Nga Dr.Fejzulla GJABRI
Diaspora e re është diaspora e shekullit 20 e këtej. Kjo diasporë dhe veçanërisht ajo e krijuar nga vitet 1990 e këtej do jetë merret në shqyrtim ruajtja e traditës, integrimi në vendet ku janë dhe disa problem të saj. Së pari, duhet thënë se vendi më i preferuar dhe nga më të populluarit kohët e fundit nga shqiptarët janë SHBA. Në një shënim gjetëm një kuriozitet, se “shqiptarët e kanë zbuluar Amerikën”, si për të treguar se sa janë të dhënë shqiptarët pas emigrimit në Amerikë. Në perudhën 1912-1944, emigrimi përfshiu më së shumti Jugun e Shqipërisë. Të larguarit e këtyre viteve kishin përgatitje profesionale dhe shumica synuan Amerikën. Në harkun kohor 1945 – 1990, brenda kufijve shtetëror të Shqipërisë, u shënuan pak dukuri emigruese. Ata që u larguan në këto vita, ishin të pakënaqurit nga regjimi komunist, të cilët u quajtën “të arratisur”. Emigracioni më i madh u bë në korrik 1990-1991. Kjo periudhë mori emëtimin “Koha e ambasadave”. Revolta ndaj diktaturës, e akumuluar për vite të tëra, shpërtheu në këto eksode historike me përmasa të mëdha, duke dhënë shifra konkrete të të larguarve me dokumente.
Shqiptarët u larguan nga vendi i tyre, por morën me vete shpirtin shqiptar, traditat, zakonet, ritet dhe profesionet e tyre. Të tilla janë festat familjare e kombëtare, organizimi në shoqata me simbolika të prejardhjes, si “Bijtë e Shqipes”, “Bashkimi”, “Kolonja” etj. Dukuri tradite janë edhe valvitja e Flamurit shqiptar në çdo veprimtari atdhetare në tubimet e tyre, simboli i figurave kombëtare si Skënderbeu, Ismail Qemali, Nënë Tereza e shumë figura të tjera të historisë e kulturës sonë kombëtare e mbi të gjitha, përdorimi ndërmjet tyre të gjuhës tonë të bukur shqipe. Veç këtyre, në këtë temë do shqyrtohen disa tradita ‘të vogla’, të quajtuara rite, që shumë nga emigratët i zbatojnë edhe pse janë larg vendlindjes.
Në këtë material do jepen edhe mjeshtëritë tona që po zbatojnë emigrantët tanë në vende të ndryshme, si gdhendjen e gurit dhe të drurit, kulinarinë tonë, si dhe disa cilësi të tjera, guximin, pranimin e çdo pune, ndërtimin etj. Pjesëmarrja në veprimtari të përbashkëta, si festivalet folklorike, tryeza e marrëveshtje të ndryshme, janë dukuri të traditës sonë, që jeton ndër emigrantët.
Fjalë kyçe: Diasporë e re, emigracion, traditë, festa, mjeshtëri, festival.
Hyrja
Emigracion – Shqiptarët në mënyrë klandestine, , u larguan kryesisht drejt Greqisë dhe Italisë. Shkaqet janë disa: në kërkim të një jete më të mire (Arsye ekonomike), mjekësore, Konflikt Personal Konflikt etnik, Arsye politike etj. Nga ky emigracion(1990 e pas), sipas disa të dhënave të përafërta, rezulton se “Aktualisht jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, rreth 1 milion e 400 mijë shtetas shqiptarë. Pjesa më e madhe, rreth 70-75 përqind e këtij numri, është vendosur në dy vende: Greqi dhe Itali, dhe midis tyre Greqia zë vendin e parë të numrit të përgjithshëm të emigracionit tonë në botë[1]”. Në Itali jetojnë rreth 500 mijë shqiptarë Në dy dhjetëvjeçarët e fundit, shkuan në emigracion rreth 25 për qind e popullsisë totale, ose rreth 35 për qind e popullsisë aktive. Nga fundi i viteve ’90-të vlerësohet se rreth 800 mijë shqiptarë jetonin jashtë Shqipërisë, në emigracion, ku pjesa dërrmuese në shtetet fqinjë, Itali e Greqi [2]..
