Ndërkohë, gjithnjë e më shumë amerikanë thonë se duan të largohen nga vendi. Pas zgjedhjes së Donald Trump si president në vitin 2016, shumë amerikanë thanë se do të largoheshin, por pak prej tyre e bënë vërtet këtë.
Sidoqoftë, sondazhi Gallup zbuloi në vitin 2018, se pjesa e amerikanëve që thanë se dëshironin të shpërnguleshin përgjithmonë në një shtet tjetër ishte rritur nga 11% nën drejtimin e presidentit Barack Obama, në 16% nën drejtimin e Trump; dhe deri në vitin 2022, kishte arritur në 17%, pavarësisht zgjedhjes së presidentit Joe Biden.
Shkalla e zbatimit të këtyre dëshirave mbetet e vogël: bëhet fjalë për disa dhjetëra mijë emigrantë, nga një popullsi prej 330 milionë banorësh. Por, ndryshimi është se, kohët e fundit, shumë emigrantë thonë se janë larguar ngaqë nuk u pëlqen drejtimi që po merr SHBA-ja si shtet.
“Unë bëj një telefonatë një herë në muaj me amerikanë, që më pyesin si mund të vijnë këtu”, thotë Caroline Behringer, një amerikane që u largua nga vendi në vitin 2017. Zonja Behringer, ish-ndihmëse e ish-kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e la punën dhe shkoi të jetonte me partnerin e saj në Amsterdam, pas fitores së zotit Trump.
Ajo thotë se për shumicën e mërgimtarëve, politika nuk ishte thjesht një arsye për t’u larguar, por edhe për të mos u kthyer më: “Nuk janë vetëm zgjedhjet, por edhe përçarja e vazhdueshme në vend”.
“Ajo që kemi vënë re gjatë gjithë kohës që kemi qëndruar këtu, është se ekuilibri punë-jetë personale në Europë, është shumë më i mirë”, thotë Tracy Metz, e cila drejton Institutin John Adams, një qendër kulturore amerikano-holandeze.
Punëtorët amerikanë punojnë 1811 orë në vit, europianët vetëm 1571; holandezët me pushime të shumta, punojnë vetëm 1427 orë. Holanda dikur tërhiqte amerikanët që kërkonin të pinin marijuanë ose të martoheshin me partnerë të së njëjtës gjini.
Ndërsa tani, vendi është bërë tërheqës në shumë drejtime, thotë zonja Metz. Popullariteti i anglishtes në Holandë i bën gjërat edhe më të lehta për amerikanët, të cilët janë jashtëzakonisht të dobët në gjuhët e huaja: 28% e programeve bachelor në universitetet holandeze janë në anglisht.
Njoftimet e punës online kërkojnë si kriter anglishten pothuajse aq shpesh sa kërkojnë holandishten.
Disa emigrantëve amerikanë u pëlqejnë shumë rrjetet e fuqishme të sigurisë sociale të Europës. Heather Caldwell Urquhart, shkrimtare e cila u shpërngul në Lisbonë në vitin 2021, kishte marrë një punë në Massachusetts, thjesht për të pasur sigurim shëndetësor.
Në Portugali, ajo dhe familja paguajnë një pjesë shumë më të vogël të asaj që do të kushtonte një plan i barasvlefshëm i kujdesit shëndetësor në Amerikë. “Nuk e kishim kuptuar sa e copëtuar ishte struktura shoqërore e Shteteve të Bashkuara, derisa arritëm këtu”, thotë ajo.
“Ne ndiem rritjen e tensionit brenda disa javësh pasi u larguam nga Amerika”, thotë Sylvia Johnson, psikiatre e cila u transferua në Lisbonë në vitin 2022. Për zonjën Johnson dhe familjen, të cilët janë me ngjyrë, çështjet kryesore ishin racizmi dhe dhuna.
Prej vitesh, ajo ishte përpjekur të bindte bashkëshortin Stanley, një avokat, që të shpërnguleshin jashtë vendit. Përplasjet pas vrasjes së George Floyd në vitin 2020, e bindën edhe të shoqin.
