Nga Ndriçim Kulla
Intelektualiteti që e gjen konkretizimin e vet në ekzistencën e një elite apo një opinioni publik përfaqëson jo vetëm pjesën më të çmuar të një kombi, por edhe udhëheqjen e përhershme të shoqërisë për ide, për gjykim e ndryshim kolektiv dhe tendenca historike, deri në besim, moral dhe filozofi jete. Por shtrohet pyetja: “A kemi ne një elitë?” E pat shtruar këtë pyetje nga fundi i viteve ‘30 edhe njëri nga mendimtarët tanë më të mëdhenj të asaj epoke, Mithat Frashëri. Do të donte të përgjigjej në mënyrë pohuese atdhetari i dashuruar pas dijes, sepse kështu ia donte shpirti, por mundi të thoshte vetëm se “na duhet patjetër të kemi një elitë, pasi ajo është njëri nga kushtet kryesore të një jete të zhvilluar dhe të përparuar”. Formimi i një elite, që të jetë vërtet e tillë, ka qenë “kryqi” që ka mbajtur mbi shpinë intelektualiteti ynë përgjatë gjithë kohës së shtetit shqiptar. Elita patriotike që solli krijimin e këtij shteti, ai brez i madh që na udhëhoqi drejt pavarësimit, më tepër se një elitë mendore, shkencore ideologjike e sistematike, ishte një klasë njerëzish, patriotë në shpirt e në veprime, që arritën ta përmbushin misionin që iu vuri përpara koha: Shpëtimin e Shqipërisë nga rreziku dhe ndërtimin e themeleve të zhvillimit të saj. Megjithatë, në thelb, kjo mund të quhet “elita romantike” shqiptare. Elita që arrin të krijojë një opinion publik të fortë e të kristalizuar, deri në atë shkallë sa ta rrëfejë veten e vet si një fuqi udhëheqëse bindëse në zhvillimin e jetës sonë shoqërore, me dorë në zemër dhe me thjeshtësinë e ndershmërisë intelektuale, duhet thënë se nuk ekziston ende edhe sot në ato nivele për të përballuar sfidat që ka shoqëria shqiptare. Ky ka qenë “kalvari” ynë i dhimbshëm i gjithë këtij shekulli, edhe atëherë kur kemi jetuar dhe përparuar në forcimin dhe konsolidimin e tipareve spikatëse të shtetit, demokracisë, kulturës dhe qytetërimit shqiptar.
Kryelartësia, si një dozë e theksuar e individit shqiptar, nuk gjendet aspak e përunjur në mendjen e ftohtë të intelektualitetit tonë. Përtej spikatjes së nevojshme, një shumicë e njerëzve tanë të kulturës e ndjejnë veten sikur kanë zbritur nga qielli “të veshur me mantelin e gjenive”, që dinë gjithçka e nuk ndiejnë nevojën të ndalen sa më shpesh në një kënd e të mendojnë për kuptimin, për parimet, për sistemet e shkencave filozofike dhe shoqërore. Janë, pikërisht këto të fundit, me themelin e tyre klasik dhe edukues, ato që i kanë munguar dhe po i mungojnë formimit dhe kulturës sonë të përgjithshme, duke na lënë të biem shpesh në krahët e shtetit aktual shqiptar të cilit as që i shkon ndërmend se diçka duhet të programojë dhe diçka duhet të bëjë në këtë drejtim. Në vend që të ulemi e të studiojmë me thellësi e seriozitet se ç’kanë shkruar klasikët dhe udhëheqësit e shkencave të veçanta, t’i shqyrtojmë dhe analizojmë idetë dhe parimet e tyre, qoftë edhe negativisht, e quajmë më të përshtatshme t’i lemë mënjanë të gjitha këto e të mos krijojmë kështu atë marrëdhënie të brendshme, atë nyjë lidhëse dhe vazhduese në fazat e mendimit shqiptar. Kjo rrugë është një rrugë e vështirë, do durim, do mundim, do sistem i cili nuk ekziston. Është ky ai “kalvar” nëpër të cilën intelektualiteti ynë s’ka dashur apo s’ka mundur të kalojë, duke mos e kapërcyer dot normën e sipërfaqësueshmërisë, apo leksë -kulturën që ajo lë pas gjithmonë. Një veçanësi tjetër që sjell në këtë rezultat, është edhe mungesa e një edukate të shëndetshme intelektuale e individit shqiptar. Është e turbullt dhe shumë e dyshimtë lloji dhe cilësia e përgatitjes sonë