Thaçi: Jo ndarjes – Po bashkimit të Preshevës me Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se pikëpamja e tij për korrigjimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nënkupton refuzim të çdo ideje për ndarjen e Kosovës, por përfshinë kërkesën për bashkimin e Preshevës me Kosovën. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, presidenti Thaçi tha se ideja e tij nuk nënkupton as shkëmbim territoresh, ndërsa korrigjimi i kufijve sipas tij nuk paraqet ndonjë efekt domino për Kosovën apo rajonin.

Zëri i Amerikës: Zoti president, javëve të fundit është hapur debat për mundësinë e ndarjes së Kosovës. Ju keni përjashtuar ndarjen por keni shprehur mundësinë e korrigjimit të kufirit me Serbinë. Çfarë nënkupton korrigjimi?

Presidenti Thaçi: Definitivisht e ritheksoj edhe sot, në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, nga askush, nuk mund të imponohet ndonjë ndarje e Kosovës, por në të njëjtën kohë ne duhet të jemi të vetëdijshëm që shënimi i kufirit mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë, apo korrigjimi i kufijve. Çka nënkupton kjo? Kjo nënkupton se ne duhet që definitivisht në procesin e dialogut që do të ndodhë në të ardhmen, të punojmë që së bashku edhe me akterët ndërkombëtarë të vëmë kufirin Kosovë-Serbi. Tani kur në asnjë rrethanë nuk do të ndodhë ndarja dhe e ritheksoj shumë fuqishëm se diçka e tillë as që do të mund të hidhet në tavolinë nga Beogradi, që është një kërkesë e hershme e tyre. Por, ajo që mund të them, në kuadër të korrigjimit të kufijve tani më unë kam pritur në zyrën time përfaqësuesit e luginës së Preshevës të cilët e kanë bërë kërkesën dhe e kanë institucionalizuar në adresë të Kosovës, që të drejtën e tyre të deklaruar në vitin 1992 për t’iu bashkangjitur Kosovës si luginë e Preshevës, është diçka reale ,është një kërkesë e tyre e prezantuar tek unë të cilën definitivisht veç kam vendosur që pas kërkesës së tyre, do ta hedh në tryezën e dialogut në mënyrë që çështja e tyre të zgjidhet njëherë e përgjithmonë. Do të jetë shumë e vështirë, kjo kërkesë e tyre do t’i komplikojë dhe rëndojë edhe më tepër procesin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare, mirëpo ndjejë obligim moral, kombëtar, demokratik, kushtetues dhe ligjor diçka të tillë ta prezantojë në tavolinë.

Zëri i Amerikës: Nëse ju e hidhni në tavolinë çështjen e luginës së Preshevës, a prisni që të njëjtën gjë ta bëj edhe Serbia për veriun e Kosovës?

Presidenti Thaçi: Diçka e tillë ende nuk është dëgjuar nga askush, kërkesa për ndarje është e vazhdueshme jo vetëm në vitet e fundit, por është kërkesë historike e Serbisë,që i takon shekullit të kaluar. Unë e theksoj atë që unë do të ndërmarr, që do të thotë në kuadër të korrigjimit të kufijve, t’i themi shumë qartë jo ndarjes dhe po bashkimit të Preshevës me Kosovën.

Zëri i Amerikës: Si do të mund të ndodh një gjë e tillë?

Presidenti Thaçi: Mendoj se të gjithë janë dëshmitarë që duke punuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë duke punuar me seriozitetin më të lartë për finalizimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, duke punuar me përgjegjësi më të larta kushtetuese, ligjore por edhe vizionin e qëndrueshmërisë së të ardhmes mendoj se marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi do të përmbyllet me njohjen reciproke, që Kosova nuk do të ketë pengesa për t’u anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, vlerësoj se vetëm me këtë përfundim do të mund të ketë kuptim ajo marrëveshje. E ritheksoj, do të jetë një proces shumë i rëndë, i vështirë, i dhimbshëm por dua të shpresoj që të jetë fitues me një marrëveshje të balancuar të të dy palëve dhe që një marrëveshje e dyanshme e palëve të përfshira në proces do të jetë e pranueshme edhe për Bashkimin Evropian, edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe për NATO-n. Një marrëveshje e vullnetshme e dyanshme e palëve Kosovë-Serbi, do të jetë e parezistueshme në kuptimin e pranueshmërisë edhe prej faktorit ndërkombëtar dhe askush nuk mund dhe nuk do të del kundër.

