Trumpi nënshkroi buxhetin rekord të mbrojtjes

Me 716 milionë dollarë duhet të blihen në SHBA tanke të reja, avionë dhe anije luftarake. Por parashikohet edhe rritja e numrit të ushtarëve dhe financimi i një lloj armate për gjithësinë.

USA Präsident Donald Trump in der Militärbasis Fort Drum (picture-alliance/dpa/C. Kaster)

“Ky është investimi më i rëndësishëm në ushtrinë amerikane në historinë moderne”, tha presidenti amerikan Donald Trump, pas nënshkrimit të buxhetit të mbrojtjes për vitin 2019, në një bazë ushtarake në Fort Drum, rreth 400 kilometra në veriperëndim të Nju Jorkut. Me këto para do të zëvendësohen tanket e vjetra, avionët dhe anijet e deritanishme me modele të reja. Numri i ushtarëve do të rritet për 15.600 burra dhe gra, ndërsa rrogat e tyre do të rriten për rreth 2,6%.

Ndalimi i eksportit të avionëve tek partnerët e NATO-s

Ligji për Pentagonin parashikon edhe disa ndryshime interesante, ndër to edhe ndalimin e eksportimit të avionëve F-35 në Turqi. Ndalimi i eksportit të avionëve për partnerët në NATO është pasojë e shkallëzimit të konfliktit të SHBA me Turqinë, për shkak të ndalimit në këtë vend të priftit amerikan Andrew Brunson. Masa ndëshkuese do të mbetet në fuqi deri në vendimin e Ankarasë që të mos furnizohet me teknologji ruse. Ligji parashikon edhe kufizime të tjera të bashkëpunimit ushtarak me Rusinë.

Trumpi i ka mbrojtur njëkohësisht edhe planet e tij për krijimin e një armate për gjithësinë. “Sikur qielli, Toka dhe deti, edhe gjithësia është shndërruar në fushëbetejë”. Trumpi do që kjo armatë të jetë pjesë e ushtrisë amerikane. Forcat ushtarake për gjithësinë do ta forcojnë dominimin e SHBA ndaj konkurrentëve, tha Trump. Sipas tij, konkurrenca ka filluar ta “armatosë gjithësinë”. Trumpi ka paralajmëruar në veçanti nga Kina. Rusia po ashtu ka trupat e saj për gjithësinë, tha Trump.

Buxheti i Obamës edhe më i lartë

Zyrtarisht SHBA parashikon të ndajë 716 miliardë dollarë (627 miliardë euro) për buxhetin e mbrojtjes, që është një vlerë rekorde. Por Qendra për studime strategjike ndërkombëtare në Uashington ka llogaritur se tri buxhetet e para në kohën e Barack Obamës kanë qenë më të larta se ato të Trumpit. / D.W./