shkencore. Shikoni çfarë paradoksi që ka sot me Akademinë tonë të Shkencave. Produktin e detyrueshëm shkencor e ka zëvendësuar burokracia sajuese e titujve të rremë, ceremonive boshe dhe gradave shkencore pa produkt real shkencor. Një fenomen i padurueshëm shoqëror që do revoltonte çdo shoqëri. Nëse parashtrohen p.sh. themelet e një sistemi apo lëvizje idesh, çështja e kuptimeve të drejta, bazuar në gjurmime të sakta filozofike, është një çështje kryesore në formimin e shëndoshë intelektual. Ky ka qenë një defekt i vazhdueshëm i ardhur si pasojë e konsiderimit të nocioneve të “kulturës” dhe “intelektualitetit” në mënyrë të gabuar. Në vetvete, intelektuali i vërtetë është njeriu që përmbledh dy cilësi kryesore: së pari, të zotërojë një ide të qartë, një dituri të plotë mbi botën dhe rrjedhën e historisë njerëzore që nga lindja e deri më sot, gjerësisht, në çdo pikëpamje. Së dyti, dhe më kryesorja, është që gjykimit të përgjithshëm të njerëzimit të jetë në gjendje t’i shtojë edhe mendimin personal. Atëherë, do të mund të shtrohet pyetja, mos vallë intelektual është dikush që studioi në një universitet të huaj dhe fitoi një diplomë? Jo, shumë herë jo. Nga ana tjetër, ka shumë njerëz në Shqipëri, të vjetër dhe të rinj, të cilët kujtojnë se duke mbaruar një shkollë apo një universitet kanë përfituar edhe patentën e intelektualit. Kjo të bën të pyesësh përsëri: A janë vallë kultura, diploma, intelektualiteti për kolltuk, apo kolltuku është vetëm për ta? Të gjitha këto koncepte të intelektualitetit janë të gabuara, pasi për të qenë, doctus ose i ditur, nuk mjafton vetëm doktoratura, nevojiten aq shumë cilësi të tjera shoqërore, morale dhe etike.
“Unë di sepse jam një intelektual, një shkrimtar që kërkon të ndjek pas gjithçka që ndodh, të njoh gjithçka që shkruhet, për të imagjinuar gjithçka që nuk dihet ose që heshtet; për të koordinuar edhe fakte të largëta me njëri-tjetrin, që arrijnë të bëjnë bashkë copat e çorganizuara dhe fragmentare të një tabloje të tërë, koherente, politike, për të vendosur logjikën aty ku duket të mbretërojë arbitrariteti, marrëzia dhe misteri”. Kështu, shkruante në vitet ‘70 shkrimtari Pier Paolo Pazolini mbi rolin e intelektualit.
“Populli, në përgjithësi, nuk zgjedh kurrë njerëz intelektualisht më të lartë”, shkruante dikur Branto Merxhani. Ai s’është në gjendje as ta bëjë një gjë të tillë. Kriteret, mbi bazat e të cilave populli zgjedh prijësit e vet, janë kudo kritere speciale dhe të veçanta. Janë kritere të çastit. Për këtë arsye, sqaronte ai, prijësit politikë të popujve nuk janë njëkohësisht prijësit intelektual të tyre. Për fat të keq, gjendja dhe veprimi politik shqiptar në mënyrë konstante dhe të përhershme s’ka ndjerë asnjë nevojë për të bashkëpunuar me intelektualët. Kjo është tipike. Edhe atje ku ka arritur të shfaqet një bashkëpunim i tillë, kjo ka ndodhur sa për formë dhe është mbajtur vetëm për ruajtjen e aparencës, duke rënë pikërisht në prehrin e vetëgënjimit. Klasës sonë politike ose mask politikanëve tanë u mbulon bezdia tërë trupin të rrinë apo të dëgjojnë këshillat e ndonjë intelektuali, por janë të fiksuar mbas oligarkëve dhe pse publikisht thonë të kundërtën. Intelektualët këtu nuk i do, nuk i konsideron dhe nuk i respekton as politika as pushteti sepse ata notojnë detin e dijes dhe jo të parasë. Është kjo një tipologji tjetër e populizmit tone politikë, të shfaqur në mënyrë më të shpeshtë në qeverisjet e majta por edhe të djathta sidomos tek opozita e sotme e PD-së, mendon se flet ndryshe për të mbuluar kuptimin dhe domethënien e vërtetë, atë të demagogjisë.
