Flet ambasadori Flamur Gashi fotografia e të cilit u keqpërdor në Amerikë për të mashtruar një 65-vjeçare

Ish-Ambasadori i Shqipërisë në Bosnjë, Flamur Gashi, ka thënë se është njoftuar lidhur me një mashtrim që dikush ka bërë në Amerikë duke keqpërdorur fotografinë e tij. Ka thënë se do të shikojë mundësitë për të angazhuar edhe avokat për të zgjidhur këtë çështje.

Megjithëkëtë, ai ka thënë se është gëzuar që është zbuluar rasti në mënyrë që të mos ketë më mashtrime ndaj njerëzve të tjerë.

“Do të bisedoj me një avokat, mikun tim në Amerikë. Mbrëmë e kam marrë vesh. M’u duk pak absurde”, ka thënë Gashi, të shtunën.

“Më vjen mirë që është zbuluar kjo ngjarje dhe të mos ketë viktima”, ka shtuar ai.

Siç raporton dailymail, një  e ve nga Orlando ka humbur të gjitha kursimet e jetës së saj, pasi u mashtrua nga një person i cili përdorte fotografinë e Flamur Gashit, vëllait të deputetit të LDK-së, Arben Gashit.

Siç shkruan Daily Mail, Diane Standish nga ky mashtrim humbi plot 270 mijë dollarë.

Ajo thotë se ajo ra në dashuri me njeriun që e njihte si Darnell ‘Jerry’ Michael pasi u takuan në platformën online www.match.com.

Por, fytyra me të cilën ajo ra në dashuri ishte e Flamur Gashit, ish-ambasador në Bosnje, i cili është i martuar, ka tre fëmijë dhe jeton në Shqipëri, ku ka pozitën e Këshilltarit të Presidentit.

Standish tha se nuk kishte rezerva kur Michael filloi ta pyeste për paratë, pak pasi filluan të flisnin.

“Unë kurrë nuk mendova se dikush mund të bjerë në dashuri me dikë në telefon”, thotë ajo.

“Por për disa arsye, ai thoshte vetëm gjërat e duhura për mua”. “Unë kam biseduar me miliona njerëz të cilët thanë se u takuam në eHarmony dhe në www.match.com dhe ata janë të lumtur të martuar, kështu që unë nuk kam ndonjë arsye për ta vënë këtë gjë në dyshim”. Standish tha se i dërgoi paratë Michaelit, sepse ai i tha asaj se do të shkonte në Orlando dhe të martohej me të.

Aktualisht  Ambasador Gashi është Këshilltar per Çështjet e Rajonit, i Presidentit te Shqipërisë Ilir Meta, pas kthimit nga Bosnja ka qene për tri vite Këshilltar i Presidentit Bujar Nishani.
__________________________________________

Amerikania dashurohet me fotot e ambasadorit shqiptar

65-vjeçarja humbi 270 mijë Dollarë në një lidhje online

Diane Amanda Standish mendoi se gjeti dashurinë në një adresë takimesh online, por në vetëm pak muaj ajo humbi të gjitha kursimet e jetës.

“Kontrollova faturat e bankës, ishin 270 mijë Dollarë”.

E veja amerikane kuptoi shumë vonë se kishte rënë pre e një mashtrimi.

“Ai më tha se është i dashuruar me mua, nuk mendoja se do të dashurohesha me dikë në telefon, por për një arsye apo tjetrën, ai më thoshte fjalët e duhura”.

Zonja Standish e njohu mashtruesin si Xherri Majkëll apo Darnell Majkëll, me këtë profil Facebook-u. Dajana thotë se ai i kishte thënë se është administrator në një kompani ndërtimesh. Madje i kishte lënë edhe një mesazh zanor.

“Ç’kemi Diane. Si po kalon? Jam Jerry. A mund të më marrësh të lutem? Që të flasim. Faleminderit! Pafshim”.

Ai e telefononte nga numra të ndryshëm. Gjithmonë në kërkim të parave.

“Shumicën e rasteve ishin tarifa ligjore, fatura garancie”.

Kanali amerikan Neës 6 tentoi të lidhej me ato numra, në të gjitha rastet përgjigjej sekretaria, nga një adresë në Kaliforni.

Dajanë Stendish ka rënë në grackë. Ajo ra në dashuri me fytyrën e një tjetër njeriu.

Ajo ra në dashuri me fytyrën e Flamur Gashit, ish-ambasadorit shqiptar në Bosnje. Kanali amerikan ra në gjurmët e ambasadorit falë fotove të Facebookut, ku ai shfaqet edhe me emra të njohur për publikun.

Policia e Orlandos arriti të gjurmojë ato numra dhe rezultoi se telefononin nga Afrika e Jugut. Kanali amerikan arriti të gjejë personazhin të fotos, ambasadorin Gashi, por personi i vërtetë pas kësaj skeme mashtrimi, mbetet ende i panjohur.

“Ai mund të jetë kushdo, nga cilido vend, nuk ia kam idenë”.

Tv Klan