Shumica prej tyre kanë qëndruar në vendet ku shkuan, por edhe janë kthyer në vendlindje. Në këtë kategori hyjnë emigrantët e Italisë e Greqisë, kryesisht nga Durrësi, Tirana e Shkodra. Numri i atyre që kthehen nga Greqia mbetet më i madh[3]. Ky lloj emigrimi, (Migracioni i kthimit, i kapur nga Censusi, 2011), është quajtur “migrim qarkullues”.
Dihet se nga shekulli XV e këtej shumë banorë të viseve shqiptare në Ballkan janë larguar nga vendi i tyre, për shkaqe të ndryshme, duke filluar nga pushtimi turk e pushtime të tjera, por edhe për shkaqe e arsye që u cilësuan më lart. Kjo është Diaspora historike shqiptare, që së bashku me Diasporën e re (vitet 1990 e këtej) kapin një shtrirje gjeografike, thuajse në të gjitha kontinentet e banuara. Në total, ajo numëron disa milionë frymë, të përqendruar kryesisht në Turqi, SHBA, Greqi, Gjermani, Itali, Zvicër, Suedi, Angli, Kanada, Australi, Argjentinë etj. Veç këtyre shifrave, kohëve të fundit u shtohen një numër i madh emigrantësh të vitit 2014-16, që iu drejtuan Gjermanisë, kryesisht për shkaqe ekonomike.
Qëllimi ynë nuk janë shkaqet, pasi ato tashmë njihen[4], por trajtimi i ruajtjes së disa tipareve, traditave e zakoneve shqiptare të praktikuara në vendet ku ata banojnë.
Zhvillimi
Fenomeni i emigracionit është një dukuri e krijuar prej disa rrethanash historike, të natyrës ekonomike, sociale, psikologjike, kulturore dhe që njëkohësisht shoqërohet me një mori gjurmësh e ndikimesh, që emigranti lë nga vendi i origjinës, duke iu përshtatur vendit pritës. Cilatdo të jenë shkaqet e emigrimit, ajo që i mban gjallë është puna. Shqiptarët kudo që janë, pjesa më e madhe e tyre punon në sektorë të ndërtimit, miniera etj, d.m.th, punë të rënda. Nga një e dhënë studimore, thuhet se “Shtresa e popullsise imigrante në Itali po ushqen dukshëm krijimin e një shtrese të re, nënproletariatin urban”[5], që endet për punë. Një pjesë e madhe e intelektualëve shqiptarë, nga vitet ’90 deri 2005, janë larguar jashtë vendit, për të ndjekur a perfeksionuar studimet e tyre, apo edhe thjesht në kërkim të një jete më cilësore[6]. Pra, jo vetëm të papunët, por edhe energjitë intelektuale e fizike të një moshe kryesisht të re, kanë braktisur vendin, duke krijuar boshëllëk, që mund të kompensohet me vështirësi.
E njëjta pasojë është edhe trojet shqiptare në në ish-Jugosllavi dhe Greqi. Këto zbrazje erdhën nga politika e vendeve fqinje e shpopullimeve të viseve shqiptare. Veç Prokuplës, Kushumlisë, Nishit dhe fshatrat të tëra rreth tij deri tek Medvegjë e më tej, u shpopulluan nga shqiptarët, duke e plotësuar me kolonët sërbë. Po kështu Çamëria në Jug, troje këto shqiptare, sot sundohen nga grekët. Më e keqja është se po vazhdojnë të zbrazen edhe vise të tjera, si në Veri të Ballkanit ashtu edhe në Jug të tij në ditët e sotme.
Një dukuri pozitive është kthimi i disa familjeve të Diasporës së re në vendlindje. Vihet re se ata që u kthyen, sollën qytetërimin e bashkëkohoren në disa drejtime: në kulturën bashkëkohore, teknikë, agroteknikë, projekte e ndërtime etj. Një shprehje popullore thotë: “Një i kërkuar, sa një i shkolluar”.
