuptimplota për lexuesin. Nisur nga titulli shumë simbolik:” Piktura në fjalë”, shihet qartë se kemi të bëjmë me një libër me vlera ideo-artistike. Libër ky i përgatitur për botim nga krijuesi Adnan Mehmeti. Libri nis me shkrimin: Lulemëngjesi në poezinë shqipe, hartuar nga redaktori A. Mehmeti, i cili i pasqyron vlerat krijuese të autores, për të kaluarën, të sotmen, me synim kah e ardhmja e saj artistike.
Jetëshkrimi, i autores i përfshirë në tekst, është gjithë hapërimi real i poetes nga dita e lindjes e deri më sot. Është hapërim, që na mbush me emocione të shumta dhe të ndryshme, nga i cili kuptojmë se nuk duhet të dorëzohemi para sfidave, që na sjell fati i jetës. Pra, duhet vetëbesim dhe guxim, se njeiu mund t’ia dalë dhe të jetë i suksesshëm, siç është edhe poetesha Huper (Hooper)…. Lexues të dashur, lexojeni, se do të reflketoni pozitivisht për çdo gjë në jetë!”.
Publicisti, Qazim Doda, e hapi kumtesën me fjalët:” Libri “Piktura në fjalë” e Prof. Hooper, i cili u përgatit nga poeti Adnan Mehmeti, më ktheu disa vite mbrapa, te takimi im i parë me këtë vajzë të zgjuar, e cila ma respektoi vendin, gjuhën dhe Kombin tim. Unë u ndala pak te intervista dhe u koncentrova në Shqipen, njohuria për shqiptarët dhe Shqipërinë e saj. Para 6 viteve, u takova me Prof. Hooper dhe pata fatin ta intervistoja, në oden e shqiptarëve të Nju Jorku, te Gjergj Dedvukaj. Shqipja e Prof. Hooper më bënte të dyshoja, nëse ajo është një amerikane, sepse këtu nuk janë të dhënë pas mësimit të gjuhëve të huaja. Fliste gjuhën tonë standarse dhe nuk paraqiste asnjë vështirësi në shqiptimin e fjalëve shqipe: “Unë fillova të mësoj shqip, në tetor të vitit 2008, nga një student i imi shqiptar, te Elmira College, ku jap Italisht dhe Gjermanisht”-tha Prof. Hooper. Ajo kishte një lutje për shqiptarë, që ta mësojnë sa më shumë gjuhën standarde dhe të lënë anash fjalët e huaja. Foli me shpirt të zjarrtë. Ka shkruar mbi 60 poezi, me respektin më të madh për Shqipen, Shqiptarët dhe Shqipërinë Etnike. Puna e saj kërkon një vlerësim më të mirë në të ardhmen, respekt nga ne dhe, më në fund, do të thoja dy fjalë nga thellësia e shpirtit tim: Faleminderit Carrie!”
Petraq Risto, anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve, erdhi me kumtesën “Fjala s’është e verbër”. “Fjala, në librin e Kerri Huperit ka peshë të veçantë, ka ngjyresa emocionale, ka dritën e shpirtit të saj. Ajo, përgjithësisht, në të gjitha poezitë është e drejtpërdrejtë, e hapur, e kthjellët. Në të shtatë ciklet e këtij vëllimi, spikat shpirti i saj i lirë, dashuria për njeriun. Në dy ciklet e para Kerri është shqiptare e vërtetë, ajo këndon, gëzon, shpërthen me një temperament shqiptar, përdor pothuajse gjithnjë vetën e parë: “fëmijë i Shqipërisë, në shpirt dhe zemër, jam”, “Flamuri ynë i çmuar”, “Sa kërcen shpirti i Arbrit, kur gjuhën e paprishur dëgjon!”.
Kapakët e librit, me autore amerikanen Carrie Hooper…
Kerri Huper ka gjetur sekretin që, nëpërmjet gjuhëve të popujve të ndryshëm, të arrijë në zemrën e Dashurisë, në zemrën e të vërtetave të mëdha. Ajo, tashmë, është një misionare e Dashurisë. Poezitë, në ciklet “Të vërtetat thelbësore”, “Vallja e paqes”, “Jeta: një poezi hyjnore”, “Këngë filozofike” dhe “Koncerti i natyrës” përcjellin te lexuesi gjithë dritën e shpirtit të saj dhe, hera-herës poezi, strofa ose vargje të veçantë, na tingëllojnë si psallme. Kjo poezi shpesh ka karakter universal; edhe kur proteston, edhe kur përcjell dhimbje autorja është e kujdesshme, nuk do të lëndojë njeri dhe shpesh vargjet kthehen në balsam. E lexon apo e dëgjon të recitohet dhe ndjehesh i qetë, mes një atmosfere paqësore, të ngrohtë dhe, padashur, kupton se poetesha të është kthyer në një motër. Natyrisht, nuk është e lehtë të përjetosh një gjendje të tillë. Këtë e bën vetëm një krijues, që çliron mirësi”.
