Obeziteti te fëmijët në Shqipëri po rritet nga viti në vit. Shqipëria renditet e 12-ta në Europë për nivelin e lartë të obezitetit dhe mbipeshës te fëmijët. Të dhënat e fundit të OBSH tregojnë se 30% e fëmijëve të moshës 8-vjeçare janë mbipeshë ose obezë.
Dhe akoma më keq paraqitet kjo grupmoshë vetëm për obezitetin. Për këtë të fundit, Shqipëria renditet mes 10 vendeve me nivelin më të lartë të obezitetit. Në krye të listës qëndron Qipro, e ndjekur nga Greqia, Malta, Italia, Kroacia, Bullgaria, Spanja, Polonia, Shqipëria dhe Portugalia. Tabelë.
Ndërsa vetëm për mbipeshën, vendi ynë renditet i 12-ti në Europë me 14.5% të fëmijëve, nga 11% që është mesatarja europiane.
Obeziteti është një nga sfidat kryesore shëndetësore që ka prekur sidomos grupmoshën e rritur. Sipas raporteve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se 30% e popullsisë së rritur në Shqipëri ka pësuar obezitet ose mbipeshë.
Por shqetësim edhe më i madh është obeziteti te fëmijët, tendencë që rritet vit pas viti. Për ekspertët, mbipesha dhe obeziteti në fëmijëri shkaktojnë probleme shëndetësore në moshë të rritur. Për këtë arsye rekomandohet të tregohet kujdes me ushqyerjen, si dhe përfshirja në aktivitet fizik.

















