Mjekët: Në mesin e tyre rezultojnë të prekur rreth 600 fëmijë 

Të prekurit me diabet në vendin tonë janë rritur ndjeshëm dhe aktualisht janë mbi 90 mijë persona që kanë këtë problem shendetësor. Sipas mjekut endokrinolog Florian Toti rastet e reja janë evidentuar kryesisht nga kontrolli bazë shëndetësor.

“Në vitin e kaluar shifra e personave me diabet e kishte kaluar 86 mijë. Një shifër që e kam jo plotësisht të konfirmuar nga fondi, shifra e fundit është mbi 90 mijë persona me diabet në Shqipëri. Pra Check Up ka zbuluar raste të reja dhe në vështrimin e parë duket si diçka alarmante. Po është e vërtetë që janë diagnostikuar më tepër raste, po është e vërtetë që shtohen personat që janë në trajtim, por marrin shumë pak mjekim.”

Rreth 600 fëmijë rezultojnë në mesin e personave me diabet shprehen specialistët.

“Sa i takon fëmijëve deri në moshën 18 vjeç janë diku te rreth 600 fëmijë në Shqipëri dhe duke qenë se ky numër ngelet pak a shumë konstant sepse si të thuash kush mbush moshën 19 vjeç del nga ky grup dhe futen ato raste të reja që zbulohen, në dijeninë time janë rreth 50-60 raste të reja që zbulohen.”

Aktiviteti fizik dhe konsumimi i ushqimeve sa më të shëndetshme ul ndjeshëm shanset për tu prekur nga diabeti theksojnë mjekët.

“Nëse ne humbasin 5% të peshës trupore, shifrat e glicemisë mund të përmirësohen nga 10-20 miligram. Pra një person që është me pre diabet mund të “shërohet” ose një person që është me diabet mund të kthehet në prediabet pra mund të kemi përmirësim vetëm duke rënë 5 kg nga pesha trupore. Nëse këtu shtojmë, shtimin e aktivitetit fizik, ndryshimin e mënyrës së jetesës përfitimi është më i madh dhe nuk është vetëm në drejtim të diabetit, por edhe ne drejtim të obezitetit, të yndyrnave dhe tensionit arterial.”

Tashmë që prej Janarit të këtij viti fishat e diabetit ofrohen falas për moshat mbi 65 vjeç nga Ministria e Shëndetësisë.