Dukuritë tradicionale shqiptare në Diasporë, kode të të qënit shqiptar
Festa, rite dhe veprimtaritë kulturore janë tregues i rëndësishëm i ruajtjes së indentitetit. Në viset shqiptare më 14 mars festohet Dita e Verës. Te arbëreshët e Italisë. “… ka edhe katunde ku ruhet kjo traditë. Pranvera e arbëreshëve e quajnë dhe kjo festë krijon një atmosferë shumë të këndshme në katund, sepse grupet folkloristike mblidhen në shesh dhe realizojnë shfaqjet e tyre nëpër rrugët e katundit, me muzikë tradicionale, me vallet, me këngët e vjetra”[7].
Dasma dhe vdekja bëhen sipas traditës shqiptare: ka shumë njerëz, të afërm dhe të tjerë, ku bien në sy ritet. Po kështu ndodh edhe në Diasporë. Dasma shqiptare në Amerikë “ … ka edhe të veçantën e saj. E vogël apo e madhe qoftë ajo, nga Veriu, Shqipëria e Meseme apo Jugu, … bëhet madhështore. Nis qysh nga zbukurimi me simbolet kombëtare të shtëpisë, pritjen nga të zotët e dasmës prej tek porta, gostitjen sipas zakoneve e rite të tjera, ku çdo gjë është shqiptare. Nuk ka dasëm, pa bajrakun, siç e quajn ata Flamurin Kuq e zi”[8].
Gjithë veprimtaritë e shoqërive dhe ansambleve të Diaporës tregon ‘dukjen’ e të qënit shqiptar. Dukja nis që në emërtimet e tyre. Këto ansamble mbajnë emra nga vise e komuniteteve nga vijnë, si nga Jugu e Veriu i trojeve shqiptare, si “Dardania”, “Labëria”, “Rugova”, “Kolonja” etj. Gjithashtu disa nga këto ansamble mbajnë emrat e heronjve kombëtarë, ashtu si dhe emërtimet e shoqatave. Me këto ansamble kremtohen festat kombëtare, si 28 Nëntori, 17 Nëntori (Çlirimi i Kosovës), të heronjve Ismail Qemali, Isa Boletini, Nënë Tereza e deri tek luftëtarët e luftës së Kosovës (1999), si Adem Jashari me shokë.
Diaspora zhvillon disa festivale, që i organizojnë shoqëritë kulturore, të cilat shpesh i zhvillojnë në bashkëpunim me njëra tjetrën, si në Europë, Amerikë apo në vendet e Lindjes. Përmendim një informacion për një festival: “Festivali XXIII krijoi një urë të fortë midis shqiptarëve të Amerikës, Shqipërisë, Kosovës dhe të gjitha trevave shqiptare. Kështu edhe sivjet Festivali Shqiptar në Nju Jork, dha kontributin e vet për ruajtjen e shumëllojshmërisë së kulturës shqiptare në Amerikë”[9].
Një aktivitet artistik që mbledh shqiptarët është Festivali Folklorik Kombëtar, që zhvillohet në 4 ose 5 vjet në Gjirokastër. Që nga viti 1968, deri më 2015, janë zhvilluar 10 festivale. Pjesëmarrja në këtë festival është nga gjithë viset shqiptare në Ballkan, arbëreshët dhe arvanitasit, diasporës së largët, si Amerika e Evropa, deri nga komunitetet shqiptare në Lindje. Qëllimi kryesor i këtij Festivali është pasqyrimi i gjerë i gjinive të folklorit dhe vlerave të tij, mbrojtja, promovimi dhe popullarizimi i vlerave muzikore, koreografike, etnografike etj, të krijuara prej shekujsh nga të parët tanë. Pothuaj në asnjë festival në Gjirokastër, nuk kanë munguar arbëreshët e Italisë. “Në festivalin e vitit 2009, grupi arbëresh solli këngë e valle, si “Petku dhe të mirat tona”, “Valle tradicionale”, “Lule, lule maca, maca”, “Moj e bukura More”, një nga perlat e këngëve të hershme. Programi artistik i tyre risolli në kujtesën e spektatorëve motivet e motrës së martuar larg, besën e Kostandinit”.[10]
Shqiptarët e Zvicrës në këtë festival sollën traditën e dasmës shqiptare, me gjithë cermonialin e saj. Aty ishte flamuri, kënga, vallja dhe folës të ndryshëm. Ishte cermoniali i traditës dhe nëpër disa aspekte kishte lot gëzimi. Ja, kështu si kjo dasëm ka edhe nëpër vise të tjera të botës, ku ruhet tradita.
