Sot ka filluar aplikimi i valës së re të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara ndaj mallrave të Kinës, njëherësh masa më e madhe në luftën e përshkallëzuar tregtare në mes të dy superfuqive ekonomike.
Shtetet e Bashkuara kanë vënë tarifa në vlerë të 200 miliardë dollarëve në produktet kineze nga mesnata, me orën lokale të Kinës, për shkak të atyre që janë cilësuar si praktika të padrejta tregtare nga ana e Kinës.
Kina në anën tjetër është hakmarrë duke shënjestruar mallrat amerikane me tarifa shtesë në vlerë të 60 miliardë dollarëve.
Autoritetet kineze kanë thënë se SHBA-ja, ka nisur “luftën më të madhe tregtare në historinë ekonomike”.
Çfarë nënkupton lufta tregtare SHBA-Kinë?
Me valën e fundit të tarifave, vlerësohet se tarifat amerikane kanë prekur produktet kineze në vlerë të 250 miliardë dollarëve.
Kjo njëherësh nënkupton se gjysma e të gjitha importeve të Kinës në SHBA, tani janë subjekt i tarifave.
Presidenti amerikan, Donlad Trump ka thënë se me anë të këtyre tarifave kërkon të ndalojë “transferimet e padrejta të teknologjisë dhe pronave intelektuale amerikane drejt Kinës” si dhe të mbrojë vendet e punës.