Kombëtarja shqiptare e zgjedhjeve vendore në Belgjikë

Nga Amet GJANAJ

Bashkatdhetarë të nderuar, nga thellësia e zemrës dëshiroj të ju falenderoj për mbështetjen që na keni dhënë Kombëtarës së Zgjedhjeve.

Falë mbështetjës tuaj, numri i votave që kemi marrë së bashku janë gjithsej 5256 vota! Jemi 4 veta që kemi marrë mandatin si këshilltarë komunalë : unë në Molenbeek me 1128 vota, Habibe Duraki në Evere me 478 vota, Behar Sinani në Jette me 342 vota dhe Muhamet Begaj në Saint-Josse me 330 vota.

Të gjithë kandidatët e tjerë kanë forcuar pozicionin e tyre në PS në ato komuna. Në komunat e mëdhaja si Brukseli, Schaerbeeku dhe Anderlechti, përkatësisht Qendresa Gërlica (695), Elhami Shaqiri (389) dhe dyshja Vaile Shkodra Azizi (491) dhe Luiza Duraki (530) kanë arritur një nivel votash të konsiderueshëm.

Ndërsa dhe në komunat e vogla si Koekelbergu, Ganshoren, Berchem, Forest dhe Woluwé-Saint-Pierre, përkatësisht Ornela Prifti, Avni Gjanaj, Marsela Damzi, Florin Kola dhe Shkendije Kastrati kanë marrë vota të mjaftueshëm sa për të qenë mirë në PS dhe në t’ardhmën!

Kombëtarja e Zgjedhjeve është një koncept i imagjinuar për të zgjeruar sa më shumë elektoratin shqiptar dhe për ta mobilizuar atë. Është dhe një mundësi fuqizimi të komunitetit shqiptar në komunat e ndryshme. Me numrin e votave të arritur, qëllimi është realizuar me 5256 vota. Në këtë sens, 4 këshilltarë komunal të arritur janë një fitore e madhe duke pasur parasysh kohën në dispozicion dhe shumë faktorë të tjerë të natyrave të ndryshme.

Lançimi i konceptit të Kombëtarës së Zgjedhjeve m’u bë i qartë kur konstatova që ishim bërë një ekip goxha i madh me Shqiptarë nga të gjitha trevat teksa puna ime 20 vjeçare me komunitetin shqiptar solli mandatin e parë shqiptar si deputet pavarësisht përpjekjeve që asnjëherë nuk kanë munguar në të kaluarën nga kandidatë Shqiptarë.

Asesi nuk ishte qëllimi që të përjashtoja cilindo për ta konsideruar jo të denjë për të qenë pjesë e Kombëtarës së Zgjedhjeve qoftë dhe kandidatët e tjerë shqiptarë në forcat e tjera politike.

Këtu në Belgjikë dhe Evropë, forcat politike demokratike lidhin koalicione shpesh dhe pa asnjë kompleks. Të gjitha partitë demokratike dënojnë sistemet diktatoriale dhe në veçanti PS-ja ka një historik marrëdhëniesh pozitive me Shqiptarët sepse është ajo, përmes Anne-Marie Lizin që priti shumë delegacione nga Kosova përpara luftës deri te Ibrahim Rugovën që u prit për herë të parë në Evropë si burrë shteti. Ishte ajo që loboj fuqimisht që të bombardohej Serbia mbase janë ca që e kanë harruar këtë gjë! Përmes Philippe Moureaux, përsëri një anëtar i PS-së, iu mundësua shqiptarëve të Kosovës të ikur nga lufta që të merrnin dokumentat si azilantë pa asnjë pengesë. Duke shtuar se kur kanë ardhur prindërit e mi dhe të shumë Shqiptarëve në Belgjikë pas arratisjës nga diktatura komuniste PS-ja ishte gjithashtu në koalicion në pushtet. Nëse PS-ja do të kishte qenë e njëjta me komunistat, nuk do të kishin mundur që të marrin azilin në Belgjikë prindërit e mi dhe as unë, kurrë nuk do të kisha mundur që të futem në këtë forcë politike!

Pa llogaritur pastaj se PS-ja është forca politike që i ka sjellur shoqërisë të gjitha të drejtat sociale : pensionet, pushimet e fundjavës dhe të vitit, sigurimin shoqëror,… që i shërbejnë popullit.

Prandaj, iniciativa e degjeve të ca partive politike të vendeve tona, të gjitha në opozitë, për të mbledhur, gjatë fushatës, kandidatët shqiptarë të partive politike të « djathtë » e të « qendrës së djathtë » belge kundër kandidatëve të PS-së belge sikur do shkarkonin mllefin e të qenurit në opozitë në vendet tona duke ia faturuar kandidatëve shqiptarë të PS-së belge është aq qesharake sa dhe e papërgjegjshme.