Flamuri Kuqezi është i pranishëm në çdo veprimtari atdhetare. Në podium oratorësh vendoset veç flamurit, figura e Skënderbeut në skulpturë ose në foto në sfond, sipas qëllimit të veprimtarisë; vendosin dhe figura të tjera, që nuk mungon edhe ajo e Nënë Terezës. “Në kononizmat e shoqërive (përmend shoqëri në Europë e SHBA), në stemat apo thjeshtë në zyrat organizative të veprimtarive, kishte simbole thjeshtë shqiptare, si shqiponja me dy krerë, portreti i Skënderbeut ose shenja të tjera që dallojnë identitetin tonë shqiptar”[11]. Është vërejtur se në disa familje arbëreshe, tek shqiptarët e Zarës, në Zvicër, Gjermani e deri tek emigrantët në Amerikë, mbahet simboli i shqiponjës, përkrenarja e Skënderbeut, punime artistike të kalave shqiptare (Kruje, Berat, Gjirokastër etj), si dhe shumë simbole të hershme, si koka e kalit, e dhisë, gjarpëri e ndonjë tjetër, figura këto të mitologjisë shqiptare, që zbukurojnë veglat muzikore popullore. Të tilla elemente kulturorë flasin për lidhje me atdheun, psikologjinë dhe traditën e të parëve tanë. Jo në pak familje janë edhe simbole fetare, sipas përkatësisë. Një pjesë e këtyre simboleve janë punuar nga vetë mërgimtarët, por edhe janë marrë nga vendi i origjinës së tyre, në raste festash, përkujtimoreve, apo vizitave në vendin e origjinës. Shumë nga këto simbole jepen si dhurata nga të afërm dhe të tjerë, dukuri kjo e traditës tonë.
Traditat nëpërmjet shkollimit dhe takimeve – Emigrantët e rinj kanë shqetësimin e mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës sonë kombëtare. Shumë shkolla funksionojnë në Evropë e Amerikë. Një njoftim për këtë na e jep Mal Berisha për në Amerikë: …”një grup të rinjsh shqiptaro-amerikanë kane filluar të japin mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë të moshave të vogla. Të rinj shqiptarë që japin mësim janë djem e vajza nga Shqipëria e Kosova, studentë të Universiteteve me të njohur të Metropolit të Nju Jorkut siç janë, Universiteti Rutgers, ai i Nju Jork-ut, Shkolla e Larte Parsons, kolegje etj. Orët e mësimit më fëmijët e shqiptarëve në Bronx janë vërtetë shumë të bukura. Ata interesohen për çdo gjë që lidhet me atdheun. Përveç orëve të mësimit të gjuhës, “metodistët” e Shoqatës ‘Gjenerata e Re Shqiptare’ i’u tregojnë fëmijëve për bukuritë e atdheut. Ata i’u tregojnë atyre legjenda e tregime të bukura, të cilat ata vetë i kanë mësuar në atdhe ose në familjet e tyre. Është si një lloj stafete që gjeneratat e shqiptarëve të Amerikës ia pasojnë njëri-tjetrit[12]. Objektet e marra me vete, shumë nga emigrantët i ruajnë sit ë shenjta. Fëmijët e tyre, sipas një bisede me një emigrant në SHBA, donin të dinin si është ndërtuar furka e gjyshes, kutia e kafes etj, objekte të marra me vete nga vendlindja.
