Nga Ëngjëll Musai -Drejtori i “Telegraf” – Tiranë
Të shqetësuar për situatën aktuale në të cilën gjendet Akademia e Shkencave por edhe për të ardhmen e saj, Gazeta “Telegraf” që nga korriku i largët i vitit 2013 ka ndjekur me prioritet zhvillimet në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, skicë-platformat e paraqitura për reformimin , riorganizimin dhe modernizimin e Akademisë së Shkencave. Madje fiks 5 vite më parë në shtatorin e 2013 filluan debatet mbi zgjedhjet e reja në ASH, pasi mandati i të zgjedhurve kishte kohë që kishte përfunduar dhe pikërisht kjo periudhë koincidoi me largimin e qeverisë së demokratëve dhe ardhjen në pushtet të qeverisë së “Rilindjes”.
Arsyeja se përse sot iu rikthyem çështjes së ASH, ishte një takim i zhvilluar dje në këtë Institucion, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Rama, por mbi të gjitha një kërkesë e Profesorit Artan Fuga drejtuar Gazetës “Telegraf” dhe mua personalisht. Nuk ka asnjë mëdyshje se Prof. Fuga është nga më të preferuarit e auditorëve universitare, por edhe më i pamposhturi në kauzën e madhe të reformimit të Akademisë së Shkencave. Në kërkesën e tij, të bërë publike nëpërmjet statusit në rrjetin social facebook, Akademik Artan Fuga shprehet: “I nderuar z. Ëngjëll Musai, po ju drejtohem lidhur me fjalimin e sotëm të zotit Rama. Ne thelb ai ktheu mbrapsht platformën Gjinushi te dërguar ministrisë se Arsimit, pas insistimeve te mia publike. Unë lutem që lajmi të lexohet ashtu si e gjykoni ju, pavarësisht leximit tim, sepse jam i bindur, se do ta bëni në mënyrë korrekte dhe të saktë. Ju falënderoj me shume respekt, Artan Fuga”.
Madje mbaj mënd, pasi i kam ndjekur personalisht zhvillimet por edhe kam pasur shumë takime me personalitetet të larta të auditorëve universitarë, atyre të shkencës dhe botës akademike ku një pjesë e tyre shprehnin shqetësimin për situatën e krijuar dhe një pjesë tjetër tregonin se si kishin dërguar materiale të ndryshme në zyrat e ish-Kryetarit të ri të Parlamentit z.Ilir Meta dhe Kryeministrit të sapo zgjedhur z. Edi Rama. Në këto materiale, gjithmonë sipas bashkëbisedimit me këto personalitete, dy drejtuesve më të lartë të shtetit u rekomandohej se si duhej bërë reforma në Akademi dhe përse disa nga akademikët e sotëm mburren në tavolina me emrat dhe lidhjet e tyre. Fatkeqësisht edhe të tjerë akademikë dhe profesorë ishin mburrur me ish-shtetarët që sapo ishin larguar nga pushteti. Me pak fjalë, politika si ajo 50-vjeçare e sistemit njëpartiak edhe kjo e pluralizmit vazhdonte të mbante nën sqetull Akademinë e Shkencave, si fazën finale të uzurpimit të arsimit nga ai fillor, 8-vjeçar (më vonë 9-vjeçar), arsimin e mesëm dhe auditorët e universiteteve. Madje, jo vetëm arsimin shtetëror nëpërmjet emërimeve klienteliste, por edhe atë privat nëpërmjet licencimit dhe qokave elektorale ku të rinjtë e forumeve merrnin bursa falas etj., etj.
Por le t’i kthehemi situatës në Akademinë e Shkencave që prej vitit 2013 ky institucion është futur në një kolaps të plotë, pasi zgjedhjet e planifikuara në shtatorin e 2013-s u shtynë, për shkakun e thjeshtë se individë dhe grupe individësh kërkonin të merrnin në dorë fatet e këtij institucioni, jo për meritat që kishin dhe alternativat që shpalosnin, por prej mbështetjes politike. Madje zgjedhjet e mëvonshme u ribënë, u anuluan, pati dorëheqje, pati debate të ashpra profesionale dhe, në fund ishte kryeministri aktual Rama që deklaroi, se nuk do ta financonte Akademinë e Shkencave, nëse nuk reformohet sipas standardeve bashkëkohore. Në fakt, ky ishte një lajm i mirë, sepse kombi kishte nevojë për një Akademi më dinamike dhe të mos ndodhte, fjala bie, që një historian turk vinte në Lezhë para monumentit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbe, e cilësonte atë tradhtar dhe Akademia jonë e Shkencave nuk kishte një historian që të ngrihej dhe t’i tregonte vlerat, jo vetëm këtij “halldupi” nga Turqia, por edhe politikës zyrtare, se me ndjenjat dhe vlerat e kombit nuk mund të luajë askush. Por çfarë ndodhi më vonë? Në këto kushte ASH, pranoi reformimin dhe qeveria Rama caktoi përfaqësuesin e saj për reformimin e këtij institucioni, z. Skënder Gjinushi. Përtej vlerave individuale të z. Gjinushi, të cilat nuk janë objekt i këtij shkrimi, pjesa tjetër që lidhet me të si krye/reformator i Akademisë së Shkencave lë shumë për të dëshiruar. E para, ai vjen nga një e kaluar si ish-ministër i Arsimit të kohës së diktaturës dhe në asnjë vend të botës nuk mund të pranohet një fakt i tillë, riciklim i kompromentuar gjithsesi. Së dyti, ai u largua nga auditorët universitarë dhe për më se 36 vjet i është përkushtuar politikës fillimisht PPSH, dhe më vonë si Kryetar i Partisë Social-Demokrate. Këto dy fakte të bëjnë të mendosh dhe gjykosh që kjo zgjedhje nga ana e Kryeministrit të vendit, Rama ishte tërësisht e gabuar, pasi pa dashje apo me vetëdije na ktheu në sistemin e mëparshëm ku partia ishte mbi gjithçka.