Zëri i Amerikës: Duke përfshirë këtu edhe nëse mund ndodh edhe shkëmbim territoresh ose diçka të tillë?

Presidenti Thaçi: Unë nuk fola as për shkëmbim as për ndarje. Fola për korrigjim të kufijve dhe në kuadër të këtij procesi mendoj që mund të gjendet zgjidhje nëse ka vullnet të mirë, vullnet të dyanshëm, ka përgjegjësi për të ardhmen. Ne jemi dëshmitar të pozicionit shumë të qartë të Bashkimit Evropian se ata po punojnë për modernizim dhe reformim të BE-së dhe se asnjë vend nuk do të mund të lëviz drejt së ardhmes evropiane pa i kryer obligimet veta dhe tejkalu problemet e ndërsjella. Mendoj se korrigjimi i kufijve dhe e vullnetit të dyanshëm, nuk paraqet ndonjë efekt domino për neve, nuk paraqet hapjen e kutisë së Pandorës, nuk e humb karakterin shumë etnik të Kosovës por e ruan atë karakter dhe se në asnjë rrethanë nuk paraqet luftë, përkundrazi kjo përpjekje dhe ky angazhim paraqet paqe, qëndrueshmëri afatgjatë dhe fqinjësi të mirë në mes dy shteteve Kosovës dhe Serbisë.

Zëri i Amerikës: Zoti president, do të thotë që ideja është që Kosova tani siç është plus lugina e Preshevës?

Presidenti Thaçi: Definitivisht, unë i njoh aspiratat e Beogradit sikurse i njohin edhe të tjerët. Për fat të keq në Kosovë më shumë po flitet për ndarje dhe kërkesën e Beogradit se sa integrimin e Preshevës dhe të drejtës së tyre. Unë mbaj pozicionin se ajo çka është në interesin e shtetit të Kosovës duhet ta shtyjmë përpara dhe të mos sensibilizojnë dhe dominojnë temat e diskutimit idetë e Beogradit në Kosovë siç po ndodhë nga disa individë apo grupe të ndryshme. Prandaj është momenti që të gjithë së bashku; partitë politike, parlamenti, presidenca, qeveria, shoqëria civile, mediat të punojmë që në një periudhë të shkurtër kohore katër deri në gjashtë muaj, definitivisht të arrijmë marrëveshjen përfundimtare, historike në mes të Kosovës e Serbisë që do të nënkuptonte njohjen formale nga Serbia për Kosovën, njohjen reciproke, por edhe të shmangen të gjitha pengesat për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Përse do të pranonte Serbia një marrëveshje të tillë?

Presidenti Thaçi: Ne duhet të shikojmë kah perspektiva euro-atlantike si Kosovë. Kosova pa marrëveshje me Serbinë definitivisht është e qartë nuk mund të anëtarësohet as në NATO as në Bashkim Evropian. Gjithashtu, Serbia pa marrëveshje me Kosovë nuk do të mund të lëvizë drejt perspektivës evropiane, prandaj unë dua të besoj në udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë që do të dominojë arsyeja dhe përgjegjësia e frymës dhe shpirtit evropian mbi ngatërresat lokale që i takojnë shekullit të kaluar.

Zëri i Amerikës: Zoti president, a e keni mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, posaçërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për idenë tuaj për korrigjim të kufijve?

Presidenti Thaçi: Unë mendoj që, dhe e them me përgjegjësi të lartë se një marrëveshje lokale Kosovë-Serbi, një marrëveshje e vullnetit të mirë e dyanshme e pranueshme nga të dyja palët definitivisht nënkupton që askush nuk do të mund të dal kundër dhe nuk do të dal as Bashkimi Evropian, as NATO-ja dhe as Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përkundrazi, të gjithë do të jenë në mbështetje të një marrëveshjeje të vullnetit të mirë të dy shteteve, Kosovë-Serbi, që nënkupton paqe, qëndrueshmëri dhe e ardhme euro-atlantike.

