Presidenti i European Chambers, Christoph Leitl kërkon marrëdhënie më të mira tregtare brenda rajonit. Mungesa e zbatimit të ligjit dhe korrupsioni janë pengesa për investime të huaja në Shqipëri.
Deutsche Welle: Cili është qëllimi i vizitës tuaj në Tiranë?
Christoph Leitl: Shqipëria është pjesë e familjes sonë ekonomike europiane ashtu si edhe 5 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor (BP) me dhomat e tyre respektive të Tregtisë dhe Industrisë. Jam në Tiranë pasi vendeve të BP u duhet dhënë më shumë përspektivë europiane. Nga ana tjetër, BE pret fakte, jo premtime nga këto vende, sidomos në dy drejtime: zbatimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Si president i European Chambers konstatoj që marrëdhëniet tregtare mes 6 vendeve të BP nuk janë zhvilluar në dekadën e fundit. Si mund të futeni në tregun europian, kur nuk jeni të aftë të keni marrëdhënie të mira tregtare në rajonin tuaj? Duhet forcuar bashkëpunimi mes vendeve të BP. Një nga fjalët e mia kyҫe gjithmonë është “Së bashku”.
Si do t’i përshkruani marrëdhëniet mes BE dhe BP nga këndvështrim i biznesit?
Christoph Leitl: Ka shumë simpati, respekt për atë që ky rajon ka përballuar me forcat e veta. BE mund dhe duhet ta ndihmojë BP. Vende e tij, përfshirë edhe Shqipërinë janë pjesëmarrëse në disa programe të BE, të para pranimit. Kjo forcon lidhjet mes BP dhe BE. Për Shqipërinë kam një kritikë: duhet të bashkëpunojnë partitë kryesore, dhomat e Tregëtisë dhe të Industrisë. Në Shqipëri së bashku mund të bëni shumë gjëra, të bindni BE se jeni gati për anëtarësim. Nëse luftoni se brendshmi kundër njëri-tjetrit, kjo do t’ju kushtojë shumë burime, motivim dhe pranimi i Shqipërisë jashtë saj do të vihet në pikëpyetje.
Cilat janë ankesat kryesore të anëtarëve të EuropeanChambers kur kërkojnë të investojnë në Shqipëri apo në përgjithësi në BP?
Christoph Leitl: Mungesa e zbatimit të ligjit dhe korrupsioni. Nëse nuk zbatohen ligjet, nëse nuk ka një bazë ligjore për investimet, për pronën, investitori europian nuk vjen. Ai kërkon siguri për investimin e vet. Korrupsioni është helm dhe kush helmohet njeherë nuk vjen më.
Kur i shihni ju vendet e BP anëtare të BE? A është viti 2025 një datë realiste apo vendet e BP duhet të presin edhe përtej kësaj date?
Christoph Leitl: Nuk do të ketë një pranim të përbashkët për vendet e BP. Çdo vend duhet të plotësojë vetë kapitujt e negociatave dhe të përmbushë pritshmëritë e BE. Psh Shqipëria po bën shumë për të adaptuar legjislacionin e saj me atë të BE. Po kjo nuk do të thotë që në mënyrë automatike ndryshimet ligjore do të ndryshojnë realitetin. Korrupsioni nuk është kurrë formal.
Liderët e BP theksojnë që nëse perspektiva europianë shtyhet më tej në kohë, atëhere ka rrezik që aktorë të tjerë si Rusia, Kina,Turqia të rrisin praninë dhe ofertat e tyre në një rajon me stabilitet vulnerabël dhe ekonomi të dobët si BP. Sa real është ky rrezik nga këndvështrimi i EuropeanChambers?
Christoph Leitl: Si president i Platformës Globale të Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë, e di se ҫfarë po ndodh rreth e rrotull. Rusia është e rëndësishme në Ballkan, SHBA kanë gjithashtu interesa në rajon. Ekonomia europiane është e hapur. Ne pretendojmë të njëjtën hapje edhe nga të tjerët Duam rregulla të ndershme, konkurrim të ndershëm. Nuk ka problem nëse në rajon vijnë investitorë të tjerë. Ne duhet të dimë që identiteti ynë është Europa. Ne kemi një interes të përbashkët europian për rajonin.
Çfarë duhet që Zona Rajonale Ekonomike në BP, produkt i rëndësishëm i procesit të Berlinit, të forcohet të gjenerojë vende të reja pune dhe përmirësim të jetesës së qytetarëve në rajon?`
Christoph Leitl: Më shumë besim. Në të gjitha nivelet. Në atë bashkiak, të qarkut dhe shtetëror. Këto 3 nivele që nuk janë të lidhura, nuk bashkëpunuese me njëri-tjetrin. Investitori kërkon besim dhe siguri.
Arsimi profesional, transferimi i dijeve, i zanateve tek brezi i ri janë përparësi për EuroChambers. Rinia e Shqipërisë,dhe në përgjithësi e BP edhe kur e merr arsimin profesional, edhe kur ka një punë synon emigrimin në Gjermanu, Austri, SHBA, Kanada etj. Si e shihni këtë dukuri?
Christoph Leitl: Emigron sepse ka pagë 2 – 3 herë më të lartë, perspektivë më të mirë jetese. Që brezi i ri mos të emigrojë duhet që këtë perspektivë ta ketë në vendin e vet. Brezi i ri duhet të ketë perspektivë jete, të iki dhe rikthehet. Pra, jo mos ikni por planifikoni kthimin e tyre. Në fakt, rinia në rajon po humbet durimin, perspektiva europiane në 2025 mund të shtyhet më tej.
A ka rrezik që zgjedhjet europiane në maj 2019 të ndikojnë negativisht në perpektivën europiane të BP, në politikat e zgjerimit të BE?
Christoph Leitl: Po, ka. Nëse forcat politike populiste, neo-nacionaliste dhe separatiste në Parlamentin Europian do të fitojnë, projekti i zgjerimit të BE me vendet e BP rrezikohet. Anëtarët e rinj të BE do të kenë nevojë për më shumë solidaritet, ndihmë, mbështetje. Nëse nuk ka vullnet politik për ta përballuar këtë, atëhere projekti europian është në një situatë të vështirë. Projekti europian nuk duhet braktisur, identiteti europian duhet tani më shumë se kurrë më parë.
Christoph Leitl është politikan i njohur austriak, President i Dhomave Europiane të Tregtisë dhe Industrisë, President i Platformës të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë.
Intervistën ekskluzive e zhvilloi Ani Ruci