Ishte shumë më tepër kritik dhe mbrapshti nga sa mund ta kapërdinte Donald Trumpi. Presidenti bën një hap prapa pas samitit me Rusinë dhe mbështet shërbimet e veta sekrete. Me gjasë problemi qendron tek gramatika.
Pas kritikave të ashpra përtej kufijve partiakë presidenti i SHBA-së bën një kthesë. Fillimisht ai qe mbrojtur vet duke e akuzuar shtypin për paraqitje të gabuar të fakteve. Më pas Trump merr kthesën duke deklaruar, se i respekton konkluzionet e shërbimeve sekrete amerikane, sipas të cilave ka pasur ndërhyrje të rusisë në fushatën elektorale të SHBA-së më 2016. Megjithatë ai theksoi, se veprimet e Rusisë nuk e kanë influencuarrezultatin e zgjedhjeve. Trumpi nuk do të ishte Trump, nëse ai nuk do t’i lejonte vetes një hallaktje tjetër: “Por mund të kenë qenë edhe njerëz të tjerë”. Se cilët mund të kenë qenë këta, ai nuk e tha.
Vetëm një lapsus
Presidenti e paraqet veten si viktimë të një kurthi gramatikor, për të dalë nga situata e turpshme, në të cilën e solli veten ai gjatë paraqitjes në konferencën e përbashkët të shtypit me kreun e shtetit të Rusisë, Vladimir Putin. Një lapsus, me këtë deklaratë banale Trump përpiqet të qetësojë valën gjigande të indinjatës në SHBA.
Gjatë konferencëss së shtypit me Putinin të hënën (16.07) ai ka bërë një formulim gabimisht, kur në fakt ka dashur të thotë krejt të kundërtën e asaj që donte të thoshte. Ai shpjegon më tej, se në fjalinë vendimtaren i ka shpëtuar pjesëza mohuese duke thënë “would” në vend të “wouldn’t”. Në fakt ai ka dashur të thotë, se “nuk sheh asnjë arsye, përse nuk duhet të ketë qenë Rusia” pas sulmeve hacker gjatë luftës elektorale më 2016 – pra “nuk” i ka shpëtuar atij në deklaratë, thotë Trump pas kthimit në një deklaratë në Shtëpinë e Bardhë.
Shfajësim i besueshëm apo jo?
Ky shfajësim tingellon sa për sy e faqe. Nuk duket se me këtë Trump do të mund ta zbusë kritikën masive ndaj tij, se ai ka qenë pothuajse si i nënshtruar ndaj shefit të Kremlinit. Edhe nëse kjo është e vërtetë, që presidenti i SHBA-së ka bërë një lapsus – në konferencën e shtypit ai i bëri të qarta dyshimet e veta ndaj konkluzioneve të shërbimeve të veta sekrete. kritikat nuk erdhën vetëm nga një fjali me gjasë e formuluar jo saktë rpej tij. Trump i vlerësoi deklaratat e Putinit në Helsinki, se Rusia nuk ka të bëjë me sulmet hacker, shprehimisht si “ekstremisht të forta e të fuqishme”.
Indinjatë edhe tek përkrahësit e tij
Vala e indinjatës kësaj here ka përfshirë edhe vet mbështetësit e presidentit Trump, e jo vetëm demokratët, mediet liberale të majta dhe kritikët e përhershëm të tij brenda radhëve të republikanëve. Edhe në qarqet, që normalisht janë besnike ndaj Trumpit, po gëlon zhgënjimi, që ai nuk e ka konfrontuar prerazi Putinin për dyshimet rreth sulmeve kinbernetike ruse dhe politikës së jashtme ekspansive të Rusisë.
Disa moderatorë të televizionit të preferuar të Trumpit Fox News shprehin hapur zhgënjimin ndaj presdientit. Moderatori Bret Baier e quan paraqitjen në Helsinki “pjesërisht sureale”. Kolegia e tij Abby Huntsman, vajza e një ish-ambasadori në Moskë, shkruan në Twitter: “Asnjë negociatë nuk ka vlerë, nëse njerëzit dhe vendin tënd i nënçmon.”
Edhe gabimi i pretenduar gramatikor i Trumpit ka shkaktuar reagime: Kryetari i grupit parlamentar të demokratëve në senat, Chuck Schumer, tha, se Trump përpiqet të shkëpusë vëmendjen prej deklaratave të tij gjatë paraqitjes me presidentin e Rusisë Putin. Sqarimi i tij vjen 24 orë me vonesë. Guvernatori demokrat i shtetit federal të Nju Jorkut, Andrew Cuomo, vëren me ironi: “A i mbani amerikanët për budallenj.”. (DW)