Një raport i Komisioneres së Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatović, i bërë publik sot, thekson se “në Shqipëri, mbrojtja e fëmijëve dhe përfshirja e personave me aftësi të kufizuara është përmirësuar në Shqipëri, por autoritetet ende duhet të adresojnë mangësitë e mbetura”. Raporti pason vizitën e zonjës Mijatović në Shqipëri, majin e kaluar e cila u përqendrua në të drejtat e fëmijëve, të drejtat e njeriut të personave me aftësi të kufizuara dhe aksesin në ndihmë juridike falas.
Ndërsa përshëndet faktin se Shqipëria ka ndaluar të gjitha format e dhunës ndaj fëmijëve – përfshirë edhe ndëshkimin trupor – në të gjitha mjediset, Komisionerja shprehet e shqetësuar për shkallën e lartë të dhunës që raportohet ende. “Autoritetet duhet ta trajtojnë këtë problem në një mënyrë më sistematike dhe më efektive. Për këtë qëllim, ata duhet të miratojnë dhe zbatojnë një strategji të koordinuar duke vënë në jetë rekomandimet e Grupit të Ekspertëve të Këshillit të Evropës mbi Veprimin kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje;, duke forcuar kapacitetet e shërbimeve të mbrojtjes së fëmijëve dhe profesionistëve të arsimit për të identifikuar dhe për t’iu përgjigjur dhunës si dhe duke nxitur format pozitive dhe jo të dhunshme të rritjes së fëmijëve “.
Komisionerja e Këshillit të Europës, ka ngritur me shqetësim në raportin e saj dhe çështjen e rreth 700 fëmijë që ende jetojnë në institucione të kujdesit, “ndonjëherë për periudha shumë të gjata kohore pa ndonjë perspektivë të qartë për t’u larguar para se të bëhen të rritur”. Duke nënvizuar se standardet e Këshillit të Evropës kërkojnë që vendosja e fëmijëve në institucione të tilla të mbetet e jashtëzakonshme, komisioneri Mijatović rekomandon përshpejtimin e procesit të deinstitucionalizimit dhe parandalimin e vendosjes së fëmijëve në kujdesin shtetëror, duke përfshirë edhe më shumë mbështetje për familjet që rrisin fëmijët dhe duke zhvilluar një sistem efektiv e shërbimeve familjare.
Probleme vërehen në raporti edhe për arsimimin veçanërisht të romëve dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara. “Autoritetet duhet të sigurojnë përfshirjen e fëmijëve romë në arsimin e zakonshëm duke punuar ngushtë me prindërit e tyre dhe duke rritur përpjekjet për përfshirjen e romëve në arsimin parashkollor”, shprehet komisionerja Mijatović. Sa i përket fëmijëve me aftësi të kufizuara, kërkohet që autoritetet t’u sigurojnë atyre mbështetjen e nevojshme individuale dhe akomodimin e arsyeshëm në mjediset e arsimit të zakonshëm.
Raporti vë në dukje se për shkak të emigracionit rreth 4 900 persona, rezultojnë të jenë pa shtetësi ose në rrezik të pashtetësisë, shumë prej të cilëve janë romë, duke përfshirë edhe shumë fëmijë. Komisionerja u bën thirrje autoriteteve që të trajtojnë këtë çështje në përputhje me detyrimet e Shqipërisë për të drejtat e njeriut, duke përfshirë krijimin e një procedure të dedikuar për përcaktimin e pashtetësisë.
Ndërsa, sa i përket mbrojtjes dhe përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara, Komisionerja Mijatović, rekomandon një zbatim më të mirë të legjislacionit, zgjidhjen e problemeve strukturore në sistemin e kujdesit social dhe përmirësimin e qasjes në arsim cilësor dhe në punësim. Komisioneri Mijatoviç gjithashtu u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të shqyrtojnë legjislacionin që bën të mundur privimin e personave me aftësi të kufizuara intelektuale ose psikosociale të kapacitetit të tyre ligjor dhe si rrjedhojë të të drejtave të tyre civile dhe politike. “Autoritetet duhet të harmonizojnë ligjin dhe praktikën vendore me standardet e OKB-së dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut” me qëllim që të sigurojnë që këta persona mund të ushtrojnë të drejtat dhe detyrimet e tyre ligjore në baza të barabarta me të tjerët në të gjitha aspektet e jetës .
Raporti, përshëndet miratimin e ligjit që zgjeron kategorinë e personave që përfitojnë nga ndihma juridike dhe Komisionerja u bën thirrje autoriteteve që të shtojnë përpjekjet e tyre në heqjen e pengesave të njerëzve të pambrojtur që ende përballen në qasjen në drejtësi.