Së pari, e pamë më sipër, se PS-ja belge asnjëherë nuk është ndikuar nga partia e punës së Shqipërisë në kohën e monizmit as nga partitë e majtë të vendeve tona që prej fillimit të pluralizmit politik dhe madje, PS-ja, si shumica e partive demokratike belge, kanë qenë të favorshëm për shqiptarët gjatë gjithë proçeseve të rëndësishme për vendet tona. PS-ja belge, e pamë qartësisht, kanë qenë dhe shumë të favorshëm ndaj Shqiptarëve. Partitë shqiptare të përgjegjshëm duhet që të jenë sa më neutral në raport me proçeset zgjedhore në vendet evropiane, për më tepër në Belgjikë, qendra e institucioneve evropiane. Uroj që ato partitë të kenë si qëllim që të jenë në pushtet jo në Belgjikë apo në vendet e tjera evropiane por në vendet tona. Nëse PS-ja do të jetë gjithashtu në pushtet në Belgjikë, tentativat për të polarizuar elektoratin shqiptar nga subjektet që tani janë në opozitë në vendet tona, do të mund të rrezikojnë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe proçeset integruese në të ardhmën.

Së dyti, për momentin, PS-ja është partia ku komuniteti ka fituar një mandat deputeti rajonal dhe shumicën e mandatëve lokale në duart e Shqiptarëve. Ato mandate janë përdorur në favor të komunitetit shqiptar ashtu dhe për të ndihmuar ndonjë lokalitet në vendet tona. Kujtoj se seanca e posaçme në parlamentin e Brukselit që organizova në tetor të 2017-ës mblodhi komunat e Brukselit që ishin kryesisht të majta me komuna në vendet tona që ishin kryesisht të djathta për të lidhur marrëveshje bashkëpunimi!

Së treti, ndërhyrja e këtyre degjeve, rrezikon të shpërndajë artificialisht votat e shqiptarëve që pastaj të mos jetë asnjë kandidat shqiptar fitues siç ka ndodhur në disa komuna (Schaerbeek, Koekelberg,…) pavarësisht se janë komuna ku shqiptarët janë më të shumtë.

E njëjta gjë do të vlente nëse kandidatët shqiptar të partive të së « djathtës » belge do të sulmohëshin nga subjekte politike të majta shqiptare.

Imagjinoni që grekët që janë shumë më pak se shqiptarët në Belgjikë kanë fituar një mandat kryetar komune për të parën herë sigurisht me ndihmën e shtetit grek ndërsa ne kemi parti shqiptare që ndërhynë në proçesin zgjedhor për të dobësuar kandidatët shqiptarë që kanë më shumë shance për të arritur rezultate për komunitetin thjeshtë për interesa të pashpjegueshme politikisht.

Konceptoj që mungesa e eksperiencës e kandidatëve të rinj i kanë çuar ata që të ndjehen të kërcënuar nga Kombëtarja e Zgjedhjeve dhe që u është dukur normale ndërhyrja e partive opozitare shqiptare por për më tepër, të mbledhesh me konkurrentet e tua kundër një konkurrent të caktuar, është disi e pazakontë dhe jep një sinjal paqartësie tek elektoratin tënd potencial. Për Schaerbeekun për shembull në atë mbledhje, ishin të pranishëm kandidatët shqiptarë të « djathtë » të 3 partive politike belge që në realitet janë konkurrent në terren. Elektorati i komunitetit shqiptar nuk ka mundur të kuptojë se si është e mundur që ata kandidatët të mund të prezantohen të bashkuar kur në realitet janë pjesë të partia konkurrente. Në fund, rezultoj që asnjë nuk fitoj mandatin. Ngushtësia e elektoratit është e tillë sa që kandidatët shqiptarë duhet të mësohen të garojnë jo sipas krahut të supozuar të tyre, « të dhathtët » kundër « të majtët » apo anasjelltas, por me dinjitet e pozitivitet për vetvetën, apo maksimalisht si forcë politike, dhe jo duke shënjestruar dikë tjetër apo ndonjë forcë politike konkurrente.

Shqiptarëve të Belgjikës u bëj thirrje që të mos ndikohen për t’u armiqësuar sipas bindjeve të ndryshme që ekzistojnë në vendet tona. Ajo politikë nuk ka mundur të prodhojë vetëm se mjerimin dhe destabilitetin. Ne duhet që të jetojmë sa më të integruar në shoqërinë ku ndodhëmi, duke zgjedhur sipas një programi dhe duke u përballur me idetë dhe programet e partive belge, që janë të vetmit që na sjellin avancim dhe mirëqenie. Mundësisht, të eksportojmë modelin e të bërit politikë nga Belgjika dhe Evropa në drejtim të vendeve tona dhe jo të importojmë marrëzitë politike të vendeve tona këtu!

Duke pasur parasysh suksesin e arritur nga koncepti strategjik i Kombëtarës së Zgjedhjeve dhe hapja e fuqishme e Kombëtarës së Zgjedhjeve ndaj rinisë, ftoj të gjithë ata që dëshirojnë të angazhohet në politikë që të më kontaktojnë.

Të jemi sa më të bashkuar, që pastaj të ketë sa më shumë të zgjedhur që të realizohen sa më shumë projekte për komunitetin dhe për Shqiptarët në Balkan.

Prandaj, urime fitorja e 4 këshilltarëve të Kombëtarës së Zgjedhjeve dhe mirë që të vijnë të gjithë ata që dëshirojnë të angazhohen në politikën belge për të fuqizuar komunitetin e jo për ta dobësuar atë, për njëri tjetrin e jo kundër njëri tjetrit, për një rritje të numrit të Shqiptarëve me mendësinë evropiane e jo për ballkanizimin e tyre!