Asambleja Parlamentare e NATO-s miratoi të hënën vendimin për ngritjen e statusit të Kosovës në anëtarë të asociuar në këtë organizatë.
Shumica e vendeve votuan për, një ishte kundër ndërsa 14 abstenuan.
Që nga viti 2014 Kosova kishte statusin e anëtares vëzhguese ndërsa me ngritjen e statusit tashmë parlamentit të Kosovës i lejohet të marrë pjesë në të gjitha veprimtaritë e Komiteteve dhe nënkomiteteve, seminaret e Rose-Roth dhe seancat plenare ku mund të paraqesë rezoluta dhe ndryshime në rezoluta.
Vendet e asociura megjithatë nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë Parlamentare dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.
Kryesuesi i delegacionit të parlamentit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Driton Hyseni i tha Zërit të Amerikës se në dritën e këtyrë zhvillimeve, paralementi do të ketë një përfaqësim më të gjerë në kuadër të Asamblesë.
“Do të kemi një numër më të madh të deputetëve që do të përcjellin punimet e komisioneve të Asamblesë, do të kemi tëe bëjmë amandamentime dhe komentime në të gjitha dokumentet zyrtare që Asambleja do të nxjerrë e trajtojë e të cilat lidhen sidomos me avancimin e vlerave të NATO-s dhe zhvillimet të cilat lidhen qoftë me Kosovën, qoftë me Ballkanin Perëndimor por edhe Evropën në tërësi”, tha zoti Hyseni.
Presidetja e Kosovës Vjosa Osmani në reagimin e saj në rrjetet sociale tha se NATO është fati i Kosovës dhe kjo lëvizje do të sigurojë që zëri i njerëzve më pro NATO-s në tokë të dëgjohet. “Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona së bashku me aleatët tanë për të çuar përpara edhe rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO”, shkroi ajo.
Kryeministri Albin Kurti e quajti “një hap të rëndësishëm në integrimin euro-atlantik të vendit, përkundër fushatës së Serbisë”.
Autoritetet në Serbi kundërshtuan ashpër vendimin e Asamblesë parlamentare të NATO-s, duke theksuar se kjo shkel Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Njohës të çështjeve të sigurisë thonë se ngritja e statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s është një lajm i mirë por sipas tyre me rëndësi për vendin mbetët anëtarësimi në NATO.
Asambleja Parlamentare e NATO-s shërben si organizatë ndërparlamentare këshilluese për NATO-n dhe përfaqësohet prej 281 delegatëve nga 32 vendet anëtare të NATO-s.