Dielli si metaforë e jetës


-Persiatje rreth librit ”Koha e pakët e dritës” të autores Xhane Sherif Imeraj, Tiranë, 2018-

 

Nga : Lulzim LOGU

Sapo është botuar libri më i ri poetik, i dyti me rradhë i poetes Xhane Sherifi Imeraj, një ndër poetet tashmë të njohura, pjesë e vazhdimësisë së traditës së poeteshave më të mira tropojanë, të shumta në numër dhe në botime, një befasi e vertetë, një vend i vogël si Tropoja, që vazhdimisht nxjerr talente poetike, zëra të veçantë femërorë.Me sharm poetik dhe grintë, me delikatesë dhe thellësi të çuditshme të mendimit poetik, sfiduese të zhvillimeve bashkëkohore letrare dhe të angazhuara jo vetëm si poete, por edhe si intelektuale dhe të paepura në përpjekje për të lançuar pozitën dhe respektin ndaj femrës në shoqërinë e sotme shqiptare dhe kontributin e paçmuar intelektual dhe jo vetëm të saj.

Libri poetik “Koha e pakët e dritës” me redaktor Arben Bllacin, ka ardhur pas një akumulimi të gjatë shpirtëror të poetes, pas një identifikimi dhe analize komplekse me një përvojë të patjetërsueshme jetësore, ku forca e saj e karakterit, vullneti i shpirtit dhe sakrifica e prindërve kanë shënuar një trini të shenjtë vetmohuese dhe përballuese ndaj trilleve të pazakonta të fatit.

Ndaj libri i saj hapet natyrshëm me porosinë që të shmangim perdet e rënda dhe pengesat ndaj Diellit si metaforë e Jetës, ndërkohë që vetë poetja e identifikon veten në vallen e diellit si “flutur agimesh”!Re’ të përlotura, pengje të vjetra, ëndrra të harruara nga ditët e vranëta gjithmonë mbeten pas nën fuqinë dhe pushtetin e diellit që shkrin gjithçka të errët në natyrën e pafundme dhe në shpirtrat e mëdhenj njerëzorë.

Një shpirt i madh Xhane Sherif Imeraj, ka besuar tek drita që depërtonte nga diku, ka shpresuar ta përqafojë dikur krejt diellin në madhninë e dashnisë së tij, rrethuar pranë vetes nga vargjet që regëtinin njolla shprese dhe përkëdhelja e jashtëzakonshme e familjes se mrekullueshme. Ka rikuperuar kohën e pakët të dritës dhe kohën e humbur, ka filluar të ecë me hapat dhe ritmin e brezit të vet dhe pasionet e fshehura dhe vrullin poetik tashmë ka gatuar një libër të bukur, me disiplinë artistike, përplot dashuri dhe dedikime dinjitoze, me figuracion të lëmuar me brishtësi, duke gdhendur ngadalë dhe me besim vargjet e veta dhe duke shtruar udhën e garantuar për botimet e ardhshme.Ajo ndihet thjesht, natyrshëm dhe mjaft imponuese si “një motiv në pulsing e jetës”!

Poezia e saj “Jam kompozim” më së miri e dëshmon profiling e saj dhe ngjan si një himn:

Jam kompozim,

simfoni thurur me rreze,

ylber që sfidoj shiun, vjeshtën, dëborën e re, të vjetrën, stinët

… Jam motiv në pulsin e jetës!

Ajo ka duruar shumë, ka reflektuar në pikëpamje jetësore dhe letrare, ka njohur duke lexuar dhe duke u bërë pjesë e debatit dhe zhvillimit kulturor përmes komunikimit me poezinë dhe letërsinë bashkwkohore, sidomos pasi ka vënë në praktikë Faqen e saj kulturore “Tropoja poetike” , rreth të cilës tash mblidhen shumë artistë dhe poetë nga Tropoja dhe më gjërë nga vise tjera shqiptare. Ka fituar përvojë si administratore, por edhe ka qënë aktive në debatin kulturor, duke krijuar personalitet dhe mature.Kjo shfaqet edhe në vargjet e saj, ku shtrimi dhe pesha e vargjeve të krijojnë idenë e një “rruge” të bukur, nëpër të cilën të josh të “ecësh” shpirtërisht, duke përfituar ndjenja të këndshme, gjatë një leximi me një frymë:

E humbur mjegullës dhe shiut

pellg syve të mi,

kujtimeve gjysmëdavaritura,

bri zjarrit të shuar gjer në një shkëndi.

