Nga Azgan Haklaj
– Maqedonia, më 30 shtator, vulos me votë të ardhmen e saj europiane, pro NATO-s dhe BE-së. Shqiptarët përcaktues.
-Të hanen beteja për ta çliruar “Rrugën e Kombit”.
Nëntorët e Lirisë 1443-1912-1944 janë trinomi i historisë sonë kombëtare shqiptare. Ata janë kryefjala e kësaj historie për faktin se lidhen me çlirimin e Atdheut nga otomanët, shpalljen e Pavarsisë dhe dëbimin e pushtuesve nazistë. Këto data janë epilogu i 3 etapave historike. Por nëse vëren me vëmendje kalendarin e ngjarjeve madhore e përcaktuese për fatet e lirisë, përpjekjet për krijimin e institucionit të shtetit si gur themeli i ardhmërisë së Kombit Shqiptar, shtatori është djep betejash të mëdha, kuvendesh kombëtare e konstitucionale, që kanë përcaktuar fatet e Kombit Shqiptar.
Më dt. 2 shtator 1457 në betejën homerike të Albulenës Ushtria Shqiptare e komanduar nga kryetrimi Gjergj Kastrioti i dha goditje vdekjeprurëse Ushtrisë Turke dhe separatizmit e tradhëtisë së feudalëve dhe i hapi rrugën krijimit të Shtetit të Përqendruar Arbëror.
Katër shekuj më vonë Lidhja Shqiptare e Prizrenit, që këtë vit shënoi 140- vjetorin, Kuvendi më i rëndësishëm pas Besëlidhjes së Lezhës, krijoi Ushtrinë e saj vullnetare për t’u dalë zot trojeve shqiptare. Pagëzimi e fitorja e parë e madhe e Ushtrisë së Lidhjes së Prizrenit ka ndodhur pikërisht me dt. 3-6 shtator në Gjakovë ku luftëtarët shqiptarë ekzekutuan marshallin turk Mehmet Ali Pashë Maxharri e tradhtarin Abdullah Pashë Drenin dhe mbështetësit e tyre.
561 vjet pas fitores madhështore të Albulenës në ditën e parë të shtatorit të vitit 1928 Asambleja Kushtetuese Kombëtare e shpalli Shqipërinë Mbretëri Parlamentare dhe Ahmet Zogun Mbret të Shqiptarëve, duke i hapur rrugën krijimit dhe konsolidimit të Shtetit Modern Shqiptar.
Më 16 shtator 1942 ishin 20 delegatë, përfaqësues të krahinave e besimeve të ndryshme fetare, klasa e shtresa me besime politike të ndryshme, u mblodhën në Kuvendin Kombëtar të njohur si Konferenca e Pezës. Kjo ngjarje historike, e organizuar dhe sponsorizuar nga nacionalistët shqiptarë, u tradhëtua nga komunistët, të cilët të dirigjuar nga Partia Komuniste Jugosllave, i braktisën parimet themelore të saj, bashkimin kombëtar dhe ndërtimin e një shteti demokratik. Përveç Enver Hoxhës, Myslim Pezës, Haxhi Lleshit, historiografia komuniste ka shpallur tradhtar të gjithë delegatët e Konferencës së Pezës, Abaz Kupin, Azis Çamin, Ndoc Çobën, Skënder Muçon, Halim Begejën, Ismail Petrelen, Ymer Dishnicën, Mustafa Gjinishin, etj.
Sot pas 8 dekadash falangat e kuqe të sponsorizuara nga Sulltan Rama marshojnë në Pezë si dikur fashistët e Musolinit mbi Romë, duke tundur portretin e diktatorit dhe flamurin me drapër e çekan. Përdhosja e Pezës nacionaliste e antifashiste dhe e veprës së patriotëve të shquar, që e organizuan atë, është një atentat e krim i shëmtuar ndaj historisë e dinjitetit kombëtar dhe të ardhmes tonë të përbashkët.
Më dt. 14 shtator 1943 ranë martirët e Grehotit në luftë me pushtuesit italianë.
Ranë në altarin e lirisë 37 dëshmorë të Atdheut në krye me Hysni Lepenicën. Historiografia komuniste kishte fallsifikuar realitetin dhe për 45 vjet persekutoi familjarët e tyre në mënyrën më ç’njerëzore.
