Nga Beqir SINA – New York
Duke qenë se mikpritja është virtyt i shqiptarit, reflektohet edhe larg Atdheut. Një derë e hapur kurdoherë për vajzat dhe gratë shqiptare në New York është ndier edhe nga Konsullata e Kosovës, konkretisht nga Ambasadorja Zj, Teuta Sahatqija, e cila pak ditë më parë priti në një vizitë pune themeluesen e Qëndrës “Gratë në shërbim publik” në Shqipëri, ish deputete e Partisë Demokratike Zj. Mimoza Hajdarmataj dhe lideren e Organizatës së Gruas “Hope & Peace” Zj. Mimoza Dajçi.
Takimi u shtri në fuqizimin e gruas, si kërkesë e kohës dhe si një rol kyç për zhvilimin e të ardhmen e një vendi. U fol për trajtimin e grave të dhunuara nga lufta e makinerisë serbe në Kosovë, mbështetjen që akoma duhet ti jepet atyre e fëmijëve të tyre, si dhe për arritjet e grave në Fushë Kosovë, Krushë, Gjakovë të cilat me mbështetjen e shoqërisë, institucionve ndërkombëtare, e përpjekjet e tyre sot janë jo vetëm të zonjat për fëmijët e tyre, por për mbarë vendin.
Ambasadorja Sahtaqija një diplomate me vizon të gjerë dhe jo vetëm, por edhe në spektrin politik e vendimarrje, foli për eksperiencat e saj si deputete e Parlamentit të Kosovës në ndihmë të femrave për sa i përket shëndetit publik, pjesëmarrjes së grave në biznes, ekonomi, politikë, dipllomaci, e në veçanti vëmëndjes që duhet ti kushtojë shteti, shoqëria femrës në zonat rurale të vendit.
Ajo tregoi inisitivën e saj për blerjen e një automjeti lëvizës mjekësor, që shërben për kontrollin kundër kancerit të gjirit tek femrat. Mjet që edhe sot funksionon në Kosovë në çdo cep të largët të vendit, ku brenda kësaj aparature lëvizëse janë kontrolluar përveç femrave shqiptare edhe ato serbe.
Foli për barazinë gjinore, trashëgiminë bashkëshortore që është përfshirë tashmë në ligjet e Republikës së Kosovës falë përpjekjeve të saj dhe femrave deputete që e kanë mbështetur.
Edhe këtu Ambasadorja Teutë është një diplomate tepër aktive në dobi të shpalosjes së vlerave të popullit të Kosovës, Shqipërisë dhe të gjitha trevave shqiptare. Me rastin e 10 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, falë angazhimeve të saj Selia e Konsullatës u kthye në një qendër kreative, historike e kulturore ku u shpalosën veprimtari e aktivitete të ndryshme sociale, dipllomatike e patriotike.
Edhe Zj. Mimoza Hajdarmataj foli për punën e saj si deputete e Partisë Demokratike, ku gjatë takimeve të ndryshme nëpër Shqipëri, veçanerisht në Kukës, ku ishte edhe zona e saj elektorale, tha se kishte mbetur tepër e lënduar nga gjendja e rëndë ku ndodhej femra shqiptare në veri te vendit. Preku me shqetësim dhunën ndaj grave, trafikimin njerëzor, papunësisë, kanabisin që ka mbuluar vendin dhe tendencën e të rinjve për tu larguar nga vendi. Të gjitha këto dhe frymëzimi nga OKB për lëvizjen e gruas, janë edhe arsyet tha ajo që morra inisiativën për ngritjen e kësaj qendre në shërbimin publik të gruas.
Tani për tani Zj. Hajdarmataj priorit kryesor shikonte mbështetjen që duhej ti jepet gruas kryefamiljare, dhe gruas në zonat rurale të vendit.
Në këtë takim i cili kaloi i ngrohtë, miqësor Zj. Hajdarmataj u shoqërua nga gazetarja Mimoza Dajçi, sëbashku njiheshin në Shqipëri qysh në fillimet e proçeseve demokratike të vendit dhe shtresën e persekutuar politike, korresp. “Hope & Peace”.