Në pesë shtete amerikane të martën u mbajtën zgjedhjet paraprake. Kandidatët e pritshëm presidencialë Joe Biden dhe Donald Trump tashmë kanë fituar votat e mjaftueshme për të marrë emërimin nga partitë e tyre. Ish Presidenti Trump votoi në Florida, ku tani ai banon. Siç njofton korrespondentja e “Zërit të Amerikës” Carolyn Presutti, imigracioni është çështja kryesore për banorët e këtij shteti.
Lucie Sophie përpiqet të mbrojë pulat afër dyqanit të saj. Në Key West të Floridës, dëmtimi i pulave është një vepër për të cilën njerëzit mund të dënohen me gjoba të larta.
Francezo-amerikanja Lucie Sophie të martën votoi për herë të parë si shtetase amerikane. Si shumë banorë të tjerë në Florida, edhe ajo është mbështetëse e zotit Trump.
“Më pëlqen se si ndihen mbështetësit e tij për vendin dhe krenarinë që kanë për amerikanët. Nuk jam shumë e entuziazmuar për sloganin ‘Unë do ta bëj Amerikën sërish të Madhe’. Do të dëshiroja që ai të përqendrohej tek amerikanët”, thotë ajo.
Key West, qyteti ku jeton zonja Sophie, është plotë energji, veçanërisht përgjatë rrugës Duval, me shumë restorante dhe vizitorë.
Key West ndodhet në pjesën më jugore të Shteteve të Bashkuara, në një distancë prej 145 kilometrash nga Kuba. Haiti ndodhet pak më larg. Për këtë arsye imigracioni është një nga çështjet më të debatueshme.
Që nga tetori, roja detare amerikane ka shpëtuar dhe kthyer në vendin e tyre 100 banorë të Haitit, që janë përpjekur të hyjnë në Floridën jugore. Po në të njëjtën periudhë, rreth 300 njerëz të tjerë janë riatdhesuar në Kubë.
Tami Spurlock, deri në një pikë të caktuar është e hapur për ardhjen e tyre.
“Ata ndihmojnë ekonominë e qytetit tonë, e bëjnë atë të veçantë. Mendoj se të gjithë duhet të vijnë këtu në rrugë të ligjshme. Por, ata janë jetikë për qytetin”, thotë ajo.
Donald Trump, i cili ka premtuar dëbime masive të imigrantëve të paligjshëm nëse zgjidhet president, votoi të martën afër shtëpisë së tij në Palm Beach të Floridës.
“Ata duhet të mbyllin kufijtë. Vendi ynë po vdes, po mbytet. Ky është një pushtim”, tha ai.
Presidenti Joe Biden nuk ishte në fletëvotim në zgjedhjet e të martës në Florida. Ai bëri fushatë në jugperëndim të vendit, duke kritikuar zotin Trump.
“Ai (Donald Trump) thotë se imigrantët po helmojnë gjakun e vendit tonë, për çka po flet ai”, tha Presidenti Biden.
Disa nga këta imigrantë, veçanërisht ata nga Haiti, po ikin nga dhuna në vendin e tyre. Por, Natalie Steindl, e cila dje votoi për herë të parë, thotë se nuk duhet të bëhen përjashtime.
“E kuptoj që ky është një problem, por nuk duhet të përdoret si justifikim për të shkelur ligjin”, thotë ajo.
Megjithatë, të paktën një imigrant në ditë merr guximin të niset në rrugën e rrezikshme drejt Floridës në kërkim të një jete më të mirë.