Rusia e do Bashkimin Europian si Bashkim Sovjetik në shpërbërje
Nga Qemal SAKAJEVA
Emigrim njerëzish ka pasur gjithmonë, madje s’janë ndërprerë as zhvendosje popullatash të tëra. Dhe kurrë nuk do të mund të ndalen. Historia i ka shënuar këto dhe shkaqet e tyre. Por kaosin e hershëm, i ngjashëm me të sotmin, e përcjellin edhe gojëdhëna të lashta si kjo: Një turmë njerëzish ecnin nga jugu drejt veriut, ndërsa një grup tjetër zbriste nga veriu për në jug. Ata u takuan diku gjatë shtegtimit të tyre të kundërt, dhe pyetën njëri – tjetrin:
-Për ku kështu?
-Për në veri. Na kanë thënë se atje është më mirë.
-Po ju, për ku?
-Për në jug. Kemi dëgjuar se atje është më mirë.
Gati-gati si në kohërat tona të pasigurisë, kur “nuk dihet se ku është më mirë”. Madje as në shkallë vendesh, përderisa jetojmë kur ndodhin ose rrezikojnë të ndodhin edhe “emigrime” shtetesh.
Ishte një periudhë e gjatë para pak viteve, që fjala Grexit e formuar nga bashkimi i fjalës “Greek” ose “Greece” me fjalën angleze “Exit”, domethënë Greece Exit = Greek exodus = Greek exit from the EU, që në shqip ka të njëjtin kuptim si dhe në anglisht – dalje e Greqisë nga Bashkimi Europian – e krijuar nga Ebrahim Rahbari i Citigroup, e publikuar së pari në një letër me autorë Rahbarin dhe shefin e Citi, ekonomistin William Buiter, pra ky fjalëformim mbisundoi politikën e BE-së, përmbyti mediat e gjithë botës, përfshiu specialistë të njohur. Kjo fjalë origjinale e krijuar në shkurt të vitit 2012, sipas gjuhëtarëve është ndër më të rrallat fjalë, tashmë e futur në fjalorët e mëdhenj të gjuhës angleze, të cilës i dihet data e saktë e krijimit dhe etimologjia e saj. Por, në kulmin e rrezikut nga Grexit, Greqia nuk kërkonte të dilte nga Bashkimi Europian. Athina i ndryshoi qeveritë përmes zgjedhjeve dhe çdo qeveri vetëm lypte para pa numërim për të përballuar borxhin gjigand, nga që qeveritë e ndryshme njëra pas tjetrës i kishin bërë financat e shtetit “rrush e kumbulla”. Zëra të rëndësishëm nga nivele të larta të BE-së, të gjendur para malit grek të borxheve, shpreheshin me zemërim kundër shpenzimeve të shfrenuara nga elitat greke, duke thënë edhe më të fundit : Le të dalë! Zëra të tjerë këmbëngulnin për ndihmë me hua qindra miliardshe, sepse Grexit do të krijonte një precedent të rrezikshëm për të ardhmen e BE-së, domethënë mund të ndodhte një reaksion reversibël, domethënë i dykahshëm, siç quhet në kimi. Ndërsa në politikë në formën e integrimit të shteteve (projekti gjigand i Europës së pas Luftës së Dytë Botërore) dhe ç’integrimit të shteteve për arsye të ndryshme, deri edhe për keqadministrim të financave. Rasti grek u bë shembulli më klasik dhe përcolli frikë ndër anëtarë të pasur të BE-së, përfshi Britaninë e Madhe, të cilët i administrojnë mirë financat e tyre.
Kjo dhimbje kreje shumë e fortë për Bashkimin Europian, e shkaktuar në skajin më jugor të tij, pak më vonë u transferua m’u në veriun e vet në formën e Brexit = British exit from the EU, domethënë dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, gjuhësisht diçka krejt simetrike me Grexit, por për shkaqe krejt të tjera, dhe me pasoja tronditëse. Nëse për Greqinë kishte zëra kritikë të fuqishëm, që edhe thoshin “le të dalë!” (pra të emigrojë jashtë BE-së), për Britaninë e Madhe shqiptohej me drithërimë vetëm lutja “mos dil!” (domethënë mos emigro nga BE).
