VIRGJËRESHAT

Tufalakim poetik nga Qazim SHEHU

 

Virgjëreshat

 

Virgjëreshat thirrën jetën

Jeta u kursye.

Xixat llavën u derdhën

Llava nuk u ngjye.

Atëhere hijen e burrave morën

Jetën mos e linin,

Kështu gjithë jetën torën

Dëshirë pas dëshire.

 

Për furrën që s`poq bukë

Për bukën e munguar,

Me një shtëllungë ëndrrash në furkë

Pa duar….

Ah,virgjëreshat sa i dhanë jetës

E jeta kurrë s`i desh,

Këto ngrënëse të vetvetes

Me femrën -diell sipër resh….

 

Çast

 

 Mali u hepua e ra

Në klithmën e një shpezi,

Vërshëlleu gjarpri në shulla

Kujtoi se preja erdhi.

Nga rrënjë tingujsh ,thellë

Erdh një shpëtim,

Gjarpri cfurkun e zjerë

E nguli në  ajrim…

Mali kryet mban

Në qiell i patundur

Dhe nga supet i ranë

Tinguj të shkundur…

I çau qetësia

E shkyer diku,

Dhe gjarpri sytë mbylli

I untë gjithashtu….

 

Lule thane

 

Uturon bora,mos thuaj se po shkrin

Bora po ndjell borën tjetër,

Sa budallaqe kjo bimë

Thane ,që nxori sytë e verbër,

Dhe lulëzoi papritur

Gënjeyer nga një kurm i fshehtë

I një pranvere të vjetër

Që ia hodh imazhin në rrënjë…

Dhe ç`bukuri ,pranë borës lulëzon

Nën flogjet e saj ndez bardhësinë

E gënjer  për shpërthimin

Deri në vjeshtë thana nuk e heq thartësinë….

 

Në cepin e rrugës

 

Ky gur në cep të rrugës

Ku u ulën qindra udhëtarë,

Nga fjalët e tyre është rrudhur

Dhe s`mundi të na thotë asnjë fjalë…

Ai i mban ato ndrydhur

Me durim prej guri,

Dhe ky gjelbërim i dehur

Dot s`ia shkëputi.

Dhe stuhia që i fryu

E rrahu pa mbarim

Sekretin s`ia shkëputi,

As edhe era me ledhatim.

Shirat me inat

Iu kthyen t`ia shplajnë

Dhe erërat ne vrap iu turrën

Tramundanë…

Ç`stoik i patundur

Ç`bestar kokëgdhë,

Dhe njeriu  në pasjetë

Tek koka e vë

Për këtë….

 

ik e ik e s`të rrihet

 

Ik e ik e s`të rrihet

Në një vend kurrë,

Kjo botë nuk nginjet

As nga ikjet

As nga ardhjet me bujë.

Kjo botë me ikjet

Zbukurohet shpesh

Lehtësohet e  ngrihet

Më e madhe para nesh.

Po shpesh një re

E vë mbi ballë,

Të heqë zjarrminë

E ikjeve dallgë dallgë…

 

Verbëri

 

Thellë e më thellë

Ku thellësia harron

Se është thellësi

Ecën verbëria ,botën bën,

I jep bukuri.

Mister dhe një gjumë harrese

Ndaj  vulgaritetit triumfus.

 

Ari i fjalës

 

Si besimtari që kërkon profetin

Shkretëtirës së pasosur

I kërkoj arin fjalës në letër

Nën hijen e saj të lodhur…

Ku fshihet gjurmë e tij

Drejt vetpërsosjes ikanike

Po gjej vetëm hi

Të ndritur.

Në këtë start u vunë

Si unë sa poetë,

Dhe thesaret  i shpunë

Të depozituara në një bankë resh.

Që mban aty lodhjet

Trishtimet dhe kërkimet,

Ari i fjalës nuk soset

Bashkë me të, dështimet….

 

Bregu i ëndrrës

 

Një breg sekret ëndrra ka

Gjithnjë drejt tij çon

Dallgë të mëdha

Që  vidhisen në hon.

Nga ky breg nis e fillon magjia,

Gjer tek ai ngjiten lart

Kujtesa dhe hutia.

Ankorohen aty

Batalione me dëshira,

Dhe dallga bregun shty

Tërhequr ngga largësia…

Dhe ik e ik ky breg

Në një oqean të pafund,

Si një kaike gjithë mllef

Harresën na përkund…

 

I veshur

 

I veshur me rroba ditësh ec

Si në një sallon aristokrat

S`jam simbolist  i veshur dandy

Po një fshatar delikat…

Në rafte kujtese plot trill

I stivos këto rroba,

Po m`i ha e i shpërfill

E trishtimit mola…

 

Mëri e flaktë

 

Mëri e flaktë e agimit

Ia hoqi prangat zgjimit.

Era, pëlhurat e natës

I zhduku ,ajo e di ku,

Dhe prangat e bardha

Ranë  breshër i thërmuar pa zhurmë.

Agimi  në një mëri që shkrihet

Në shndritjen e vesës përdëllimtare,

Tani e kanë radhën pasqyrat

Të grishin pamjet mëkatare…

 

Lule uji

 

Je lule uji në liqen të Lurës

Uji rrjedh drejt brigjesh të hutuar,

Je lule që s`mbillesh në tokë

Kërkon notarë për tu afruar….

 

Unë e ti..

 

Unë e ti një retiçencë

Si tri akuza për pretencë.

Si tre gurë mbajtur në gji

Si tri yje plot dalldi.

Kërkojmë një cektirë ku të kalojmë

Pikat e retiçencës si gur vau i vemë,

Me një pikëçuditëse si shkop,

Mbahemi me të, se në thellësi

S`hyjmë për not….

 

Kur…

 

Kur vjen i ftohtë nga bosht i tokës,

Siç thotë i madhi Kadare,

Më mirë sipër botës të shkosh

Hipur mbi një re.

 

Të shohësh si projektohet ferri

Jo nën tokë, po sipër saj,

Në male, fusha, dalin tepër

Fshatra,qytete të mëdha.

 

Të shohësh  akullnaja , shkrirë,

Pyje mbështjellë në flakë,

Me renë anije, më mirë

Në një planet tjetër të shkoje për pak…

 

Kodet e thinjura të moralit

 

Një mike do vijë s`do vijë

Dikush atë e tremb,

Kodet e moralit të thinjura

Nga shtërngatë e kohës-shkëmb.

Vallë si do e gjejë

Shtegun pa u diktuar,

Dhe veten si do gënjejë

Nga syri i përgjuar.

I gënjyer jam,s`do e gjejë kurrë

Këtë shteg,këtë mundësi,

Koka më shungullon furrë

O dashuri pa dashuri….

Një mike vjen e s`vjen

Fërfëllon dhe kodet ndesh

Edhe Don Zhuani me talent,

Nga loja do mposhtej si sylesh…

 

Shënim

 

Nuk shënoj histori njerëzish të mëdhenj,

Një ditë ndoshta bëhem,

Gjer tani s`mësova të gënjej

Mësova të tradhtohem.

 

Tradhtuar nga një fije bari

Kur s`ia ndjeva dhimbjen,

Tradhtuar dhe nga zjarri

Që ma ftohu shpirtin.

 

Historia ime mund të qe ndryshe,

Veç një kod i lashtë s`më lë,

Dhe një ndershmëri  fidanishte

Që e mbjell për vete e tjetërkë.

 

Historia ime i përket çastit

I bërë, i përpirë, i zhdukur,

Prej tij lindin fjalët

Zogj, gënjyer nga muzgu….