Mbretëria e Bashkuar do të ulë moshën e votimit nga 18 në 16 vjeç, duke i dhënë mundësinë rreth 1.5 milion të rinjve të votojnë në zgjedhjet e ardhshme.
Kryeministri Keir Starmer deklaroi se kjo reformë synon t’u japë të rinjve zë në proceset demokratike dhe t’i bëjë më të ndërgjegjshëm për përgjegjësinë qytetare.
Përveç uljes së moshës, ndryshimet përfshijnë edhe zgjerimin e mënyrave të identifikimit të votuesve, të cilët do të mund të përdorin karta bankare apo leje qarkullimi për t’u regjistruar.
Ndryshimet e propozuara, të cilat do t’i nënshtrohen miratimit të Parlamentit, janë pritur me kritika nga parti të tjera politike. Ata deklaruan se kjo grupmoshë nuk duhet të votojë nëse nuk i jepet mundësia të kandidojë.
Për të shmangur abuzimet, qeveria njoftoi se po planifikon të shtrëngojë rregullat për të mos lejuar ndërhyrjen nga shtete të huaja në këtë proces.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024 ishte 59.7%, më e ulëta në zgjedhjet e përgjithshme që nga viti 2001.

