Shqiptarët janë të shoqërueshëm njëri me tjetrin dhe me të tjerë, tipar ky i rëndësishëm për jetën. Në disa revista dhe gazeta të Diasporës, shpesh lexojmë veprimtari sipas besimeve fetare. Këto veprimtari janë shumë të domosdoshme, por dëgjojmë edhe ndonjë kritikë, siç është shkrimi i Prof.Dr.Agron Ficos. “Shqiptaro-amerikanët kanë bërë shumë punë të mira por ajo që ka dëmtuar dhe që dëmton edhe tani në prosperitetin e shqiptarëve mbarkombëtar është se tek ata ka urrejtje dhe konflikte të shkrimeve që kanë karaktere katolikocentrike, apo si thuhet diku në shkrime të ndryshme, edhe të atyreve “turkomane”. Këto konflikte të qëllimshme apo të pa qëllimshme mendoj se hedhin ujë në mullirin e armiqve shekullor. Ata(shqiptaro-amerikanët) duhet të jenë të bashkuar e asesi të përqarë, e sidomos elita intelektuale shqiptare, ku prej të cilëve pritet shumë e sidomos ato çështje që kanë të bëjë me çështjet kombëtare shqiptare në përgjithësi”[13].
Në Suedi bëjnë jetë organizative dhe gratë me orgjinë shqiptare. Në një njoftim nga kryetarja e shoqatës “Vlora”, Drita Egriu, thotë se bëjmë takime të shpeshta, “që këto takime kanë një domethënie shumë të madhe për jetën dhe bashkëpunimin e shqiptareve në Sued. iKëtu ka gra që kanë migruar në Suedi nga Dibra, Struga, Prespa, Gostivari, Tetova, Shkupi, por edhe shumë gra nga qytete të Kosovës dhe Shqipërisë. … Shoqatat e grave shqiptare luajnë një rol të veçantë në organizimin e shkollimit në gjuhën amtare në sisteme private plotësues, me qëllim që as gjeneratat e reja të mos harrojnë gjuhën e bukur shqipe”. Më tej ajo thote se “ gjenerata e re shpreh një interes të theksuar edhe për këngët dhe vallet e bukura të kombit shqiptar. Nuk ka familje shqiptare ku nuk ka veshje kombëtare. Në organizimin të festave kombëtare gjithmonë vjen në shprehje dashuria e madhe që kanë për kombin edhe të rinjtë që jetojnë në këtë shtet e që me prejardhje janë nga të gjithë trojet etnike shqiptare”[14].
Një ndër shqiptarët në ShBA është Ylber Pilku. Shtëpia e tij në Nju York është kthyer në një muze të vërtetë. Skulptura dhe piktura të personaliteteve historike shqiptare, duke filluar nga Skënderbeu, janë në shtëpinë e Ylber Pilkut. Në një dhomë të posaçme muze aty qëndrojnë skulpturat dhe veprat e tjera të figurave kombëtare, përfshirë edhe shumë libra historie dhe vepra të tjera të shkrimtarëve dhe historianëve të mirënjohur. “… Në zyrë ai mban një pllakat të madh me fotografitë e të gjithë patriotëve dhe të burrave të shtetit shqiptar, bustin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të Lekë Dukagjinit, të Nënë Terezës, të Adem Jasharit, … Piter Fejit, senatorit Eliot Engëll, Xhejms Vakës, ambasadorit Filip Riker, të avokatit Bill Eduars etj. Ka, gjithashtu, plot relikte shpatash, revolesh e shumë gjera të tjera të vjetra e me përmbajtje historike”[15].
Në vendet ku janë, shqiptarët kanë dëshmuar si komunitet që ka aspiruar e punuar për t`u integruar në shoqërinë pritëse, pa marrë parasysh paragjykimet që kanë rënduar e vazhdojnë të rëndojnë ende mbi ta. Në përgjithësi në periudha të vështira historike e ekonomike kanë ditur ta nxjerrin në pah aftësinë e tyre për mbijetesë. Në rrugën e mërgimit, morën me vete cilësitë dalluese, si njerëz të punës, intiligjentë dhe mënyrën e jetesës në bashkësi. Gjithashtu morën dhe ruajtën traditën, por falë dhuntive pozitive, ditën të integrohen, të bëhen qytetarë të mirë të vendeve ku jetojnë. Shembull është Diaspora historike, që ruan vlerat themelore të origjinës, si gjuha dhe një pjesë të traditës. Nëprmjet punëve (sigurisht të rënda) dhe aftësië për të mësuar lehtësisht gjuhën e vendit ku banojnë, (një cilësi e shqiptarit), si dhe nëpërmjet shkollimit të fëmijëve të tyre vazhdojnë të integrohen, duke identifikuar vetveten qytetarë të mirë në mjediset e reja.
