Misteret e varrit të Fishtës

Nga Sami Metalija – Tiranë

¨ Më 20 mars 1967 eshtrat e Fishtës me urdhër të strukturave të shtetit komunist zhvarrosen nga Kisha Françeskane e Gjuhadolit.

¨ Mendohet se urdhrin për hedhjen e eshtrave të Fishtës në lumë e ka dhënë kryetari i Komitetit Ekzekutiv dhe kryetari i Frontit Demokratik të Shkodrës.

¨ Eshtrat mblidhen në një thes çimentoje dhe qëndrojnë për tri ditë në një nga zyrat e ndërmarrjeve të ndërtimit.

¨ Sipas burimeve të ndryshme, thesi është hedhur pas tri ditësh në rrjedhën e lumit Drin në Shkodër.

¨ At Zef Pëllumbi, në kujtimet tij thotë se nuk është i sigurt se eshtrat e Fishtës janë hedhur në lumë, por i kanë thënë dëshmitarë okularë se eshtrat janë hipur në një karro për t’u transportuar.

¨ Një tjetër klerik, Konrrad Gjolaj, në kujtimet e tij thotë se, “me “revolucionin kulturor” edhe eshtrat e Tij u tretën buzë Drinazës, në afërsi të Bërdicës, bashkë me eshtrat e vëllezërve të tjerë t’asaj Kishe”.

¨ Fritz Radovani dëshmon se pas tri ditësh eshtrat e Fishtës janë marrë nga ish-drejtori i ndërmarrjes që merrej me riparimin e Kinema Punëtori (ish-Kisha e Fretenve), Shyqyri Rrjolli, dhe i ka varrosur së bashku me rojën e varrezave, Gjon Gjergjin, në varrezat e Rëmajës në Shkodër.

Shqypnisë

T’falem, Shqypni, ti i shpirtit tem dishiri!
I lum njimend jam un n’gji tand tue rrnue,
Tue gzue t’pamt tand, tue t’hjekë atë ajr t’kullue
Si Leka i Madhi e Skandërbegu i biri
Kje i Lumi vetë, qi mue m’dërgo ksi hiri
Për nën qiellë tande t’kthielltë un me u përftue.
Malet e hjedhta e t’blerta me shikjue,
Ku Shqypnija e Burrit s’dron se i qaset niri.
Ktu trima lejn gjithmonë, pse ti je nana
E armvet n’za, qi shndrisin duert e t’lumit,
Kah des për ty i rrebtë e trim si zana:
Eden n’Balkan ti je; ti prej t’Amshumit.

Çohi të Dekun

E n’kjoftë se lypet prej s’hyjnueshmes Mni,
Qi flije t’bahet ndo’i shqyptar m’therore,
Qe, mue tek m’kini, merrni e m’bani fli
Për shqyptari, me shue çdo mni mizore. –
Oh! edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rroftë,
E nami i sajë përjetë u trashigoftë!
Po: rrnoftë Shqypnija! E porsi krypa n’Dri
E porsi krandja e that n’nji flakada,
U shoftë me arë, me farë me mal e vrri
Kushdo shqyptar, qi s’brohoritë me za,
Kushdo shqyptar, qi s’brohoritë me uzdajë:
Oh! Rrnoftë Shqypnija! Rrnoftë Flamuri i sajë!