Platforma e pambaruar e shqiptarëve të Maqedonisë

E drejta e rajonizimit territorial dhe e decentralizimit të plotë sipas standardeve integruese të BE-së, do të duhej të jenë prioritet i betejës politike të shqiptarëve të Maqedonisë, ndërkohë që paralelisht me këtë duhet sforcuar përpjekjet për fuqizimin e statusit shtetformues në të gjitha nivelet e pushtetit, kurse gjuha shqipe, një projekt ende i papërfunduar, duhet të jetë testi i parë i gatishmërisë për koegzistencë etnike, politike ekonomike në mes të shqiptarëve, maqedonasve e të tjerëve

Nga Emin AZEMI

Nëse marrëveshjet me fqinjët – me bullgarët dhe grekët, Maqedonisë ia rikthyen favoret e humbura që sjell fqinjësia e mirë, dhe sidomos kompromisi i arritur me Athinën, tani do të duhej të punohet në stabilizimin e brendshëm, duke konsoliduar, edhe më tej, marrëdhëniet ndëretnike, dhe duke i dhënë zgjedhje europiane çështjeve të hapura, sidomos avancimit politik dhe ekonomik të shqiptarëve. Vetëm me shqiptarë të motivuar, Maqedonia mund të funksionojë si shtet normal, kurse të gjitha tendencat tjera që e kthejnë situatën në kohën e konflikteve e mosmarrëveshjeve, mund ta rrezikojnë të ardhmen e saj. Pra, edhe referendumi që pritet të mbahet në fillim të tetorit, duhet të jetë njëherësh edhe një projekt i përbashkët i ridefinimit të statusit politik e institucional të shqiptarëve, dhe shoqëria maqedonase duhet ta ketë kuptuar tash më se cilat janë shtyllat e stabilitetit të shtetit të përbashkët.

Konstruktiviteti i dëshmuar në procesin e negociatave me Greqinë, e nxjerr faktorin politik shqiptar (pushtet e opozitë) më të fuqishëm në përpjekjet për të përkthyer këtë konstruktivitet në favore të një aksioni politik me dimensione të riformatimit të gjendjes së shqiptarëve.

Në fazën kur Maqedonia ndodhet një vit para fillimit të negociatave për anëtarësim me BE, dhe në prag të referendumit, shqiptarët si faktor politik e ekonomik, duhet të ngrejnë nisma që bazohen në Rezolutën “Mbi kartën për qeverisjen me shumë nivele në Europë” (“Charter for Multilevel Governance in Europa”. Rezol-V-012), miratuar nga Komiteti i Rajoneve të Bashkimit Europian (KRBE) në sesionin plenar të tij më 2-3 prill 2014. Në këtë dokument, KRBE u bën thirrje autoriteteve publike të të gjitha niveleve të qeverisjes (lokale, kombëtare dhe europiane) për të përdorur dhe për të promovuar qeverisjen me shumë nivele (MAPL) në reformat e tyre të ardhshme. Qysh në nenin 1 të kësaj karte të thuhet: “Duke pasur parasysh se shumë kompetenca dhe përgjegjësi janë të përbashkëta në mes të niveleve të ndryshme të qeverisjes në Bashkimin Europian, ne shohim nevojën për të punuar së bashku e në partneritet, për të arritur kohezion më të madh ekonomik, social dhe territorial në Europë. I vetëm asnjë nuk mund të përballet me sfidat me të cilat po ndeshemi…”

Pra, qeverisja me shumë nivele është modeli më i avancuar dhe më funksional qeverisës në vendet e BE-së, ndërkohë që reformat në zhvillim, në këto vende ( si Franca, Italia, Gjermania etj.), synojnë jo heqjen dorë prej këtij modeli, por pakësimin e numrit të njësive për të rritur eficiencën dhe ulur shpenzimet. Këtë model duhet ta ndjekë edhe Maqedonia, kurse shqiptarët duhet të jenë promotorët kryesorë të tij. Pra, tendenca duhet të jetë rajonizimi, jo vetëm brenda-territorial por edhe përtej-kufitar, çka nënkupton marrëveshjet ndërkufitare e ndër-rajonale, duke krijuar një “multipartneritet”, që bashkon kulturat, traditat, universitetet e deri tek OJF-të në platforma dhe struktura të përbashkëta ose të bashkuara. Në këtë përpjekje, thuhet në kartën e Komitetit të Rajoneve të Bashkimit Europian “…ne respektojmë plotësisht legjitimitetin dhe përgjegjësinë e çdo niveli dhe parimin e bashkëpunimit të sinqertë”.

Përparësia e ndarjes në rajone të Maqedonisë, ku administrimi do të ndiqte modele mjaft të përparuar decentralizese europiane, është në ngritjen e urave te bashkëpunimit me vende të Bashkimit Europian që kanë rregullim të ngjashëm administrativ e etnik si të Maqedonisë.

Dokumenti “Karta për qeverisjen me shumë nivele në Europë”, do të duhej jetë në vëmendjen e gjithë deputetëve dhe ministrave shqiptarë, që do të shërbente si model në ridizajnimin e qeverisjes vendore në Maqedoni, ku shqiptarët do të ngritnin kapacitet e tyre institucionale e ekonomike dhe në bashkëpunim me subjekte të ndryshme në diasporë por edhe me komuna të ndryshme në Kosovë e Shqipëri, do të mund të krijonin një “komonvelt shqiptar”, në kuadër të bashkëpunimit rajonal pa cenuar sovranitetin e shteteve.

E drejta e rajonizimit territorial dhe e decentralizimit të plotë sipas standardeve integruese të BE-së, do të duhej të jenë prioritet i betejës politike të shqiptarëve të Maqedonisë, ndërkohë që paralelisht me këtë duhet sforcuar përpjekjet për fuqizimin e statusit shteformues në të gjitha nivelet e pushtetit, kurse gjuha shqipe, një projekt ende i papërfunduar, duhet të jetë testi i parë i gatishmërisë për koegzistencë etnike, politike ekonomike në mes të shqiptarëve, maqedonasve e të tjerëve.

Të bashkëqeverisës, nuk është asgjë tjetër pos shkëmbim projektesh që do ta bënin atë (bashkëqeverisjen) servis sa më funksional për qytetarët. Zaevi dhe Ahmeti duhet ta bëjnë këtë, sepse nuk besojmë se marrëveshjet e brendshme janë më të vështira se ato të jashtmet, kurse referendumi i vjeshtës është pikërisht momenti i ridizjanimit të qëndrimeve për një shtet që nuk do të jetë servis vetëm i një etnie. (Koha.mk)