NATO, shtohet buxheti i mbrojtjes. Trump: Mund ta tërheq Amerikën nga NATO !

                                   

                                       Donald Trump dhe Stolenberg në Samitin e NATO-s në Bruksel.

Ishte njoftuar më herët, por Donald Trump e konfirmoi edhe me gojën e tij. Vendet anëtare të NATO-s kanë pranuar të rrisin shpenzimet e mbrojtjes.Duke folur në përfundim të samitit dyditor në Bruksel, shefi i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se aleatët pranuan të shpenzojnë për buxhetet e tyre të mbrojtjes më shumë se 2 përqindëshi i Produktit të Brendshëm Bruto.“Arritëm një progres të jashtëzakonshëm. Ishte vërtet mbresëlënëse të shihje frymën që mbizotëronte në sallë”, tha Trump.

Por, ndërkohë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në sallë, ai tregoi dashur padashur edhe arsyen përse të gjithë i druheshin kërkesave të tij, e në fund u bindën.

“Mund ta tërheq Amerikën nga NATO. Them se mund ta bëj këtë, por është e panevojshme. Ata u angazhuan sot, siç nuk janë angazhuar kurrë më parë”, citohet Trumpi nga gjiganti mediatik CNN.

Presidenti amerikan kishte kërkuar më herët që niveli i kontributeve të rritej në të paktën 4%.

Ndasitë e ashpra mbi atë se kush duhet të paguajë për mbrojtjen e Europës hodhën hije mbi takimin e Brukselit që në nisjen e tij, pasi Trump akuzoi aleatët europianë se përfitojnë në kurriz të taksapaguesve amerikanë, duke fshikulluar më së shumti Kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila nuk e la sidoqoftë pa përgjigje.