Kongresi amerikan ka miratuar legjislacionin për financimin e qeverisë deri në fillim të Marsit, duke shmangur një mbyllje të pjesshme të qeverisë.
Dhoma e Përfaqësuesve miratoi masën e financimit afatshkurtër pasi Senati e miratoi atë, pavarësisht tensioneve politike. Demokratët dhe republikanët kishin qenë shumë larg në negociatat e tyre për buxhetin.
Projektligji u miratua me 314 vota pro dhe 108 kundër. Shumica e votave kundër ishin nga republikanët më konservatorë. Rreth gjysma e republikanëve bashkuan votat me demokratët në miratimin e projektligjit të tretë afatshkurtër që nga tetori. Projektligji zgjat deri në fillim të marsit shkallën aktuale të shpenzimeve qeveritare duke ofruar kohë që të dy dhomat e Kongresit të zgjidhin dallimet e tyre mbi shpenzimet për vitin fiskal që filloi tetorin e kaluar. Buxheti afatshkurtër për disa agjenci federale përfundon më 1 Mars .
Në nëntor, Kongresi miratoi një masë financimi afatshkurtër me dy pjesë. Disa financime kryesore do të zgjasin deri më 2 shkurt. Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, është vënë nën trysni nga ligjvënës për të hedhur poshtë marrëveshjen prej 1.66 trilion Dollarësh të arritur me udhëheqësin e shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, në fillim të muajit.
Johnson ka këmbëngulur se do ta respektojë marrëveshjen dhe ai gëzon mbështetjen e republikanëve. Ata thonë se ndryshimi i kursit tani do të ishte kthim prapa në premtimin e dhënë dhe do ta dobësonte pozitën e kryetarit në negociatat e ardhshme.
Që kur morën shumicën në fillim të vitit 2023, republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë zhvilluar një betejë të ashpër kundër atyre që i cilësojnë si politika të padobishme dhe nivele të larta të shpenzimeve qeveritare. Miratimi i masës afatshkurtër vjen mes negociatave për një paketë të veçantë ndihmash për Ukrainën dhe Izraelin dhe miratimin e fondeve për të forcuar sigurinë e kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.