Më 9 shtator 1946 shpërtheu Lëvizja Antikomuniste e Postribës, e para në Europën Juglindore. Ajo shpërtheu në një kohë kur në Këlmend vepronte çeta e Prekë Calit, në Malësi të Madhe forcat e Llesh Marashit, në Kastrat forcat e Nikë Gjelosh Gjikës. Korifejtë e Lëvizjes së Postribës ishin Osman Haxhia e Jup Kazazi. Kjo Lëvizje parashikoi se çfarë të ardhme mizore do të kishte Shqipëria komuniste diktatoriale, prandaj ka vlera të padiskutueshme gjeo-politike, sociale dhe qytetare. Ajo ishte Lëvizje e atyre që nuk besuan kurrë tek Komunizmi. Të parët e tyre kishin marrë pjesë në mbrojtjen e Ulqinit të udhëhequr nga Tahir Bajraktari. Burrat e Postribës kishin luftuar trup me trup me malazezët për Mbrojtjen e Shkodrës në vitet 1912-1914. Në vitin 1939 u shquan në luftën kundër fashistëve italianë.
Më dt. 9 shtator 1946 një grup prej 200 vetash, i guximshëm, por i pa organizuar mirë, sulmoi kazermat ushtarake e ndërtesat qeveritare, por pa sukses. Përleshja me forcat e sigurimit vazhdoi deri në mëngjes kur sulmuesit u tërhoqën. Kjo Lëvizje nuk pati shumë viktima në fushën e betejës, por pati shumë në ditët në vazhdim. Batalionet e sigurimit invaduan në katundet e Postribës e pushkatuan dhjetra vetë pa gjygj. Brenda një muaji në qytetin e Shkodres u banë 11 burgje provizore duke i mbushur me të arrestuar nga pjesëmarrsit në Lëvizjen e Postribës. Ndonëse u shtyp kjo Lëvizje la gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë kombëtare duke paralajmëruar se çfarë pushteti mizor po instalohej dhe çfarë krimesh monstruoze do të bënte 45 vjet.
Sot Kosova është e lirë dhe e pavarur. Por 3 dekada më parë kjo ishte e paimagjinueshme.
Më dt. 7 shtator 1990 gjeniu i politikës, Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova dhe burrat mendjendritur e vizionarë të Kosovës shpallën Kushtetutën e Kaçanikut, gurëthemelin e Lirisë dhe të Pavarsisë së Kosovës.
4 shtatori i vitit 2016 është një ngjarje kulmore në historinë e re të Kombit Shqiptar. Në këtë ditë u shenjtërua Nanë Tereza, bija e shqiptarja më e madhe e historisë duke u ngjitur në nderin e altarëve dhe në panteonin e historisë së njerëzimit. Tani Kombi ynë e ka një avokat tek Zoti, siç shprehej me të drejtë Rrok Mirdita. Historia e kombeve është një sprovë e kujtesës dhe ndërgjegjes nacionale.
Makiavelistët dhe kolabaracionistët në Shqipëri dhe Kosovë duket se nuk kanë mësuar asgjë nga historia e vendit të tyre.
Pikërisht në Vitin Kombëtar të Gjergj Kastriotit, në Shtatorin e Albulenës së fitorës se tij përfundimtare mbi turqit, betejës së parë të Ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Konferencës së Pezës, Kushtetutës së Kaçanikut, shtatorin e “mbretëreshës së qiejve” Nanë Terezës, Referendumit për Maqedoninë Europiane, ku vota shqiptare është përcaktuese janë vendosur në llogoren e kundërt të historisë Edi Rama dhe Hashim Thaçi.
Edi Rama, ky Esad Pashë i Mijëvjeçarit të Tretë, po shkatërron çdo gjë që lidhet me kujtesën tonë historike e kombëtare.
Ai ka vendosur për të shembur kryetempullin e kulturës, Teatrin Kombëtar.
Për interesat e tij utilitate në bisedime të fshehta me Grekët ka shitur pasuritë kombëtare.
Ka pushkatuar Kauzën Çame.
Ka shitur detin.
I ka dhuruar Erdoganit Portin e Vlorës.
Ka vendosur kufirin në Rrugën e Kombit, duke këputur në gijotinë arterien që lidh gjymtyrët e Kombit, prandaj të gjithë shqiptarët, më dt 17 shtator 2018 duhet ta ndalin këtë atentat ndaj bashkimit kombëtar e t’i thonë “Jo” traut pa alternativë dhe jo taksave të spahijëve të Sulltan Ramës.