Mendoj dhe gjykoj që kandidatët për Kryetar të reformës në ASH duhej t’i propozonin Akademikët dhe jo partia apo institucione të tjera, të cilat, na sjellin ndër mend hijet e së kaluarës, a thua se sigurimi i shtetit ende vazhdon të jetë më këmbë dhe të drejtojë, ndërsa qeveria nga ana e saj le të përzgjidhte një nga kandidatët e dalë nga vetë bota akademike. Por, me sa duket, politika vazhdon të imponohet kudo dhe për gjithçka, edhe pse në rastin konkret shtetarët tanë nuk e kanë as nivelin intelektual, as atë shoqëror, as vlerat, as kulturën dhe as nivelin sa të diktojnë zgjedhjet dhe përcaktimet në institucionin më të rëndësishëm të dijes, kulturës dhe shkencës. Ata duhet ta shohin ASH si partnere dhe jo vartëse të rëndomtë të saj, a thua se po diskutohet për ndonjë drejtori e radhës e administratës shtetërore. Akademia e Shkencave është Institucion Qendror, struktura e të cilit përbëhet nga Institute, qendra dhe organizma të tjera, që merren me studime të mirëfillta shkencore dhe kulturore dhe që janë nën vartësinë e drejtpërdrejtë të saj. Krijimi i këtyre institucioneve shkencore ka si qëllim parësor, që shteti të mbështetë zhvillimin e disa drejtimeve tepër të rëndësishme të shkencave në dobi të gjithë shoqërisë, që t’u përgjigjen me përparësi nevojave të ngutshme dhe afatgjata të programeve qeveritare, të prosperitetit ekonomik, kulturor a social të vendit, që të shërbejnë si vatra model të modernizimit të hulumtimeve shkencore bashkëkohore dhe të bashkëpunimit me qendrat shkencore të vendeve të tjera. Në Akademinë e Shkencave ( ASH ) duhet të aktivizohen studiuesit më të aftë e më të specializuar për punë shkencore, që përfshijnë konkurrimin, testimin dhe deri stimulimin material e moral. Në këto institucione e qendra studimore mund të pranohen të punojnë edhe studiues të huaj, duke i angazhuar në drejtime që janë të pamundura të mbulohen nga specialistët vendas. Në sistemin e ASH përfshihen institute e qendra shkencore që kryejnë veprimtari shkencore që nuk mund të kryhen nga institucione të tjera shkencore shtetërore e private. Akademikët janë dhe duhet të jenë përfaqësues nga më të shquarit të shkencës, kulturës, letërsisë dhe arteve. Akademikët të zgjidhen nga gjithë fushat e shkencës, arsimit, kulturës së vendit nga radhët e punonjësve të institucioneve shkencore brenda sistemit të ASH ose jashtë këtij sistemi, të Universiteteve, instituteve e qendrave shkencore dikasteriale, të institucioneve të tjera krijuese letraro-artistike shtetërore, publike dhe civile joshtetërore, që kanë realizuar studime e krijimtari shkencore e kulturore të nivelit të lartë dhe për një kohë të gjatë, që kanë zgjidhur probleme të një rëndësie të veçantë të shkencës, ekonomisë, kulturës së vendit.
Nëse do ishte ky vizion dhe ky koncept për institucionin më të lartë të dijes, shkencës dhe përparimit, atëherë vendi ynë dhe vetë qeveritë do e kishin më të lehtë të përballonin shumë probleme të kohës dhe të ekzistencës së kombit tonë. Parimi demokratik duhet të gjejë vend edhe në këtë institucion. Veprimtaria e ASH financohet kryesisht nga buxheti i shtetit, por edhe me të ardhurat që sigurohen nga realizimi i detyrave dhe zgjidhja e problemeve të ndryshme shkencore, teknike e kulturore, por nga ana tjetër edhe akademikët nuk duhet të kujtohen për shtetin vetëm kur duhet të marrin paratë.
Ja këto janë problemet që duhen trajtuar dhe duhen parë drejt e në sy, pa ngarkesa politike dhe, mbi të gjitha, duke respektuar figurën, pasi disa prej akademikëve kanë lidhje të dyshimta politike, biznese të fshehura, procese penale dhe, më e rëndësishmja, që ka edhe nga ata u dihen edhe pseudonimet e dikurshme të Sigurimit të Shtetit apo shërbimeve të huaja. Ndaj pastërtia e figurës (vettingu) duhet të jetë i pari kriter dhe pas tij të regjistrohen si kandidatura për Institucionin më të lartë, atë të Akademisë së Shkencave.