Abdullah Zeneli, Botues i Buzukut, dërgoi përshendetje nga Panairi i Librit në Frankfurt, ku ndër të tjera shkruante: “Të dashur organizatorë, të dashur bashkatdhetarë, e nderuara Carrie Hooper! Kam nderin dhe privilegjin t’u përshëndes nga Frankfurti, ku ndodhem në ngjarjen më të madhe të librit të botës, panairin e librit. Pikërisht në këtë festë të madhe të librit, ku merr pjesë Kosova dhe Shtëpia Botuese “Buzuku”, u ekspozua me plot sukses edhe libri i juaj, e nderuara Hopper! Kënaqësi për një botues, për gjithë lexuesit, vizitorët e shumtë, që për disa ditë rresht, në qendër të vemendjes të kenë librin tuaj “Piktura në fjalë”. Kënaqësi për botuesin, sepse libri është shumëfish i rëndësishëm: 1. Se autorja është pranuar përzemersisht nga lexuesi shqiptar; 2. Se autorja është aq e lidhur me shqiptarët, jo vetem me njohjen e gjuhës shqipe, por dashurinë e madhe e të sinqertë, që ndien për popullin tim; 3. Se përurimi ndodh në SHBA, në komunitetin shqiptaro-amerikan, për mua dhe Shtëpinë Botuese”Buzuku” një privilegj i çmuar; 4. Se e gjitha ndodhi, falë bashkëpunimit me mikun Adnan Memeti, të cilin e falenderoj posaçërisht për besimin e dhënë, që ky libër të botohet sa më i përkryer dhe konform standardeve, që ndjek Shtëpia jonë Botuese; 5. Se, për një kohë të shkurtër dy-tre mujore, qëkur doli libri nga shtypi, lexohet dhe kërkohet nga lexuesi mirënjohës për vlerat e librit, vlerat poetiko-letrare dhe ato humane, për mesazhin dhe dashurinë njerëzore që përçon… Të gjitha këto, që ceka në vrapin e kohës tejet të kufizuar, që kam këto ditë, nuk më pësrligjin për mungesë modestie, të zgjatem në elozhe meritore për autoren dhe të gjithë ju, sa jeni të pranishëm, për ta nderuar poeteshen Carrie Hopper! Urime dhe suksese, pa fund!”
Mjaft emocionuese dhe interesane ishte fjala e Carrie Hooper: “Përshëndetje. Faleminderit që erdhët në këtë përurim të librit tim! Faleminderit për fjalët e ëmbla të paraqitësve të tij! Falënderoj të gjithë at, qëa më ndihmuan gjatë viteve, në zhvillimin tim si poete, me sugjerimet e korrigjimet e tyre. Faleminderit edhe Adnanit, që organizoi këtë veprimtari të bukur dhe do të doja të shprehja mirënjohjen time, për gjithçka bëri për ta mundësuar ardhjen time në Nju Jork. Faleminderit Sabije Veselit, për mikpritjen e saj.”
Sot është një ditë e veçantë sepse pikërisht si sot, më 14 tetor, para dhjetë viteve, fillova të mësoja shqip. E thërras ditën e 14 Tetorit “Ditën e Shqipes”, sepse fillova të mësoja shqip në këtë datë. Kisha një student nga Shqipëria, në kursin tim të italishtes dhe kjo më frymëzoi ta mësoja gjuhën shqipe. Përdora një libër, të cilin e gjeta te Biblioteka për të verbërit, në Angli dhe ndoqa kurse të gjuhës shqipe, pranë Universitetit Shtetëror të Arizonës, për dy vera me rradhë. Tani lexoj tekste në gjuhën shqipe, duke përdorur kompjuterin tim braili. Kur fillova ta mësoja gjuhën, shoku im, Tim Hendel më inçizonte emisione radiofonike nga Interneti, në gjuhën shqipe, që të kisha mundësi ta dëgjoja gjuhën dhe m’i dërgonte në kasetë, me postë. Kur Radio-Tirana transmetonte në valët e shkurtëra, Timi e inçizonte nganjëherë. Nuk merrej shumë mirë në radio, prandaj shkonte disa herë më këmbë, te një park afër apartamentit të tij, ngrinte një antenë, dhe inçizonte Radio-Tiranën, nga ky vend, që të merrej sa më mirë. Edhe sot ai vazhdon të më icçizojë emisione nga Interneti dhe për të është një punë dashurie. Tani do të doja ta këndoja Himnin Kombëtar shqiptar. Edhe njëherë: Falemnderit!”
Carrie Hooper këndoi Himnin Kombëtar, bashkë me të gjithë pjesëmarrësit. Ajo na solli Shqipërinë tonë të dashur, në Nju Jork. Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikanë e mirëpret në gjirin e vetë, duke e shpallur “Anëtare-Nderi” të saj. Gjithashtu, Carrie Hooper iu titulli i lartë pegasian “POLEART “PEGASI”, që ia ndau zevendpresidenti, Bexhet Asani.
Programin e pasuruan me recitime, nga krijimtaria letrare e autores, artisti i njohur Xhevat Limani dhe studentja shqiptaro-amerikane, Fatjona Kelmendi, si dhe këngëtarja e njohur Sebahate Berlajolli. Takimi u përcoll nga Televizioni “Albanian Culture”, përfaqësuar nga Adem Belliu dhe Televizioni “Albanian American Vision”, me përfaqësues Qazim Dodën.
Nju Jork, tetor 2018