Instituti “Brookings” në Uashington, një qendër për studime mbi politikën dhe demokracinë globale, parashikon që vitin e ardhshëm do të jemi dëshmitarë të «një Perëndimi të egër informacioni dhe kundërinformacioni politik, i aftë për të manipuluar opinionet publike globale për shkak të aftësisë sonë të kufizuar për të dalluar të rremen, nga e vërteta”. Dhe ai raporton se problemi “do të bëhet edhe më i përhapur dhe i vështirë për t’u demaskuar falë imazheve dhe videove të krijuara me inteligjencë artificiale” siç bën me dije “Panorama Italia”.

Që Inteligjenca Artificiale arrin të ngrejë besueshmërinë e “fake news” në shkallën e n-të tashmë është fakt. Këtë e tregojnë imazhet perfekte (dhe false, duke filluar me Ronaldon që mban lart flamurin palestinez) që ndotën Twitter-X disa orë pas sulmit terrorist me të cilin Hamasi tronditi Izraelin dhe botën më 7 tetor.

Një muaj më parë, një studim nga Microsoft dhe Universiteti i Maryland denoncoi dorën e inteligjencës kineze pas përhapjes në internet të lajmit të rremë se zjarret shkatërruese që shpërthyen në verë në ishujt Havai, ishin rezultat i një eksperimenti ushtarak amerikan. Në mediat sociale dhe në mbarë botën, shumë njerëz kanë pranuar teorinë se zjarret ishin produkt i një “arme të re klimatike” të testuar nga Pentagoni, një gënjeshtër e përforcuar në mënyrë efektive nga videot dhe fotografitë e krijuara me Inteligjencë Artificiale.

Në muajt e mëparshëm, Rusia kishte mbushur rrjetet sociale globale me postime që sugjeronin shifra të fryra për shpenzimet e SHBA-së në mbështetje të Ukrainës dhe përhapnin tezën se ato dollarë duhet të shpenzoheshin më mirë në interes të amerikanëve. Është një lojë që ekziston prej kohësh. Një studim nga Universiteti i Kembrixhit zbuloi se në prag të pushtimit të Ukrainës, 24 orë para 24 shkurtit 2022, përdoruesit e regjistruar të Twitter ishin rritur me mbi 50,000 – krahasuar me një mesatare ditore prej rreth 10,000. – dhe pothuajse të gjithë “profile jo njerëzish”, që mbështetin Putinin.

Që nga viti 2022, Inteligjenca Artificiale ka bërë përparime gjigante. Dhe diktaturat e mëdha kanë investuar shumë propagandë në të. Këtë e demonstron ajo video – sa efektive aq edhe e rreme – në të cilën Biden shpalli rifutjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak për të dërguar të rinjtë amerikanë në Ukrainë.

Me pak fjalë, keqinformimi është i fuqishëm dhe në këtë vit rekord zgjedhor rrezikon të ketë efekte katastrofike. Kjo, edhe sepse kundërmasat janë të kufizuara në masa modeste paliative. Që nga nëntori, Google ka vendosur se do t’u “kërkojë” përdoruesve të tij në YouTube të “raportojnë reklamat politike që përdorin imazhe, audio ose tekst të krijuar me Inteligjencë Artificiale”. Sigurisht që nuk do të mjaftojë.