Ndikimi i migracionit – Emigrimi dhe migrimi ka vazhduar të ndikojë në numrin dhe strukturën e popullsisë në Shqipëri gjatë dekadës së fundit. Shumë shqiptarë e kanë ndryshuar vendbanimin e zakonshëm në Shqipëri – migrantët e brendshëm – ndërsa një numër i konsiderueshëm shqiptarësh kanë kërkuar mundësi më të mira jashtë vendit. në rastin kur u pa që mbi 40 përqind e burrave shqiptarë midis moshës 25 dhe 34 vjeç janë me qëndrim jashtë vendit. Kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë mbi forcën e punës dhe koeficientin e varësisë në Shqipëri. Emigracioni ka anët e veta pozitive dhe negative.
Ndër anët pozitive mund të shënojmë shkollimi shumë i mirë, zgjerimi shpirtëror, njohja me kulturën e vendeve pritëse, sigurisht dhe të ardhurat nga puna më të mira. Si dukuri positive është ndikimi në zhvillimin ekonomik (familjar dhe shoqëror) dhe në politikën e brendshme, në nivelin e pjesëmarrjes së emigrantëve në zhvillimet politike në vend. Në politikën e jashtme janë premisat që djemtë dhe vajzat e shkolluara kryesisht në vendet Perëndimore, të ndikojnë në këto vende në njohjen e vlerave shqiptare. Procesi i emigracionit është një proces i natyrshëm për t’u integruar në tregun ndërkombëtar të punës dhe për t’u përfshirë në procesin e globalizimit. Për shkak të numrit të konsiderueshëm të shqiptarëve jashtë vendit, respektimi dhe garantimi i të drejtave të tyre përbën një detyrë dhe njëkohësisht një sfidë për qeverinë shqiptare. Procesi i emigracionit është një proces i natyrshëm për t’u integruar në tregun ndërkombëtar të punës dhe për t’u përfshirë në procesin e globalizimit. Horizonti i emigrantëve është zgjeruar së tepërmi. Secili nga njerëzit e mendjes, të rinj dhe të moshuar, janë ambasadorë të vendit të vet atje jashte ku ndodhet dhe çdo vepër e tyre ndikon në opinionin që një i huaj krijon për të gjithë shqiptarët në tërësi. Në vendet përëndimore dëgjojmë se ka nga shqiptarët që zgjidhen në organe të ndryshme, deri në instance të larta. Emigracioni ka një ndikim të madh në zhvillimin profesional të shtetasve shqiptarë.
Nga anët negative, bazuar edhe në CENSUS-in 2011, është “Fenomeni i ikjes së “trurit” është një dëm i madh që riparimi i tij vjen vonë”, vërejnë stusiuesit social. “Shumë emigrant detyrohen të rrijnë me vite të tëra derisa të natyralizohen (marrin dokumentat) në shtetet e huaja ku jetojnë, pa parë familjet e tyre. Mundësite për të krijuar familje me nje bashkekombës jane shumë të pakta”[16]. Shumë emigrant janë të vetmuar, gjë që ndikon në gjendjen e tyre shpirtërore, që i çon në depresione ose rrugë të tjera të padenja. CENSUSI 2011 ka vërejtur se “xhelozia midis shqiptareve është e tmerrshme”[17], në punët që zënë, veçanërisht punët intelektuale.
