PIKËLLIMË…

Nga Ramiz LUSHAJ

1.
Vendlindja jote ka një mal me emnin Pikëllimë.
Kjo ditë po vjen me një mal dhimbjeje pikëllimë.
Bajaziti ynë.

Të erdhën vargjet lisnajë – në kolonë
Valët e Dy Drinave të përcjellin me jehonë.
Poet i Bytyçit e i Botës.
Poet i Hasit, Kukësit, Tiranës…i Qiellit e i Tokës.

Ti – disa gjëra i more sot me vete.
Ti – për të nesërmen plot të tjera i le për Ne.

Ende po mbetemi me pak Shqipëri.
Ende po kemi shumë At-Dhe…

2.
Bajazit nuk duhej të ikje kaq shpejt.
Sa të shkonim në Kukës edhe sivjet.
Të pinim kafe e folnim gjatë si në vitet ’90.
Kur ishe gazetar i vjetër e mbete mësues i ri,
Kur ishe politikan e mbete poet…

Kur më thoje n’ato vite se e keqja e Demokracisë,
Nuk jemi as ti dhe as unë
Po kur të vijnë të tjerët e t’i hanë frutat tanë
Kur Asaj t’i kacavirren majmunë…

3.
Ne, i lamë vendlindjet tona, morëm rrugët e botës
Ti ike afër e larg nga Kukësi,
Unë ika afër e larg Tropojës.
Ka kohë pa pi kafe bashkë
Breg Valbonës së kaltër. Nën hijet e Zabelit…

Shpesh pimë kafe tek kolonat e Teatrit të Operas e Baletit
Në piskamen e kangëve moderne.
Në zhurmat e makinave. Në smogun e kryeqytetit.

Në Rrugën e Madhe: poezitë, kafet, fjala, malli…
Do kenë dhe emnin e mbiemnin tand: Bajazit Cahani!

Tiranë, 31 tetor 2015