MASAKRA E TIVARIT: TRI FAKTE BASHKËFAJËSIE TË NDODHURA BRENDA SHTETIT SHQIPTAR SOVRAN

1.
Në burgun e qytetit të Shkodrës, në prill të vitit 1945, i sollën dy të rinj shtatlartë, të pashëm, energjikë. Ishin nga Kabashi i Prizrenit. Njëri po shkonte për 19 vjeç e tjetri po kapte 20 vjeç.Ishin arratisur nga kolonat e shqiptarëve të Kosovës, që serbët po i çonin drejt Tivarit. Forcat e ndjekjes i kapën dhe i futën në burg, duke i trajtuar si “dezertorë”, armiqë” etj. Më afrohet ky djali më i rritshëm në moshë, që kishte pak ditë i martuar, e më lenë një amanet: “Nuk i dihet punës e jetës sonë…po ke me shkue në shtëpinë time në Kabash e ke me m’iu thanë që ta lanë të lirë nusen time për me shkue në shtëpinë e vet, me pa fatin e jetës së vet, se unë…”.

Ky rrëfim i një kuksiani të thyer në moshë, i Qamil Hoxhes, më ka prekë thellë në shpirt, pasi ky amanet më ngjan si në ato legjendat shqiptare, si në këngët epike historike, ku “luftonim me shtatë krajli”…

Pas dy a tri ditësh, e vazhdon bisedën ky kuksian, vijnë në burg dy oficerë jugosllavë. Nuk e mora vesh a ishin serbë apo malazezë, po të palët janë njësoj në qëndrimet shoviniste ndaj shqiptarëve. Ata shoqëroheshin nga një gardian i burgut të Shkodrës…Nxorën një letër. I thirrën emrat atyne dy djemve të rinj e ua lëshuan do fjalë kërcenuese në serbisht, tuj i vu përpara si të ishin berra. Kushedi se nga i çuan e ku ua hodhën trupat e pajetë: në ndonjë skaj rruge, rrjedhë lumi apo gropë mali. Askush nuk diti gja për fatin e tyre. Pas tre muajsh dola edhe unë nga burgu, po ia kisha harrue emnin atij djali të martuem. Amaneti më ka mbetë peng në zemër për tanë jetën…

Kjo m’u kujtue tani që po flitet për Masakren e Tivarit 1945.
Ky fakt përbën një nga tragjeditë e shumta të shqiptarëve të Kosovës e të trevave të tjera etnike shqiptare në ish-Jugosllavi, që përjetuan brenda kufijve të shtetit amë, në Shqipërinë Londineze të 1913-tës.

Ende, sot e gjithë jetën, mbetem i befasuar e i indinjuar se si mund të ndodhi kështu në Shqipërinë time, shtet sovran prej 33 vjetësh, mbi katër muaj i çliruar nga gjermanët (nëntor 1944), me qeveri të krijuar një vit më parë (maj 1944), që të hyjnë oficerët e OZNA-s (Sigurimit Jugosllav) deri në birucat e errta të burgjeve shqiptare e të marrin prej andej shqiptarët si të ishin “plaçkë tregu”. Nuk është aq e rëndë burgosja e tyre sa ç’është e pafalshme përjetësisht dorëzimi i tyre në këtë mënyrë tek jugosllavët, të cilët i vrasin pa mëshirë, pa ligje, në tokën shqiptare (!). Shtohet pyetja: A kishin kaçik e pelçik ta bënin një veprim të tillë komunistat shqiptarë, fjala vjen, çifti i R.Alisë, komisar politik i Divizionit V-S të UNÇSh në Kosovë? Jo. Atëherë, pse e si ndodhte kjonë territorin shqiptar, në burgun e Shkodrës?!

Mjafton vetëm ky fakt për të dëshmue se PKSH, nga lideri i parë i saj E. Hoxha e deri te lideri më i fundit, R.Alia, këta vasalë të gjunjëzuem të Titos e emisarëve të tij, kanë gishtin e shpirtin të ngjyem në Masakrën e Tivarit, që ende kullon gjak…

2.
Më 30 mars 1945 kolona e dytë, rreth orës 14.00, kanë hyrë në qytetin e Shkodrës, ku në të dy anët e rrugës janë përshendet nga mijëra qytetarë shkodranë. Gjatë kësaj kohe, shkodranët sollën ushqime dhe ujë për vëllezërit e tyre nga Kosova të lodhur, të etur e të uritur, por, xhelatët serbo-malazezë, të ndihmuar edhe nga forcat e ndjekjes e sigurimit shqiptar, e ndaluan një gjë të tillë dhe me shpejtësi kolona e të mobilizuarve u vendos në një kazermë aty në kodrën e lartë në Rozafat.. Nga këta shqiptarë, mbi 1.700 prej tyre, u masakruan të pasnesermen në Monopolin e Duhanit në Tivarin e Ri.(!) e K. Xoxe, pas kësaj tragjedie të pashembull deklaronte: “u vranë ca kosovarë”, “mirë ua bëjnë” etj.