Fshehur streh shpirtit dhe qiellit

duke pritur të lindë dielli,

shkreptinte, gjëmonte lart,

mbi ëndërra, netëve të ftohta,

shi-borë-dimrit.

E humbur humusit të harresës,

njëqind vjet vdekur, ngjallur ditën e shpresës!…

Poetja e re ka një sy realist dhe të rreptë poetik, nga metrika e vargjeve të saj gjithkush mundet ta zbulojë dhe rijetojë potikisht një copë jetë të vetë, të çmuar, që diku është fshehur motmoteve dhe tash zgjohet ndryshe në kujtim:

Nëse e sheh një sy që qan,

lëre të shuaj mall!

Nëse e sheh një sy që qesh, lëre të gëzojë jetë!

Nëse e sheh një sy që flet, lëre të rrëfejë dert!

Nëse e sheh një sy që fshihet, lëre të mbulojë kujtimet!…

Bota e vjetër, fshehur hera herës pas maskave e trondit përjetimin e ditës së poetes, i ngjan me një hartë të pazot, natyrshëm fokusi i saj i gjërë dhe kompleks i konsiderimit të jetës si aktivitet i denjë dhe kontribut, perpiqet vazhdimisht të thyejë tabutë dhe klishetë, shekulli i poetes është shekulli i dritës dhe optimizmit të paskaj.Ndaj poezia e saj e butë, pa bertimë, modeste dhe e sinqertë si një muzikë shiu pas një thatësire shkrumbuese, vjen dhe depërton në memorien tonë , duke i transmetuar nota lirike të këndshme, aq më tepër kur atmosfera e tyre aq shpesh përkon me atë çfarë sot prêt ai lexuesi i rrallë i poezisë, ndjenjë solide, shpresë dhe realizëm:

Muza si sorkadhe lëndinë më lëndinë më hedh,

diku përlotem malluar, diku lule mbledh…

Lartësive ëndërroj që nga mrizet e shpirtit,

në rimë e hedh vargun kapur pas rrezeve të diellit…

Gjithë thesaret e tokës vlerë e panumëruar,

pasuria e shpirtit mbi gjithçka kaluar…

Kur të iki, nëse rikthehem dua të jem poezi,

një strofë, yjet dhe hëna, tjetrën dielli me rrezet e tij…

Libri ka strukturë, rrjedhje kronologjike të natyrshme sipas tematikës dhe këndvështrimit të poetes për botën dhe veten, një muzikalitet të ëmbël, thjeshtësi dhe kësisoj komunikimi dhe prekja tek lexuesi mbetet e garantuar.Guximi për një varg më të shlirë, që njëfarsoj bëhet më rebel dhe thyen rregulla, moskufizimi ndonjëherë i vargut brenda një kornize”detyruese”, zgjerimi tematik, do ta bënin atë më të afrueshëm dhe më të besueshëm , më serioz dhe akoma më të prekshëm tek lexuesit ithtarë dhe besnikë të poezisë së mire.Pas kohës së pakët të dritës, befas gufon vala e shfrenuar e dritës, Xhane Sherif Imeraj premton me këtë libër ti qaset në të ardhmen kësaj vale:

Duro, duro,

por dhe vrapo,

ec, sikur dhe gjysmë hap,

fundi nuk është me ndoshta!

Duro, duro, beso shumë dhe lutu fort, do të dëgjohesh ndoshta!…

Shtator, 2018