Qeveria franceze ka aktivizuar një plan emergjent të paprecedentë për përballimin e valës së fortë të të nxehtit, pasi temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius gjatë ditëve në vijim.
Plani, i hartuar pas valëve të mëparshme ekstreme të të nxehtit, parashikon hapjen e qendrave të freskimit për personat më të rrezikuar, bëri të ditur zëdhënësja e qeverisë, Maud Bregeon, në televizionin TF1.
Masat synojnë kryesisht të moshuarit, por përfshijnë edhe personat e pastrehë.
Zyra e kryeministrit Sébastien Lecornu konfirmoi nisjen e planit të reagimit.
Sipas Bregeon, plani zbatohet në zonat ku është vendosur niveli më i lartë i alarmit për temperatura të larta.
Shërbimi meteorologjik francez “Météo-France” njoftoi se aktualisht alarmi i kuq prek nëntë rajone në perëndim të Francës.
Nga e shtuna, zona e alarmit do të zgjerohet, ndërsa edhe rajoni i Parisit do të përfshihet në nivelin maksimal të rrezikut.
Qytetarët do të mund të qëndrojnë për disa orë, madje edhe gjatë natës, në këto qendra me ajër të kondicionuar, tha drejtori i mbrojtjes civile franceze, Julien Marion, për televizionin BFMTV.
Kjo është vala e tretë ekstreme e të nxehtit që godet Francën brenda dy muajve.
Sipas “Météo-France”, temperaturat e larta pritet të vazhdojnë të paktën deri në mesin e javës së ardhshme.

