Ende, sot e tanë jeten, indinjohem se si mund ta lejonin këtë paturpësi E. Hoxha. K.Xoxe, (që këto ditë ndodhej në Shkodër) etj., që në tokën shqiptare të mos mundej shqiptari me ia dhanë dorën shqiptarit, që të mos mundej shqiptari me ia dhanë një gotë ujë e një copë bukë shqiptarit ?!!!

Ndryshe, krejt ndryshe, ndodhi në Raguzë të Kroacisë, porsa e kapërcen kufinin e Malit të Zi, ku u helmuan 800 shqiptarë të viseve shqitare në Maqedoni (FYROM), të cilët ishin të kolonës së tretë, të nisun më 27 mars 1945 nga prizreni, kryeqendra e Kosovës.Askush nuk e dinë saktësisht se sa shqiptarë e humbën jetën në këtë tragjedi, po numri i tyre, sipas disa burimeve të besueshme, shkon deri në 650 shqiptarë. Disa përjetues e mbijetues të kësaj tragjedie, (pos asaj të Tivarit), nga fshatrat Debreshi e Vranjevci të Gostivarit pohojnë se kur u helmuan populli i Raguzës, masivisht, iu çoi qumësht, vezë, etj. edhe në spitalet e qytetit kroat, çka, kjo bujari, shumë prej tyne edhe ua shpëtoi jetën.

Përballë këtyre realiteteve të kundërta, të ndodhunë në të njëjtën kohë, në Kroaci, republikë e Jugosllavisë Avnojiste dhe në shtetin shqiptar, në shtetin amë, lind prapë pyetja tjetër: A i akuzon Masakra e Tivarit shtetin komunist të Shqipërisë, liderët e saj: E. Hoxha, R. Alia, H.Lleshi, Koçi Xoxe etj.?
Patjetër e botërisht.

Mjafton vetëm ky fakt për të dëshmue bashkëfajësinë e PKSH e liderve të saj të shitun tek Tito e PKJ, që sot mbeten të damkuar e të turpëruar përballë historisë shqiptare në bashkëkryerjen e Masakres së Tivarit.

3.
Pikërisht në Kukësin e Vjetër, sot të mbuluar nga liqeni i Fierzës, kur mbrrini kolona e parë e shqiptarëve të Kosovës, e nisur më 24 mars 1945 nga Prizreni, sipas raportit të Shtabit të Kolonës së Armatës IV Jugosllave, ndodhi një “rrëmujë”, ku “një grup prej dhjetë syresh arriti të ikte…”.
Ku shkuan?
U futen në zabelin e sotëm të qytetit të Kukësit, ku iu vërsulen forcat e ndjekjes së shtetit shqiptar (njerezit ua dine emnat e mbiemnat) duke i gjuajtë me breshëri plumbash e fyer me etiketimet “tradhtarë”, “armiqë” etj., pavarëisht se u thoshin “jemi vllazën”, “kena ikë prej shkaut (serbit), “a keni besë”, etj. Kjo masakër e zabelit edhe sot ka gjurmë…

Këtë tragjedi shqiptare (me elementë të luftës civile) e dëshmojnë edhe dokumentat serbe: këta 10 shqiptarë të kolonës së parë “do të ndeshen me partizanët shqiptarë”. (Burimi arkivor: AVII, K-1411, 1-6, Strogo pov. 53, 08.04.1945 dhe AVII, K-1411, 1-5, 08.04.1945). Kësaj të vërtete i shtojmë edhe faktin tjetër se në raportet serbe e malazeze këta 10 shqiptarë figurojnë të “ç’rregjistruar”, kur iu dorëzue kolona e parë e shqiptarëve Divizionit të IX-të të Armatës së IV Jugosllave.

Ky rast tragjik, ndonëse i veçuar si masakër e kryer nga vet shqiptarët, është një tjetër akt-akuzë e rëndë për udhëheqjen komuniste shqiptare si bashkëfajtore në Masakrën e Tivarit.

4.
Këto tre fakte e rrëzojnë alibinë e hedhur nga R.Alia e Co. se “me këtë çështje të merren kosovarët, të përgjigjen vetë ata (shqiptarët e Kosovës etj.)” etj. dhe nuk mund ta largojnë atë nga vendi i krimit në Tivar, pasi ishte një nga kuadrot kryesorë që kontriboi aktivisht në mobilizimin e nisjen e shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë, Luginës së Preshevës, etj. drejt varrit më të madh të shqiptarëve në Ballkan.

Në rast se politika e drejtësia shqiptare në Republikën e Shqipërisë nuk i shkon deri në fund të vërtetës për zbardhjen e Masakrës së Tivarit duke nxjerrë përgjgjegjësitë politike, historike e juridike për udhëheqjen komuniste të kohës, atëherë të dy palët do të jenë njësoj bashkëfajtorë përballë historisë e përgjatë brezave shqiptarë në të gjitha viset etnike shqiptare në Ballkan.