Zëri i Amerikës: Kosova nuk e ka të shtrirë tërësisht autoritetin në veri të Kosovës po ashtu lugina e Preshevës ndodhet në Serbi?

Presidenti Thaçi: Unë nuk dua të bëj paralele. Atë që mund ta them është që unë kam takuar udhëheqësit e luginës së Preshevës, janë sjellur në mënyrë të përgjegjshme, kanë institucionalizuar kërkesën në adresë të Prishtinës, të shtetit të Kosovës, për të futur në procesin e dialogut të drejtën e tyre të shprehur me vullnetin e qytetarëve. Në të njëjtën kohë, dua të potencoj po ashtu se ne po punojmë për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel edhe për pjesën e veriut. Ka ndodhur proces i rëndësishëm posaçërisht sa i përket integrimit në polici, në sistemin e drejtësisë, lëvizjes së lirë, të funksionimit të doganave, të kufirit, prandaj do të vazhdohet të punohet në drejtim që të mos ketë problem dhe tërë ky proces të jetë paqësor, mirëkuptues dhe suaza të lojës së drejtë të aspektit reciprok.

Zëri i Amerikës: Zoti President, vëzhguesit thonë që deklaratat tuaja ditëve të fundit po sjellin paqartësi të shumta, ndërsa kanë shtuar edhe shqetësimet që tashmë mund të jetë arritur një marrëveshje ndërmjet jush dhe presidentit Vuçiç. Si u përgjigjeni ju pohimeve të tilla?

Presidenti Thaçi: Definitivisht as që është hedhur në tavolinë ndonjë letër e shkruar apo ndonjë ide sa i përket arritjes së marrëveshjes përfundimtare. Deri më tani kanë ndodhur dy takime, do të thotë jemi vetëm në fazën fillestare dhe procesi që ka filluar nga muaji shtator do të jetë shumë më dinamik. Mendoj se idetë e mia vetëm kanë qartësuar procesin, ajo e korrigjimit të kufijve realisht është një realitet që ne duhet të ballafaqohemi herët apo vonë, kush e injoron tregohet naiv në politikë sepse i kemi katërqind kilometra të kufirit Kosovë-Serbi që duhet të merremi dhe të përmbyllim një herë e përgjithmonë. Askush me paqartësi kufitare nuk të pranon, as në NATO as në Bashkim Evropian, pra ajo që po shikoj unë është ajo që nuk po shikohet në rrafshin e vizionit por të politikave populiste, elektorale, problematike dhe të konflikteve. Kështu që jam në favor të arritjes së marrëveshjes përfundimtare dhe natyrisht se pres rezistencë të fuqishme nga Beogradi, pres një kokëfortësi prej tyre, por edhe ata duhet të përcaktohen, duan integrime evropiane apo duan të mbesin peng i së kaluarës së tyre paranojake në raport me Kosovën. Nëse duan të mbesin peng i politikës së vjetër të tyre në raport me Kosovën, atëherë e kanë të humbur edhe Kosovën edhe perspektivën evropiane. Unë jam i bindur që të gjitha forcat që duan paqe dhe stabilitet do të punojnë. Kosova do të jetë unike, bashkërisht edhe do të lëvizim drejt finalizimit të kësaj marrëveshjeje që përmbyll edhe një padrejtësi historike të së kaluarës dhe hap perspektivë për të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Zoti President, në Serbi politikanët tashmë hapur po flasin për idenë e ndarjes së Kosovës, si u përgjigjeni?

Presidenti Thaçi: E ritheksoj, në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, nga askush nuk mund të imponohet ndarja e Kosovës, pikë. E di që presidenti Vucic është i pandreqshëm në raport me Kosovën, e ndoshta edhe politika krejt e Beogradit, por këto ide u takojnë shekujve të kaluar dhe këto ide të prezantuara me të vërtetë janë për të ardhur keq dhe të parealizueshme.

