Nga: ELKO N.Qeparoi (Eleonora Gjoka)
( Lum’ ti, o lumë malor,/po bukurin’ kush ta cënon? )
Elko-Nju Jork (SHBA)
E vranë Valbonën, ngjan e trishtë,
e dhunuan Valbonën virgjëreshë?!…
E vranë, e çanë, e copëtuan në pjesë,
dhe po sillen me atë, si çakejtë!
Dhe jo vetëm shtratin ëndërrues,
që rrjedh e zbret, duke u shkundur
si sorkadhe nazenadhe, plot bujë
e ngjan si Pegasi fluturues…
Shkëputur nga Alpet e bardha,
që nga malet e Dragobisë,
nga kreshta e rrafshnalta,
duke ndjellur zogjtë, që cicërijnë…
Në mriza e korije, në bjeshkët e nalta,
ajo Valbona, belholla, e kaltra…
Flokëpishnaja, mrekullia ajzbergase,
që zbret nga kreshtat kryenalta!
E tronditën shtratin e saj të artë,
breglumin e pafat,shëmbinjtë esmeraldë
dhe zemrën e Valbonës si një princeshë,
që puth e freskon ato bjeshkë, e lanë pa gjak!
Vampirët po enden përqark Valbonës Hyjneshë,
atij lumi aq të bukur dhe aq të hijshëm;
gurgullimës së epshtë, rrjedhjes ëndërruese,
bijës qiellore, kataraktit ujëkaltër!
I keni parë ylberet, kur fort ndrijnë,
si ulen e prehen mbi sterkalat në brymë?
I keni parë ato yjet aq të zjarrtë,
si ulen e shuajnë etjen në lotët e saj?
Dhe puthin faqet plot freski të Valbonës,
veshur me penuarin e saj gjelbërosh;
Zanat e malit zbresin nga mriza e ograja,
netëve pranverore, zhyten në shtratin e saj!
Jo, jo! Ju mos e godisni Valbonën,
bijën e Alpeve të bardha, rrjedhen e Lirisë,
kur zbret si shtojzovalle,nga kreshtat e Dragobisë?
Ajo është burimi, ku shuajnë etjen Perënditë!
O, ju vrasës, me dorashka mizore,
mos godisni Valbonën, mos e dhunoni!
Kthejeni në Faltore,hyjnorja do ju ndihmojë,
që të lani gjynahet, të cilat fort u mundojnë!
Mos e vrisni Valbonën, në paçi Perëndi,
se nga barku i bukur i saj femëror,
lindin vetëm diamande, xhevahire,
që tërë jetën ne do na mrekullojnë!
Nga Elko:Himarë, 21 shtator 2018