Ahmeti: Korrigjimi kufijve, fushatë mediatike

Kreu i BDI’së, Ali Ahmeti, ka komentuar idenë për korrigjimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se kjo është më tepër imagjinare dhe fushatë mediatike.

“Kosova ka institucione stabile dhe të përgjegjshme, që dinë të drejtojnë dhe menaxhojnë dhe Kosova ka partnerët e vet, NATO’n, SHBA, BE’në. Ka një opozitë mirë të organizuar, kështu që tani për tani nuk mund të bëjmë një vlerësim derisa nuk ka materie”, ka thënë ai.

Sipas tij, perspektiva e vetme e rajonit është ajo euroatlantike.

“Rajoni është në rrugë të mbarë në integrimet integruese. Çështja e pazgjidhur akoma është në Serbi sa i përket demarkacionit dhe kjo duhet të ketë një epilog, që nuk është e lehtë”, ka thënë Ahmeti për televizionin publik të Kosovës.

Idenë për ndryshim e korrigjim kufijsh e ka nisur Presidenti Thaçi menjëherë pasi kishte dështuar të shfuqizonte Gjykatën Speciale. Në janar të këtij viti Zyra e Thaçit e kishte lënë të hapur idenë e bisedimeve me Serbinë, duke përfshirë edhe temën e kufijve.

Deri tash vetëm Gjermania e Britania kanë dalë krejtësisht kundër, ndërsa, vendet tjera kanë lënë të hapur mundësinë e çfarëdo marrëveshje me të cilën palët mund të pajtohen.