Zëri i Amerikës: A shqetësoheni për ndonjë trazirë në rast se vazhdohet kështu me idetë për ndarje dhe shqetësimet rreth tyre?

Presidenti Thaçi: Deri sa ka vullnet për të diskutuar, deri sa të tregohet përgjegjësi për të dëgjuar njëri tjetrin, përderisa mund të arrihet një ujdi e vullnetit të mirë në mes të palëve, atëherë e gjithë kjo sjell paqe, sjell stabilitet, mirëkuptim, fqinjësi të mirë dhe perspektive euroatlantike. Unë punoj që marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi, të jetë një marrëveshje e shpirtit evropian, euroatlantik, që do të nënkuptonte stabilitet rajonal dhe paqe definitive, përfundimtare në Ballkanin Perëndimor. Ata që flasin për luftë, flasin në të vërtetë për të hedhur pengesa krejt të panevojshme në procesin e bërjes së paqes në mes dy vendeve tona dhe në tërësi në Ballkanin Perëndimor.

Zëri i Amerikës: Zoti President, janë ngritur shqetësime kohëve të fundit lidhur me atë se a po ndryshon qasja e partnerëve ndërkombëtar kundruall Kosovës?

Presidenti Thaçi: Unë nuk mendoj se ka ndryshuar qasja e partnerëve tanë karshi Kosovës. Ekziston një mbështetje e fuqishme e Bashkimit Evropian. Ne sapo morëm rekomandimin për liberalizimin e vizave që Kosova ka përmbushur në tërësi kriteret për liberalizim, mbështetja e SHBA-ve është e fuqishme, është e njëjtë, mbështetja e NATO-s është e njëjtë, por një gjë është e vërtetë, sot bota po na shikon dhe vështron nga afër, sot SHBA-të, Bashkimi Evropian, NATO, duan të ketë marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ne nëse vazhdojmë kështu mos të mendoj dikush në Kosovë që do të mund ta pengoj Serbinë në të ardhmen evropiane, nëse Kosova bojkoton dialogun, Serbia do të lëvizë përpara. Ne jemi dëshmitarë të lojërave politike që ndodhën në Maqedoni, 27 vite vonesë për t’u anëtarësuar në NATO. Në moment që arritën marrëveshjen Maqedoni-Greqi iu erdhi ftesa për NATO. Ne nuk kemi kohë për të humbur për shkak të politikave individuale, interesave grupore, populiste apo edhe zërave të luftës. Ne duhet të punojmë për mirëkuptim, paqe, stabilitet dhe frymë evropiane.

Zëri i Amerikës: Zoti President një pyetje të fundit, si mendoni ta bëni bashkë spektrin politik në këto bisedime?

Presidenti Thaçi: Ne do të punojmë fuqishëm që të jemi sa më të bashkuar që është e mundur. Kështu kemi qenë në Ramboulliet, kemi fituar, kështu kemi qenë në Vjenë, kemi fituar, prandaj unë jam i bindur që marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi, Kosovës do të ia përshpejtojë rrugëtimin euroatlantik, prandaj të gjithë e di që janë dëshmitarë për të lëvizur më shpejt për tu anëtarësuar në NATO dhe Bashkim Evropian. Nuk do të lejojmë edhe më tutje të ndodhin gabime siç ka ndodhur me shtyrjen e themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës në vitin 2014 e që sot do të ishim pjesë e partneritetit për paqe, apo nuk do të lejojmë që të vonohemi sikur që u vonuam për demarkacionin me Malin e Zi dhe sot do ta kishim përmbyll procesin e liberalizimit të vizave, pra kemi humbur për ushtri katër vite e tri vite për liberalizim të vizave. Do të punojmë shumë fuqishëm që të krijojmë unitet sa më të gjerë të mundshëm, por edhe në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë individë apo parti të caktuara pulitke të mbajnë peng këtë proces të së ardhmes së Republikës së Kosovës. Tek e fundit, do të punoj që çështja e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi të përmbyllet përmes deklarimit të qytetarëve të Kosovës, përmes referendumit.