Por ikja ndodhi. Brexit u bë një precedent i paimagjinueshëm me frymën përcjellëse. Britania e Madhe, edhe pse gjendet m’u në veri të Europës, një vend ishullor i rrethuar me detra dhe oqean, edhe vala e pandalur e emigrantëve duket se e ndikoi së tepërmi mendimin e votuesve për të dalë nga BE, jo vetëm për nga numri i tyre i jashtëzakonshëm e i paparashikuar, por edhe nga frikësimi që kanë përcjellë shtete anëtare dhe jo anëtare të Bashkimit Europian. Studiuesit Ron Hassner dhe Jason Witenberg shkruajnë se, nga 51 kufij të fortifikuar, të ndërtuar ndërmjet vendeve që pas përfundit të Luftës së Dytë Botërore, rreth gjysma e tyre janë ngritur mes viteve 2000-2014. Bota është mbushur plot me gjerdhe: gardhi ekzistues Meksikë-SHBA (po ngrihet muri gjigant, zotim elektoral i Presidentit Tramp), muri Izrael – West Bank, gardhi Arabi Saudite – Jemen, gardhi Hungari – Serbi, gardhi Kroaci – Serbi, gardhi që Austria mendoi të ndërtonte në kufi me Italinë, gardhi Maqedoni – Greqi, gardhi Bullgari – Turqi. Revista angleze “The Economist” shkruante që, “Europa do të ketë më shumë barriera fizike në kufijtë e vet kombëtarë se sa pati gjatë Luftës së Ftohtë”. Gjithë kjo pamundësi dhe frikë ka krijuar mendimi se Bashkimi Europian nuk është i integruar sa duhet përderisa nuk ka fuqinë për t’u vetmbrojtur. Me daljen e Britanisë së Madhe nga BE, siç ka thënë Michael Kuntest, drejtor i Infratest – dimap, “Europa do të bëhej më “jugore”. Këtë ide, në mënyrë të pavarur, e ka theksuar më ashpër Gunttram Wolff nga Qendra Kërkimore Bruegel në Bruksel, duke thënë që, “ Ne do të mbetemi vetëm me të gjitha shtetet e Mesdheut që përfitojnë të shpenzojnë para dhe me preferencën e tyre për rishpërndarje, dhe neve do të në duhet të paguajmë për ta. Kjo është frika e madhe”.
Përkundër Britanisë së Madhe që “emigroi” nga BE (ish-kryebashkiaku i Londrës, Boris Johnson pati thënë para publikut se “ BE është një hiç”), 6 vendet e Ballkanit perëndimor përpiqen të futen në BE, e nuk munden.
E gjithë kjo zhvendosje shtetesh ngjan paksa si në rrëfimin e hershëm të lëvizjes së popullatave. Por për vendet e Ballkanit Perëndimor, anëtarësimi në BE mbetet qëllimi më i madh, gjithësesi me diferenca të dukshme mes tyre: shqiptarët, të Shqipërisë dhe të Kosovës, mezi presin të anëtarësohen; Mali i Zi e ka përcaktuar qartësisht prirjen kah Bashkimi Europian, duke flakur tej ndikimin serb dhe rus; Maqedonia është e vonuara e madhe për shkak të nacionalizmit maqedonas; Serbia është një vend që kërkon të ketë “dyshtetësi”, të mbajë pasaportën e Rusisë dhe të përfitojë pasaportë të BE-së; ndërsa Bosnjë-Hercegovina sillet të jetë e kushtëzuar me çfarë i thuhet Republikës Srpska nga Beogradi.
Agresiviteti i Rusisë nuk vjen nga armatimi i saj, por nga mendimi politik rus se, Bashkimi Europia nuk është i fuqishëm me shtete që duan të futen e s’futen dot dhe shteti i rëndësishëm – Anglia, që iku e nuk e ndalën dot të ikë!
Rusia do ta donte Bashkimin Europian si një Bashkim Sovjetik në shpërbërje.