Pëfundime
Diaspora shqiptare është një komunitet i fuqishëm demokratik dhe plot energji, që ruan vlera të mëdha nga origjina e tyre. Dukuritë tradicionale shqiptare, festat, tregimet dhe legjendat nga viset tona, psikologjia e ndihmës, e shoqërimit etj, janë kode të të qënit shqiptar. Shkollimi i fëmijëve në Perëndim, duke përdorur edhe gjuhën shqipe, është shenjë e mirë për ruajtjen e identitetit. Gjithë veprimtaritë e shoqërive dhe ansambleve të Diaporës tregon ‘dukjen’ e të qënit shqiptar. Dukja nis që në emërtimet e tyre. Këto ansamble mbajnë emra nga vise e komuniteteve nga vijnë, si nga Jugu e Veriu i trojeve shqiptare, si “Dardania”, “Labëria”, “Rugova”, “Kolonja” etj. Gjithashtu disa nga këto ansamble mbajnë emrat e heronjve kombëtarë, ashtu si dhe emërtimet e shoqatave. Me këto ansamble kremtohen festat kombëtare, si 28 Nëntori, 17 Nëntori (Çlirimi i Kosovës), të heronjve Ismail Qemali, Isa Boletini, Nënë Tereza e deri tek luftëtarët e luftës së Kosovës (1999), si Adem Jashari me shokë.
Shqiptarët në përgjithësi në periudha të vështira historike e ekonomike kanë ditur ta nxjerrin në pah aftësinë e tyre për mbijetesë. Në rrugën e mërgimit, morën me vete cilësitë dalluese, si njerëz të punës, intiligjentë dhe mënyrën e jetesës në bashkësi. Diaspora e re mori dhe po ruan traditën, por falë dhuntive pozitive, njerëzit tanë ditën të integrohen, të bëhen qytetarë të mirë të vendeve ku jetojnë.
Diaspora ka të drejtën të dëgjohet në instancat më të larta të shtetit shqiptar dhe atij të Kosovës. Deri tek e drejta e votimit Mendojmë se kjo është kryesore, sepse lidh ligjërisht shtetet mëmë me gjymtyrët e veta të larguara. Dihet se kjo diasporë ka me dhjetëra shqiptarë me status të lartë politik, kulturor, publik dhe arsimor që do t’i bënin nder kombit, po të emëroheshin në këto përfaqësi në ndihmë të kombit të tyre.
Dr. Fejzulla GJABRI
Antar i Bordit Drejtues të Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike. Tiranë.
________________
LITERATURA:
1.- Të dhënat nga INSTAT, 2001 dhe Ministria e Punëve të Jashtme, Misioni “Shqiptarët në Botë”.
2.- Censusi, 2011, f.41;
3.- Në një studim të Censusit 2011, thuhet e largimit: Vështirësitë ekonomike, kushtet e keqija te jeteses ne Shqipëri, ribashkimi familjar jashte vendit, mundesi me te mira ne vendet e destinacionit, mungesë e perceptuar sigurie në Shqiperi, arsimi, si dhe arsye mjekësore, konflikte personale, konflikt etnik, arsye politike. Ndërsa për shkaqet e kthimit të disa personave nga jashtë vendit, në CENSUS thuhet: “Të kthyerit vullnetarisht,humbja e vendit të punës, probleme familjare dhe nostalgjia; Të kthyerit me detyrim: Mungesa e lejes së rregullt, Dëbimi nga autoritetet, refuzimi i kërkesës për azil” (Studimi i CENSUS-it, 2011)
4.- Etienne Balibar…, “…Razza nazione classe…, Roma 1995
5.- Sipas CESS (Central Eurasian Studies Society), përgjatë periudhës 1991-2005, më shumë se 50% e lektorëve dhe punonjësve shkencorë pranë universiteteve apo instituteve të ndryshme kërkimore në Shqipëri, ku një pjesë e konsiderueshme e të cilëve kishte bërë studime pasuniversitare në vendet e Europës dhe Amerikës dhe i përkiste grup moshës 25-34 vjeçare, është larguar nga Shqipëria në kërkim të një jete më të mirë.
6.- Giovanna Nanci, albanologe, intervistë dhënë gazetarit Esat Ahmeti.(Nga InoArkiva, 26 janar 2012).