Më tepër se të gjitha kategoritë e tjera social-historike, intelektualët jetojnë në atë shtegun e ngushtë të një shpati mali që ndan, por dhe bashkon, revolucionin nga reagimi. Një shteg ky, që shumë udhëheqës të këtij tranzicioni shqiptar në demokraci, në mos të themi e kanë shpërfillur e kanë kaluar ashtu si pa e kuptuar. Ja, pse, jeta politike nëpër të cilën rrokulliset organizimi i shtetit tonë, ka nevojë për më shumë ndriçim, d.m.th. ka nevojë për udhëheqës që të mund ta lartësojnë veten mbi logjikën e imponuar të ditës, për njerëz që e kuptojnë drejt kohën historike dhe i ndjejnë fund e krye nevojat e saj, por mbi të gjitha për njerëz që kanë guxim të thonë gjithçka shohin e mendojnë dhe jo të rrotullohen brenda vetes së tyre.
Megjithatë, sidomos në këto vitet e fundit, zëri i ndërgjegjes kritike të intelektualëve shqiptarë duket të jetë mekur deri në masën e zhdukjes. Njerëzit tanë të kulturës duket të jenë “ngujuar” gjithnjë e më shumë në “fortesat” e profesioneve të tyre, jo vetëm prej shkëputjes së qëllimtë, por edhe pse jeta shqiptare i ka shtrënguar ata t’i binden e për më tepër t‘i përgjigjen ligjeve të shitjes dhe fitimit. Tregu sot është bërë fuqia që nuk lë të shpëtojë askënd prej këtyre “profesionistëve të kulturës” për të dalë jashtë prej “marifeteve” të tij, falë trysnisë së kllapave që i vendos, të tilla si çelja dhe mbyllja me komandën e pushtetit dhe oligarkisë financiare të kanaleve të spikatjes dhe komunikimit, në favor të shumë të tjerëve të etiketuar si intelektualë, por që vuajnë “dyshimin” popullor të moralit dhe cilësisë. Intelektualët të “reduktuar” në cilësinë e interpretuesve, shqetësohen më tepër të lehtësojnë dhe “lubrifikojnë” ingranazhet e tyre të komunikimit për ti “shitur” kështu sa më mirë aftësitë dhe resurset e tyre në këtë treg. Ndaj, Shqipëria është kthyer tashmë në një vend aspak “joshës” për të rinjtë, për shkak të pamundësisë së punësimit dhe shpresës që ofron për ta; por, po e njëjta gjë mund të thuhet edhe për intelektualët. Ata nuk janë zhdukur, por janë asgjësuar nga parëndësia që pushteti dhe politika tregon për ta. E vetmja mënyrë për të rezistuar është të bësh pjesë në “trupin e mediave të mëdha” proqeveritare, që gjithsesi kanë shumë pak poste për të ofruar, duke lënë jashtë saj shumë mundësi e kapacitete që duan të rroken e të shfaqen. Aq më tepër që teknologjia dhe rrjetet sociale, kanë krijuar një realitet të ri ose më mirë një realitet të dyfishtë, ku nevojiten kësisoj “mjete” të reja për të ndikuar. Pasi, nga njëra anë, demokracia e rrjeteve nisi të shfuqizojë dalëngadalë intelektualët në cilësinë e tyre vendimtare si pedagogë, edukatorë dhe ndërgjegjja kritike e shoqërisë. Por, nga ana tjetër, “popullsia” e tyre është gjithmonë në një kërkim të ethshëm për zëra autoritarë, për t’u orientuar sa më drejt në një botë “hipersociale” ku nuk ekziston më një qendër, por një mori qendrash dhe nënqendrash, që përbëjnë labirintin rrjetëzor të bashkëkohorësisë.