DEKLARATË E GABUAR, NË VEND DHE KOHË TË GABUAR

 

 

Nga Dr. Islam LAUKA 

 

Deklarata e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për një President, si simbol i unitetit kombëtar, si dhe për politika të përbashkëta në fushën e jashtme dhe atë të sigurisë, midis Kosovës dhe Shqipërisë, është konceptualisht e gabuar, e bërë në vendin dhe kohën e gabuar.

Në koncept është e gabuar, sepse Shqipëria dhe Kosova janë shtete të pavarura e sovrane dhe, si të tilla, nuk mund të kenë një President të përbashkët dhe as politikë të jashtme e të sigurisë, të përbashkët. Nëse ato do të vendosnin që këto politika dhe Presidentin t’i kishin të përbashkët, atëherë, do të duhej të kërkoheshin forma të përshtatshme të një organizimi tjetër shoqëror si konfederatë a diçka tjetër të ngjashme, që do të mundësonte jetësimin e institucioneve dhe politikave të tilla.

U bë në vendin e gabuar, sepse në Kuvendin e Kosovës, ku po kremtohej solemnisht 10 vjetori i pavarësisë, deklaratat e kësaj natyre, në thelb, janë kundër shtetësisë dhe sovranitetit të saj. Shtet i pavarur dhe sovran do të thotë, para së gjithash, shtet me institucione të vetat që kanë monopolin, në mënyrë të veçantë, mbi politikën e jashtme dhe atë të sigurisë. Organizimi shoqëror që nuk i gëzon këto atribute, mund të jetë gjithçka, por nuk mund të klasifiohet si shtet i pavarur e sovran.

U bë në kohën e gabuar, sepse vetëm një javë më parë ishte shpallur strategjia e BE-së për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor dhe aty, qartësisht, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, u ftuan në rrugën e intergrimit europian, si shtete të pavarura dhe sovrane.

Nëse kjo deklaratë është, konceptualisht e gabuar, e artikuluar në vendin dhe kohën e gabuar, atëherë a duhet konsideruar si naiv e aventurier autori i saj, siç po bëjnë disa analistë e politikanë? Në gjykimin tim, nuk kemi të bëjmë me naivitet e aventurizëm të Ramës, por me përpjekje të tij, së pari, për të fituar ndonjë pikë në imazhin e tij, deri tani, tejet defiçitar si atdhetar; së dyti, një përpjekje për të kërcënuar BE-në me gogolin e bashkimit të shqiptarëve, në shenjë proteste ndaj strategjisë së Brukselit, që përcaktoi afate konkrete për anëtarësim vetëm për Serbinë dhe Malin e Zi, por jo për Shqipërinë dhe Kosovën. Kjo është një hile e përdorur edhe më parë nga Rama, por pa sukses.

Pavarësisht motiveve që e kanë shtyrë Kryeministrin Rama të bëjë këtë deklaratë, ajo është e rrezikshme për të dy shtetet tona, por edhe në plan kombëtar.

Në frymën dhe gërmën e saj, ajo shkon kundër forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, ndërsa Shqipërinë e paraqet si minuese të stabilitetit rajonal. Me, ose pa dëshirën e Ramës, deklarata e tij për President të përbashkët, për politikë të jashtme e të sigurisë, gjithashtu të përbashkëta, do të shfrytëzohet nga Moska dhe Beogradi si “argument” shtesë për tezën e “Shqipërisë së Madhe”, e cila, sipas tyre, kërcënon integritetin territorial të Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, shkurt, destabilizon rajonin dhe, bashkë me të, edhe Europën.

Para se të flasin për bashkim kombëtar, Rama dhe pushtetarët e Prishtinës duhet të kryejnë detyrat e tyre shtetërore, më elementare, siç janë mbrojtja e territorit (bregdeti në jug të Shqipërisë dhe territori në vijën Qafë Çakorr-Belluhë-Kullë e Zhlepit në Kosovë), si dhe ndërprerja e hemorragjisë kombëtarë që po çon në zbrazjen nga banorët e saj autoktonë- shqiptarët, të territoreve tona të rrudhura,. Për çfarë bashkimi kombëtar mund të flitet, kur nuk mbrohet territori dhe popullsia që banon aty?

Në fazën e tanishme, atdhetar i vërtetë është ai që mbron çdo centimetër të trojeve amtare, si dhe substancën tonë amtare, shqiptarët që i popullojnë këto territore; ai që i kontribuon forcimit të shtetësisë së Kosovës dhe përmbylljes së subjektivitetit të saj ndërkombëtar, duke i siguruar ulësen që i takon në OKB. Vetëm një Kosovë me të vërtetë e pavarur dhe sovrane mund të marrë vendime të rëndësisë gjeostrategjike, përfshirë atë për bashkim me Shqipërinë.

Bashkimi kombëtar është një kauzë e madhe dhe që peshon rëndë, të cilën kasta pushtetore e tanishme në Shqipëri dhe Kosovë nuk ka kaçik që ta mbajë. Ai nuk realizohet me deklarata – pushkallë, si ajo e Ramës, por me punë e veprime konkrete, pa bujë.

Bashkimin kombëtar e bëjnë me vullnetin e tyre të lirë, shtetet dhe popujt me të vërtetë të lirë, jo shtetet e kapura, siç janë sot Kosova e Shqipëria. Bashkimi kombëtar është, parimisht i drejtë, historikisht i pashmangshëm. Ai do të realizohet, por nga forca të tjera politike, të cilat, si objektiv parësor do të kenë përmbysjen e kastave në fuqi, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri.