Disa senatorë republikanë amerikanë u takuan të martën me zyrtarë rusë në një vizitë të rrallë në Moskë, duke ngritur çështje të mprehta si Ukraina, Siria, ndërhyrja në zgjedhje.
Vizita vjen përpara takimit të planifikuar mes presidentëve të të dy vendeve, në Helsinki më 16 korrik si dhe në një kohë tensionesh të larta mes Rusisë dhe Perëndimit mbi konflikte të ndryshme e mosmarrëveshje politike.
Delegacioni amerikan u takua me ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov dhe ligjvënësit e të dyja dhomave të parlamentit rus, Dumës, dhomës së ulët të parlamentit dhe Senatit.
“Ne e dimë se kemi dallime. Disa janë thelbësore, disa më pak. I diskutuam disa prej tyre me zotin Lavrov dhe kryetarin e Dumës“, u tha gazetarëve Richard Shelby, senator republikan nga Alabama.
“Ne e pranojmë se bota do të ishte më mirë, besoj unë, nëse Rusia dhe SHBA-ja do të kishin më pak tensione“, tha ai në disa komente të bëra më herët pas takimit me zotin Lavrov në ministrinë e Jashtme.
“Ne shpresojmë që ajo që do të dalë nga takimi Putin-Trump në Helsinki, të jetë fillimi, ndoshta i një dite të re“, shtoi ai.
Zoti Lavrov tha se shpresonte që vizita e senatorëve “të simbolizonte rifillimin e marrëdhënieve mes parlamenti rus dhe kongresit amerikan.
“Mendoj se rifillimi i dialogut do të jetë një ngjarje shumë e përshtatshme në prag të takimit të ardhshëm mes dy presidentëve“, tha ai.
Një nga mosmarrëveshjet lidhet me sanksionet ekonomike të Uashingtonit ndaj Rusisë lidhur me aneksimin e Krimesë nga Ukraina.
Moska dhe Uashingtoni njoftuan datën e takimi të nivelit të lartë pasi këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare i presidentit Trump, John Bolton, u takua me zotin Putin në Moskë javën e kaluar.
Por zyrtarët thanë se palët nuk diskutuan heqjen e sanksioneve të SHBA-së si një subjekt i mundshëm i takimit.
Një nga senatorët që po viziton Moskën, John Kennedy nga Luiziana, bëri një pohim të kujdesshëm, ndërsa shpjegoi disa nga mosmarrëveshjet mes dy superfuqive.
“I kërkoj Rusisë të mos ndërhyjë në zgjedhjet tona (afatmesme) të këtij viti. Kërkoj nga ata që të dalin nga Ukraina“, u tha zoti Kennedy gazetarëve.
“Kërkoj ndihmën e tyre për paqe në Siri dhe të mos lejojnë Iranin të fitojë terren atje. Ky është fillimi i një dialogu, por duhet të shohim veprimet dhe jo atë çka thuhet”, tha senatori amerikan.
Senatori rus Konstantin Kosachev, i cili kryeson komisionin për Çështjet Ndërkombëtare, përmendi sanksionet si një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjeve.
“Nuk pajtohemi për gjithçka ndaj dhe dhamë arsyet tona për këtë. Natyrisht nuk gjejmë mirëkuptim të ndërsjelltë në shumë çështje“, tha ai pas bisedimeve.
Zoti Trump po përpiqet t’i afrohet zotin Putin në një kohë kur lidhjet e udhëheqësit amerikan me disa nga aleatët e tij perëndimorë janë tensionuar.
Takimi kokë më kokë i dy udhëheqësve do të pasojë një samit delikat të NATO-s në Bruksel.
Zoti Trump është shprehur me përbuzje për aleancën dhe pritet të qortojë anëtarët evropianë të NATO-s, se nuk kanë shpenzuar mjaftueshëm për mbrojtjen e tyre.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov njoftoi se nuk ishte planifikuar ndonjë takim i senatorëve amerikanë me zotin Putin. Vizita e tyre zgjat deri të enjten.
Zoti Peskov tha se Kremlini ishte “shumë i kënaqur” që senatorët po vizitonin Rusinë. (Zëri i Amerikës).