Atij i kujtohet që tha: “Mendoj se duhet të marrim një armë”. Kur e thashë këtë me zë të lartë, mendova se nëse më duhet të jetoj në një vend ku më nevojitet një armë për të mbrojtur familjen, atëherë ky nuk është një vend për mua”.
Gjatë kohës kur jetonte në Virginia, disa persona dogjën një kryq në lëndinën e Stanley-t. Disa nga të afërmit e Sylvias, u vranë me armë.
Tani ata nuk janë më aq të shqetësuar për paragjykimet dhe përballjen me policinë. Edhe pse ka njëfarë racizmi në Portugali, thonë se nuk shqetësohen për dhunën.
Ka edhe faktorë të tjerë që kanë nxitur shpërnguljen. Rritja e madhe e punës në distancë gjatë pandemisë, e bëri jetesën jashtë vendit më të realizueshme.
Dhe vendet europiane që joshin më shumë amerikanët kanë oferta mjaft të mira për të huajt.
Holanda i lejon kompanitë të përjashtojnë nga taksat 30% të të ardhurave të punëtorëve të huaj të kualifikuar. Në Portugali, një vizë rezidenciale kërkon të ardhura prej vetëm 150% të pagës minimale kombëtare, ose rreth 1,100 euro (1,190 dollarë) në muaj, një pengesë e lehtë për pensionistët amerikanë.
Të huajt mund të paguajnë një taksë të sheshtë prej 10% për “të ardhurat pasive”, si investimet apo pensionet. “Ligji Beckham” i Spanjës ofron një taksë të sheshtë prej 24% për të ardhurat e fituara në vend. Disa vende po prezantojnë viza “nomade dixhitale” për profesionistët e pavarur të teknologjisë.
Marrëveshje të tilla shpjegojnë se pse këto vende po tërheqin shumë emigrantë amerikanë jo të pasur.
Ndërsa shtete të tjera synojnë amerikanët e pasur. Italia dëshiron të tërheqë “individë me vlerë të lartë neto” duke u kërkuar atyre të paguajnë një tatim mbi të ardhurat, me vlerë 100,000 euro në vit, pavarësisht nga sa fitojnë.
Franca ka një përjashtim të ndërlikuar që synon drejtuesit e bizneseve të huaja. Ndërsa Gjermania nuk ka asnjë përjashtim.
Histori të ngatërruara
Sidoqoftë, çështjet praktike mbeten arsyeja kryesore e qëndrimit të amerikanëve në vende të huaja. “Të gjithë kanë histori të ngatërruara”, thotë Amanda Klekowski von Koppenfels nga Universiteti i Kentit, eksperte për diasporën amerikane.
Shumë udhëtojnë për arsim ose punë, bien në dashuri dhe vendosin që të qëndrojnë. Megjithatë, ajo thotë se ka pasur një ndryshim.
Dikur, amerikanët mendonin se kombi i tyre ishte vendi më i mirë për emigrantët dhe ideja e largimit nga vendi dukej e çuditshme.
Ndërsa tani, janë të vetëdijshëm se Europa ka përparësitë e veta: “Sistem i shkëlqyer shëndetësor, transport më i mirë, më pak dhunë me armë, ka racizëm, por është shumë më pak vdekjeprurës”.
Duke dëgjuar historitë e emigrantëve të rinj amerikanë, kupton se libri “Amerikani” nuk reflekton më realitetin.
Sigurisht, amerikanët janë ende më të pasur se europianët, por tashmë, kur vijnë në Kontinentin e Vjetër, ata nuk janë më egalitarë të ardhur në tokën e aristokracisë dhe paragjykimeve.
Në të kundërt, e admirojnë kujdesin shëndetësor të Europës, transportin publik efikas, krimin më të ulët dhe pabarazinë më të ulët të të ardhurave. Në njëfarë mënyre, tashmë janë amerikanët ata që e kanë zili lirinë e europianëve./ Monitor.al