Hashim Thaçi, kundër çdo të drejte historike, morale e kushtetuese, kërkon korrigjim kufijsh me Serbinë dhe nxjerrjen në pazar të Trojeve Shqiptare, për t’i dhanë mundësi Vuçiçit që të vendosë për kusht Paketën Ekonomike për të përfituar ekonomikisht, siç bëri me deklaratën e fundit.
Mesa duket në vend të kostumit të De Golit, miku i Ramës dhe Erdoganit, ka veshur kostumin e Vishisë për të pozuar në bisedimet me Serbinë.
Një shekull më parë Garibaldi shqiptar, Isa Boletini, kaloi La Manshin e shkoi në Londër për të mbrojtur trojet shqiptare që sot Hashim Thaçi i ka nxjerrë në ankand. Pyetjes së ministrit të Jashtëm të Londrës se: “A keni ardhë ketu për Mitrovicën?!”, Heroi ynë iu përgjigj me krenari e vendosmëri: “S’kam ardhë këtu zotni vetëm për Mitrovicën, por për çdo pëllëmbë të Trojeve Shqiptare”.
Shtatori është muaji i kujtesës tonë historike dhe i krenarisë kombëtare shqiptare.
Ky muaj i bekuar është një barrikadë e pakapërcyeshme për endërrat otomane, pansllaviste për Federatë Ballkanike, “Jugosllavi të Re” apo “Serbi të Madhe” që ju prish gjumin Erdoganit, Putinit, Vuçiçit, Ramës e Thaçit.
Ky është shtatori i madh i shqiptarëve, i Moisiut tonë Gjergj Kastrioti (Skënderbeu), i Shën Terezës, i Ymer Prizrenit, i Sylejman Vokshit, i Abdyl Frashërit, i Ibrahim Rugovës, Adem Jasharit, Ramush Haradinajt, Ali Ahmetit.
Me dt. 17 shtator Rama do ta marrë pergjigjen në Rrugën e Kombit nga reagimi i uraganit popullorë.
Me dt. 19 shtator kumbaret e Erdoganit: Rama, Thaçi e Vuçiçi, do të dështojnë në skenarin e ideuar nga Putini.
Në Referendumin e Maqedonisë shqiptarët do të jenë garant e përcaktues, me votën e tyre do të vulosin: Maqedoni Europiane, antare e NATO-s dhe e BE-së.
Do të përserisin historinë, ashtu si shqiptarët e Malit të Zi që përcaktuen me voten e tyre shkëputjen e kësaj republike nga Serbia dhe Shpalljen e Pavarësisë. Me votën e tyre e imponuan antarësimin e Malit të Zi në NATO dhe Qeveria Malazeze mbeti properëndimore.
Shqiptarët e Republikës së Maqedonisë do ta gëzojnë Statusin e Shtetformimit të barabartë me maqedonasit, të përcaktuar qartë në simbolet e këtij shteti dhe të gjitha të drejtat kombëtare e kushtetuese, si qytetarë me identitet të qartë kombëtar historik e kulturor.
Skeptikët bajnë mirë t’i referohen Republikës së Krushevës të vitit 1902 ku shqiptarët, bullgarët dhe maqedonasit kishin të drejta e raporte të barabarta të sanksionuara këto dhe në vulen që përfaqësonte tre simbolet e tyre. Askush, mik apo armik i Shqiptarëve, nuk mund të mos pranojë realitetin e ri historik e të anashkalojnë faktin se tashma Shqiptarët janë një komb determinues e faktor vendimtar për paqen e sigurinë në Ballkan.
Ata nuk do të munden t’i ndajnë e aq me pak t’i negociojnë në tavolina kulisash të frymëzuara nga qarqe e ideologji antishqiptare të drejtat e tyre historike e kombëtare. Ky është Shekulli i Shqiptarëve, i realizimit të kauzës së tyre, të drejtës hyjnore të krijimit të Shtetit Komb, si garanci e mbrojtjes së Lirisë dhe e të ardhmes tyre.
Komuna e Tuzit dhe statusi i saj është dallandyshja e parë e pranverës së përbashkët të Shqiptarëve.