Zhvillimet teknologjike, ndër të tjera, kanë ndryshuar edhe mënyrën se si ne shkruajmë, pasi tastiera ka zëvendësuar lapsin dhe letrën. Le ta provojmë me studentët sa i kujtojnë gërmat e dorës të mësuara në fillore.
Përveçse po humbet terren, shkrimi i dorës, veç të tjerash, ka ardhur duke evoluar, aq sa arsimtarët e cilësojnë atë që përdoret në sistemin arsimor sot dhe në përditshmëri si shkrim hibrid.
“Shkronjat e dorës po zëvendësohen gradualisht me të shtypit, qoftë nga teknologjia, qoftë nga presioni i kohës. Me rritjen e moshës në sistemet shkollore, nxënësit kanë më shumë volum për të shkruar dhe zgjedhin një metodë më të shpejtë”.
“Për shkak se rrezikon të humbasë, UNESCO ka propozuar që shkrimi i dorës të mbrohet si pasuri jomateriale e njerëzimit”.
“Kjo është një nismë e mirë. Kur shkruajmë me dorë, thellësia e mendimit është më e madhe sesa kur e realizojmë atë në mënyrë më të shpejtë. Shkrimi ka mundësuar zbërthimin e gjuhës,” shprehet gjuhëtari Shezai Rrokaj.
Teksa zhvillimet e kohës nuk mund të ndalen dhe sistemet arsimore po tentojnë gjithnjë e më shumë ta bëjnë teknologjinë pjesë të tyre, për profesorët e gjuhës duhen gjetur mënyra se si shkrimi i shqipes të ruhet.
“Është e vështirë të mbash atë mënyrën e saktë se si është ndërtuar alfabeti i Manastirit. Nuk mund ta kthejmë mbrapsht kohën. Të krijojmë muzeun digjital, ta simulojmë kaligrafinë, sepse është edhe një mjet estetik. Kohët sjellin mënyra të ndryshme të të shprehurit. Çdo kohë ka pasurinë e vet. Të gjitha kohërat përbëjnë identitetin tonë”.
Shkrimi i dorës konsiderohet si një element kyç i përcjelljes së dijes brez pas brezi, ndaj sipas UNESCO-s vlerat e tij duhen mbrojtur./ Tv Klan

