7.- Malësia.org, raportim nga Beqir SINA, Neë York;
8.- “Ylliria”, (the Albanian – amerikan neëspaper), nëntor 2013.
9.- “Gjurmë të shpirtit shqiptar” T. 2009. “Moj e bukura More”, që mbahet si Himni arbëresh: “ Moj e bukura More,/si të lash e më s’të pash,/…,/Atje kam un’ zotin At,/atje kam unë zonjën Mëmë… “.
10.- Mark Tirta, Etnologjia e Shqiptarëve, T.2003, f.177
11.- Mal Berisha, “Shkollë fillore e gjuhës shqipe në Bronx-Nju Jork”, në “Fjalë e lirë”, 9 Jan 2016
12.-Agron Fico, “Fjalë e lirë, Diaspora e harruar, 21 korrik 2006
13.- CENSUS, 2011, Analiza
14.- CENSUS, 2011
15.-Letërkëmbim me emigrantë (Autori)
[1] Sipas disa të dhënave, në Greqi gjendet një shqiptar për çdo 25-30 grekë, ndërsa në Itali, një shqiptar për çdo 400-450 italianë. Megjithatë, problemet sociale, që lidhen me emigracionin dhe me futjen e emigrantëve në punë dhe shoqëri, janë të ngjashme në të dy këto vende. Në Botë janë mbi 15 milionë shqiptarë.
[2] Të dhënat nga INSTAT, 2001 dhe Ministria e Punëve të Jashtme, Misioni “Shqiptarët në Botë”.
[3] Censusi, 2011, f.41;
[4] Në një studim të Censusit 2011, thuhet e largimit: Vështirësitë ekonomike, kushtet e keqija te jeteses ne Shqipëri, ribashkimi familjar jashte vendit, mundesi me te mira ne vendet e destinacionit, mungese e perceptuar sigurie ne Shqiperi, arsimi, si dhe arsye mjekësore, konflikte personale, konflikt etnik, arsye politike. Ndërsa për shkaqet e kthimit të disa personave nga jashtë vendit, në CENSUS thuhet: Të kthyerit vullnetarisht,humbja e vendit të punës, probleme familjare dhe nostalgjia; Të kthyerit me detyrim: Mungesa e lejes së rregullt, Dëbimi nga autoritetet, refuzimi i kërkesës për azil(Studimi i CENSUS-it, 2011)
[5] Etienne Balibar…,.“…Razza nazione classe…, Roma 1995, pp. 29-40.
[6] Sipas CESS (Central Eurasian Studies Society), përgjatë periudhës 1991-2005, më shumë se 50% e lektorëve dhe punonjësve shkencorë pranë universiteteve apo instituteve të ndryshme kërkimore në Shqipëri, ku një pjesë e konsiderueshme e të cilëve kishte bërë studime pasuniversitare në vendet e Europës dhe Amerikës dhe i përkiste grup moshës 25-34 vjeçare, është larguar nga Shqipëria në kërkim të një jete më të mirë.
[7] Giovanna Nanci, albanologe, intervistë dhënë gazetarit Esat Ahmeti.(Nga InoArkiva, 26 janar 2012).
[8] Malësia.org, raportim nga Beqir SINA, New York;
[9] “Ylliria”, (the albanian –amerikan newspaper), nëntor 2013.
[10] “Gjurmë të shpirtit shqiptar” T. 2009. “Moj e bukura More”, që mbahet si Himni arbëresh: “ Moj e bukura More,/si të lash e më s’të pash,/…,/Atje kam un’ zotin At,/atje kam unë zonjën Mëmë… “.
[11] Mark Tirta, Etnologjia e Shqiptarëve, T. 2003, f.177
[12] Mal Berisha, “Shkollë fillore e gjuhës shqipe në Bronx-Nju Jork”, në “Fjalë e lirë”, 9 Jan 2016
[13] Agron Fico, “Fjalë e lirë, Diaspora e harruar, 21 korrik 2006
[14] Malësia.org, raportim nga Beqir SINA, New York;
[15] Këmbim mesazhesh
[16] CENSUS, 2011, Analiza
[17] CENSUS, 2011