Këshilli i Çështjeve të Brendshme të Bashkimit Europian i ka dhënë dritën jeshile forcimit të masave për luftimin e emigracionit të paligjshëm.
Vendimi ka të bëjë me miratimin e një rregulloreje të re që parashikon thjeshtimin dhe përshpejtimin e procedurave të riatdhesimit dhe u lejon shteteve anëtare të unionit të krijojnë qendra në vendet e treta, siç janë edhe ato të ngritura në vendin tonë nga Italia.
Më konkretisht, rregullorja e re rishikon konceptin e vendit të tretë të sigurt dhe zgjeron rrethanat në të cilat një kërkesë për azil mund të refuzohet si e papranueshme.
Për këtë qëllim, Këshilli miratoi një pjesë të rëndësishme të Paktit të Migracionit dhe Azilit të vitit 2024, duke rënë dakord edhe për listën e parë të përbashkët të BE-së të vendeve të sigurta të origjinës, e cila do t’u lejojë shteteve anëtare të merren me kërkesat për mbrojtje ndërkombëtare në një mënyrë të përshpejtuar.
Pjesë e kësaj liste janë Kosova, Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia. Thënë ndryshe, çdo kërkesë për azil që vjen nga qytetarët e këtyre shteteve do të refuzohet pa shqyrtuar thelbin e saj.
“Sot ramë dakord për listën e parë të BE-së të vendeve të sigurta të origjinës, e cila do të ndihmojë në krijimin e procedurave më të shpejta dhe më efikase të azilit dhe kthimin e atyre që nuk kanë nevojë për mbrojtje. Ky është një moment i rëndësishëm për politikën e azilit të BE-së”, u shpreh Rasmus Stoklund, Ministër i Danimarkës për Emigracionin.
Gjithashtu, një aplikant që apelon kundër një vendimi për refuzimin e azilit bazuar në konceptin e vendit të tretë të sigurt nuk do të ketë më të drejtë automatike për të qëndruar në BE për kohëzgjatjen e procesit të apelimit.
Gjithsesi, shtetet anëtare do të kenë ende listat e tyre kombëtare të vendeve të sigurta të origjinës me vende të tjera jo-anëtare të BE-së, përveç atyre në listën e BE-së.

















