Në një deklaratë formale, të lëshuar të mëkurën pas takimit të krerëve të shteteve anëtare, aleanca po ashtu shprehu mbështetje për Britaninë dhe konstatimet e saj se Rusia qëndron prapa helmimit me agjent nervor të një ish-spiuni rus dhe të vajzës së tij, më 4 mars, në qytetin Sallsbëri të Anglisë.
Deklarata e NATO-s riafirmoi edhe qëndrimin e aleancës rreth nenit 5 – klauzola më e rëndësishme e aleancës – që thotë se sulmi mbi një shtet anëtar konsiderohet sulm mbi të gjithë.
“Sulmi kundër një aleati do të konsiderohet sulm kundër të gjithë neve, ashtu siç qëndron edhe në nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku dhe të veprojmë së bashku, në bazë të solidaritetit, qëllimit të përbashkët dhe ndarjes së drejtë të barrës”, thuhet në deklaratën e NATO-s.
Në të kaluarën, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shprehur dyshime rreth nenit 5. Por, më vonë, ai e ka qartësuar se është “absolutisht” i përkushtuar ndaj tij.
Trump do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, javën e ardhshme në Helsinki, Finlandë.